Lekaj reagon pas vendimit të Qeverisë për projektin e autostradës 'Arbën Xhaferi'

Ekonomia June 05, 2018 - 18:46
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për projektin e autostradës R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë-Hani i Elezit, duke thënë se Qeveria e Kosovës e ka shpëtuar Kosovën nga një arbitrazh tjetër.

“Qeveria e Kosovës sot e shpëtoi Kosovën edhe nga një arbitrazh. E kuptojmë plotësisht interesimin e opinionit për vendimin e sotëm që u mor nga Qeveria e Republikës së Kosovës për koston shtesë të zgjatjes së kontratës për përfundimin e projektit të autostradës R6, "Arbën Xhaferi", Prishtinë - Hani i Elezit. Është zgjidhja më e mirë e mundshme nga çka e si e kemi gjetur ne kur kemi ardhur në krye të detyrës.

Keqmenaxhimi nga ish Qeveria na ka lënë këtë "bakshish", aspak të lehtë për tu trajtuar. Si Ministri e Infrastrukturës, e rrjedhimisht si Qeveri e Republikës së Kosovës, kemi marrë përgjegjësitë për të shtyrë përpara proceset (edhe ato që nuk janë lehta, siç është rasti me këtë projekt), që në të kaluarën nuk është bërë as me i vogli veprim dhe prandaj shpesh jemi gjendur në pozita aspak të dëshirueshme, për vendime aspak populiste, por shumë të domosdoshme për të mos e rënduar edhe më tutje imazhin e vendit tonë në raport me investitorët që potencialisht janë te gatshëm të investojnë në vendin tonë. Kemi bërë një zgjidhje, për një çështje, e mbetur pezull që katër vite, pa penallti, pa arbitrazh, dhe i kemi dhënë shansin që projekti të përfundoj ashtu siç e kemi premtuar, në fund të këtij viti.

I falënderoj për bashkëpunimin anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror, të gjithë kolegët ministra, e veçanërisht Kryeministrin Haradinaj. Vendimi i sotëm i marrë nga Qeveria e Kosovës, për pagesën e kostos së shtyrjes së projektit për një vit ka ardhur pas një sërë diskutimesh, analizash, negociatash të Komitetit Drejtues Ndërministror dhe kontraktorit.

Sot zgjidhem një problem dhe shmangem një më të madh, që Kosova të mos përfundojë në një proces arbitrazhi që do të kishte kosto të lartë për buxhetin e shtetit të Kosovës. Do të jemi në krye të detyrës për të shtyrë përpara projekte, sado të vështira që mund të jenë, që shkojnë në të mirë të zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik dhe të lidhjes së Kosovës me vendet e rajonit dhe të Evropës”, thuhet në reagimin e ministrit të Infrastrukturës, Pal Llekaj.