Vetëvendosja: Prokuroria e ka në duar 'shpëtimin' e Telekomit

Ekonomia June 04, 2018 - 09:00
Lexoni më shumë detaje

Telekomi i Kosovës nuk mund të rimëkëmbet pa ndihmën e organeve të hetuesisë. Lëvizja Vetëvendosje po pretendon ta ketë gjetur këtë alternativë shpëtimi për ta nxjerrë nga kriza ndërmarrjen që dikur njihej si më përfituesja në vend. Në një konferencë për medie të mbajtur të dielën lideri i kësaj partie Albin Kurti bashkë me ekspertin e njohur të telekomunikacionit Ismet Hamitin prezantuan Prokurorinë e Shtetit si mundësi të vetme shpëtimi, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Lëvizja Vetëvendosje me çdo kusht ka kërkuar angazhimin e Prokurorisë së Shtetit në hetimin e përgjegjësve kryesorë që sollën Telekomin buzë falimentimit.

Për këtë gjendje lideri i kësaj partie Albin Kurti fajëson zyrtarët shtetërorë dhe biznesmenët privatë, që thotë se përfituan në emër të ndërmarrjes.

Kurti ka kërkuar angazhimin e menjëhershëm të Prokurorisë në hetim.

LEXO EDHE: Shqiptarët 1 mijë padi për kompensim të dëmeve të luftës, serbët 100 mijë

“Gjendja e sotme në Telekomin e Kosovës është pasojë e krimit të organizuar dhe e korrupsionit të nivelit të lartë. Në Telekomin e Kosovës janë bërë krime dhe nuk janë bërë hetime. Kanë përfituar biznesmenë privatë e zyrtarët shtetërorë, por është dëmtuar qytetari dhe shteti. Në Telekomin e Kosovës nuk janë lejuar investimet dhe vazhdimisht Telekomi është kërcënuar me privatizim”, ka deklaruar Kurti para medieve, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas Kurtit, profesionisti i Telekomunikacionit Ismet Hamiti kishte paralajmëruar krimin e organizuar në Telekom para dy vjetësh, duke denoncuar me emër e mbiemër përgjegjësit për katandisjen me paramendim të Telekomit.

“Ne konsiderojmë se Telekomi i Kosovës edhe mund të shpëtohet, edhe mund të zhvillohet. Prokuroria të veprojë duke hetuar menjëherë. Qeveria të veprojë për një menaxhment krize me detyrë për ristrukturimin të thellë dhe nën mbikëqyrje të përgjegjshme publike. Pra, është e mundshme edhe të shpëtohet, edhe të zhvillohet Telekomi i Kosovës. Ne po e tregojmë zgjidhjen, a do ta tregojnë ata vullnetin?”, ka shtuar më tutje lideri i kësaj partie.

Hamiti fajëson qeveritë për gjendjen në Telekom

Fajin për gjendjen aktuale në Telekomin e Kosovës eksperti i telekomunikacionit Ismet Hamiti ua ka hedhur të gjitha qeverive që kanë qenë në pushtet, duke përfshirë edhe qeverinë aktuale të Haradinajt.

Në konferencën për medie Hamiti ka deklaruar se Telekomi është në gjendje të keqe për arsye se fitimet janë plaçkitur e plaçkiten përmes tenderëve, kontratave të dëmshme e deri te humbjet e inskenuara të arbitrazheve.

“Telekomi i Kosovës është në gjendje të keqe. Aq në gjendje të keqe është sa nuk mund t’i mbulojë as shpenzimet e veta rrjedhëse. Kjo pavarësisht faktit se Telekomi është kompani shumë fitimprurëse. Është në këtë gjendje për arsye të vetme: sepse fitimet i janë plaçkitur dhe i plaçkiten përmes mekanizmave nga më të ndryshmit, që nga tenderë e kontrata të dëmshme e deri te humbjet e inskenuara të ‘arbitrazheve’”, ka deklaruar eksperti i telekomunikacionit.

Sipas Hamitit, përgjegjëse për këtë gjendje janë të gjitha qeveritë e pasluftës, duke përfshirë edhe të sotmen, të cilat thotë se kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë rolin kryesor në të gjitha zhvillimet negative në Telekom.

“Qeveritë fillimisht eliminuan ose mënjanuan të gjithë kuadrin profesional që kishte Telekomi dhe i zëvendësuan me njerëzit e vet, të huaj e vendorë, të gjithë të padijshëm, të papërgjegjshëm dhe me prirje kriminale. Si të kontrolluar që ishin këta individë pastaj punuan e punojnë jo për interesin e Telekomit, por llogarinë e atyre që i kishin emëruar aty. Individë të tillë zbatuan “idenë” e shefave të vet për krijimin edhe të skemës plaçkitëse nën maskën e ‘operatorit mobil virtual’. Përmes kësaj skeme 30% të të hyrave të Telekomit shkojnë në xhepa të një kompanie private të njohur si ‘Z-Mobile’”, ka theksuar më tutje ai.

Hamiti përmend me emra organet e hetuesisë, ku i ka përcjellë argumentet për hetimin e gjendjes në Telekom.

“Po bëhen përmbi 11 vjet që nga shfaqja publike e kësaj skeme, më 30 mars 2016, që në vazhdimësi jemi duke e paraqitur atë zyrtarisht te organet kompetente, por edhe publikisht kurdo që na është dhënë rasti. Askush nuk ka bërë asgjë edhe pse ka qenë fare e lehtë të parandalohet. Formalisht Prokurorisë ia kam paraqitur para një viti e gjysmë, por para kësaj atë ia kam paraqitur Zyrës për Kontroll të Brendshëm të OKB-së (OIOS) dhe të gjithë kryeprokurorëve të EULEX-it më pas. Por vetëm në dhjetor të vitit të kaluar Prokuroria e gjeti të udhës të më ftojë të them diçka për këtë krim, por jo për krimin si tërësi, por vetëm për një hallkë të vogël të tij”, ka sqaruar më tutje Hamiti.

Por në këtë mes eksperti i telekomunikacionit nuk e ka lënë pa kritikuar Prokurorinë e Shtetit, për të cilën thotë se nuk është e interesuar ta hetojë plaçkitjen e Telekomit.

“Prokuroria e këtij vendi nuk është e interesuar ta hetojë plaçkitjen e Telekomit të Kosovës, duke u bërë kështu pjesë e krimit të organizuar që krijoi skemën plaçkitëse. Nga kallëzimi im Prokuroria i ka të gjitha hollësitë e këtij krimi. I ka individët që e kanë nisur dhe që e kanë miratuar në bordet e njëpasnjëshme të PTK-së, e di personin me emër e mbiemër që e ka nënshkruar licencën në kundërshtim me ligjin, e di personin që e ka nënshkruar kontratën, i ka zyrtarët e lartë që e kanë mbështetur këtë krim. I ka të gjitha”,

Hamiti ka treguar edhe hapat të cilët duhet ndjekur nga Prokuroria për t’i dhënë fund tatëpjetës, siç e quan ai.

“Prokuroria e ka në dorë t’i japë fund tatëpjetës që ka marrë ky vend. Duhet vetëm të kryejë punën për të cilën paguhet. Konkretisht, në rastin e Telekomit Prokuroria duhet të marrë krejt çka është e nevojshme për ndërprerjen e menjëhershme të kontratës përmes së cilës Telekomit të Kosovës i plaçkiten fonde në përmasa të mëdha dhe për hetimin e kësaj kontrate në tërësinë e saj, që do të provonte se kjo kontratë është produkt i krimit të organizuar, ashtu siç është. Kultura e mosveprimit e Prokurorisë duhet të marrë fund. Ndryshe nuk ka se si të mos konsiderohet pjesë e krimit dhe përgjegjëse për rrënimin e shtetit”, ka përfunduar ai.

Të hënën Vetëvendosja ka paralajmëruar edhe një interpelancë në Kuvendin e Kosovës pikërisht për Telekomin e Kosovës.