Serbët nuk e pranojnë statutin e 'Trepçës' të miratuar nga Qeveria e Kosovës

Ekonomia May 31, 2018 - 08:50
Lexoni më shumë detaje

Jovan Dimkiq, drejtor gjeneral i “Trepçës” në veri, ka thënë se statuti i “Trepçës”, i miratuar nga Qeveria e Kosovës, nuk do të prodhojë asgjë që do t’i bënte punëtorët të kenë perspektivë më të mirë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Serbët e veriut të Kosovës, menaxhmenti i “Trepçës” në veri, por edhe politikanët serbë të veriut dhe të qeverisë së Serbisë kanë refuzuar ta pranojnë statutin e “Trepçës”, i cili është miratuar në Qeverinë e Kosovës dhe i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës për miratim.

Madje serbët e kanë quajtur miratimin e statutit të “Trepçës” “një hap drejt rrëmbimit të ‘Trepçës’ nga shqiptarët”, shkruan më tutje "Zëri".

Jovan Dimkiq, drejtor gjeneral i “Trepçës” në veri, ndonëse sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, atij i ka skaduar mandati dhe nuk është më drejtor i “Trepçës” në veri, ka thënë se statuti nuk do të prodhojë asgjë që do t’i bënte punëtorët të kenë perspektivë më të mirë.

LEXO EDHE: 105 mijë qytetarë jetojnë me ndihma të shtetit

“Deklaratat bombastike nga Prishtina se me miratimin e statutit është shënuar një ditë historike për Kosovën i kuptoj vetëm si tendencë të tyre për ndonjë qëllim politik. Nga aspekti ekonomik, shumë më mirë do të ishte sikur të gjendej një plan ose program për zhvillimin dhe për avancimin e prodhimit për ‘Trepçën’ në jug, sepse ‘Trepça’ në veri shënon rezultate të mira prodhuese dhe financiare. Kështu kemi vetëm një tregim, sigurisht për qëllime politike. Statuti nuk do të ndikojë në prodhim, në të ardhurat e punëtorëve, në ardhjen e investitorëve potencialë dhe në asgjë që do të bënte punëtorët të kenë perspektivë më të mirë”, ka thënë Dimkiq, shkruan "Zëri".

Ndërkaq Igor Simiq, zëdhënës i Listës Serbe dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, ka vlerësuar se hartimi i statutit të “Trepçës” tregon për vazhdimin e dhunës ndaj serbëve.

“Është edhe një shembull se si Prishtina nëpërmes institucioneve të veta kryen dhunë shtetërore-juridike ndaj popullit serb të Kosovës. Na frikëson heshtja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj këtyre akteve të njëanshëm, sepse ajo çfarë është e drejtë universale në të gjitha shtetet e Evropës është pikërisht respektimi i të drejtave mbi pronën, ndërsa kur bëhet fjalë për serbët kjo nuk vlen”, ka thënë ai.

Simiq ka sqaruar se “Trepça” është çështje më e rëndësishme për serbët që jetojnë në veri të Kosovës, sepse “Trepça” ka të punësuar mbi 3 punëtorë.

“Për zgjidhjen e çështjes së ‘Trepçës’ duhet të bisedohet në Bruksel, në kuadër të dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës”, ka vlerësuar Simiq.

“Trepça” do të jetë e aftë për të vepruar

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, miratimin e statutit të ri të “Trepçës” e ka quajtur ditë të madhe për Kosovës. Ai ka thënë se pas votimit të këtij statuti në Kuvend “Trepça” do të kthehet në një kompani të aftë për të vepruar.

“Është një ditë e madhe për vendin, pasi Qeveria e vendit po miraton statutin e kompanisë ‘Trepça’ dhe po ia mundëson Parlamentit të vendit që ta konfirmojë këtë dhe ta kthejë ‘Trepçën’ në kompani të aftë për të vepruar. Është një kthesë e madhe në këto 20 vjet, është një ngjarje jashtëzakonisht e madhe, është momenti më kyç. Në ditën kur Parlamenti voton statutin ‘Trepça’ është e lirë dhe e aftë për të operuar në aspektin e biznesit të kompanisë”, ka thënë mes tjerash Haradinaj.

Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka vlerësuar se “tani i është hapur rruga themelimit të ‘Trepçës’ SH.A. dhe njëkohësisht zhvillimi i këtij gjiganti ekonomik”.  

Në anën tjetër, në mbledhjen e fundit të Bordit Menaxhues të “Trepçës” është konstatuar se pjesëtarët e komunitetit serb në pjesën veriore janë të gatshëm që t’i pranojnë vendet në Bordin Mbikëqyrës dhe në atë menaxhues, por që Beogradi po e pengon emërimin e tyre.

Sadiku: Beogradi po e mban të bllokuar funksionalizimin

Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së “Trepçës”, njëkohësisht anëtar i Bordit Mbikëqyrës, ka thënë se Beogradi është ai që po e mban të bllokuar funksionalizimin e Bordit, duke u bërë trysni serbëve që të mos bëhen pjesë e tij.

“Besoj se pjesa më e madhe e qytetarëve në pjesën veriore janë të interesuar të jenë pjesë e Bordit pasi ata jetojnë në Kosovë, por këtu po ndikon politika, konkretisht Beogradi zyrtar. Unë kam pasur takime me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve në pjesën veriore. Ata janë të interesuar, por është vështirë për shkak të ndërhyrjes së politikës. Gjashtë anëtarët aktualë të Bordit (shqiptarë) mund të marrin vendime, pasi është shumica, por problem është pjesa veriore pasi në miniera në atë pjesë nuk kemi qasje. Ky është problemi më i madh”, thotë Sadiku. 

I njohur si gjiganti metalurgjik, "Trepça" është i ndarë në dy pjesë, në veriun e dominuar nga serbët dhe në jug me minatorë shqiptarë, që punojnë nën menaxhmentin e autoriteteve të Kosovës.

Duke qenë krejtësisht e pavarur dhe në menaxhim të plotë të serbëve dhe të shtetit të Serbisë, “Trepça” në veri ka planifikuar të shesë 9.7 milionë dollarë zink, i cili do të prodhohet në këtë vit në minierën “Cernac” të Leposaviqit.

“Trepça” në veri, që është pronë e Qeverisë së Kosovës, e ka shpallur fituese të tenderit për shitje të koncentratit kompaninë nga Polonia “Zaklady Gorniczo- Hutnicze Boleslaw S.A”.

Aksionar i kësaj kompanie është shteti i Polonisë, ndërsa pjesën dërrmuese të aksioneve i ka kompania “Stalproduct S.A. Capital Group”.

“Trepça” në veri planifikon që brenda një viti të prodhojë 8.100 tonë koncentrat të zinkut dhe kjo sasi e zinkut do të shitet (sipas kontratës) për 9. 227 milionë dollarë.