105 mijë qytetarë jetojnë me ndihma të shtetit

Ekonomia May 31, 2018 - 08:32
Lexoni më shumë detaje

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) shihet se hiç më pak se 29.501 familje me mbi 105 mijë banorë edhe më tutje jetojnë me ndihma sociale. Për dallim nga viti i kaluar sivjet ka rënë numri i familjeve, por është rritur numri i qytezave përfituese, shkruan sot gazeta "Zëri"

Duke u bazuar në statistikat e fundit zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) po del se numri i familjeve që jetojnë me asistencë sociale në Kosovë është zvogëluar, por është rritur numri i qytetarëve përfitues.

Nga 26.241 familje që i kërkuan ndihmë shtetit për mbijetesën e tyre vitin e kaluar, ky numër u zvogëlua në 25.951 familje deri më tani.

“Në muajin janar numri i familjeve ka qenë 26 mijë e 115, në muajin shkurt 26 mijë e 074, në muajin mars 26 mijë e 094, në muajin prill 25 mijë e 910, në muajin maj 25 mijë e 951”, bëhet e ditur në tabelën zyrtare të statistikave që gazeta Zëri ka siguruar nga Ministria e Punës.

Ndonëse numri i familjeve që jetojnë me asistencë sociale shihet se është zvogëluar, numri i anëtarëve të familjeve po del të jetë rritur.

LEXO EDHE: Ethet e dialogut

“Në muajin janar 106 mijë e 616 anëtarë, në muajin shkurt 106 mijë e 434, në muajin mars 106 mijë e 450, në muajin prill 105 mijë e 714, në muajin maj 105 mijë e 881 anëtarë të familjes”, theksohet në shifrat e përfituesve të anëtarëve që jetojnë me asistencë sociale. Por, këto të dhëna pasqyrohen ndryshe në skemën e përfituesve të vitit të kaluar. 107 mijë e 488 anëtarë në muajin janar, 108 mijë e 185 në muajin shkurt, 108 mijë e 149 në muajin mars, 107 mijë e 273 në muajin prill, 10 mijë e 777 në muajin maj”, shkruan më tutje "Zëri".

Për t’i financuar këta qytetarë janë shpenzuar nga buxheti 12 milionë e 37 mijë euro.

Shatri: Zhvillimi ekonomik, alternativa e vetme

Për zvogëlimin e numrit të familjeve që jetojnë me asistencë sociale njohës të ekonomisë po thonë se mundësia e vetme është zhvillimi ekonomik.

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, në një prononcim për “Zërin” ka thënë që faji kryesor qëndron te niveli i ulët i zhvillimit ekonomik.

“Shkalla e varfërisë në Kosovë është shumë e lartë. Kemi varfërinë ekstreme dhe varfërinë e përgjithshme që është shumë e lartë, e cila hip në 30 për qind në këtë përqindje të popullsisë. Ne nuk mundemi të limitojmë me një vendim administrativ se nuk bën të rritet numri i familjeve që kërkojnë ndihmë sociale. Ato janë kriteret e parapara me ligj, kush i plotëson kriteret përfiton të drejtën të marrë ndihmë. Kështu që faji është te niveli i ulët i zhvillimit ekonomik, te shkalla e lartë e varfërisë që lidhet prej shkallës së lartë të papunësisë”, ka thënë Shatri.

Sipas Shatrit, gjithë këto janë pasojë e një niveli të ulët të zhvillimit ekonomik duke krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

“Këto janë pasojë e një niveli të ulët të zhvillimit ekonomik në krahasim me vendet tjera. Nuk është marre të pranojmë se jemi me të ardhura kombëtare më të ulëta se secili vend i regjionit. Jemi vendi i fundit ose i parë me pak të ardhura për kokë banori dhe normalisht njerëzit i drejtohen shtetit për ndihmë. Zhvillimi ekonomik është mënyra e vetme e zgjidhjes së problemit të varfërisë dhe i problemeve tjera sociale. Për këtë punë po punojmë, nuk mund të ndreqet shpejt diçka që me vite e dekada është rrënuar”, ka shtuar tutje ish-ministri i Ekonomisë dhe i Financave.

Ekspertët e ekonomisë: Nuk zbutet papunësia me këtë temp

Zhvillimin ekonomik të Kosovës po e kërkojnë edhe njohës tjerë të fushave ekonomike.

Musa Limani, ekspert i ekonomisë, thotë se duke pasur parasysh nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik Kosova ballafaqohet me probleme të mëdha, duke përfshirë varfërinë.

Limani në një prononcim për “Zërin” ka shtuar se numri i të punësuarve në krahasim me numrin e atyre që hyjnë në tregun e punës është jashtëzakonisht i vogël.

“Duke pasur parasysh nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik Kosova ballafaqohet me problem shumë të madh social - varfërinë dhe atë me një standard të ulët. Papunësia e madhe natyrisht që rrit edhe problemet sociale për arsye se pjesa dërrmuese e popullatës së Kosovës si burim kryesor e kanë punësimin. Pasi papunësia është jashtëzakonisht e madhe dhe për çdo vit rritet. Për arsye se punësimi është jashtëzakonisht i vogël, e numri i popullsisë aktive sidomos i fuqisë punëtore është duke u rritur. Prandaj numri i të punësuarve në krahasim me numrin e atyre që hyjnë në tregun e punës është jashtëzakonisht i vogël”, ka sqaruar ai.

Sipas Limanit, tërë kjo fuqi aktive e punës dhe numri i vogël i të punësuarve reflekton në problemet sociale.

“Numri i atyre që kërkojnë punë, përkatësisht atyre që nuk mund të punësohen është më i madh dhe normalisht që vjen deri te rritja e normës së papunësisë. Kjo reflektohet në problemet sociale. Duhet të sigurohet një ekzistencë sociale e atyre që nuk kanë burime të të ardhurave. Si problem në vete i Qeverisë, si prioritet është çështja e zhvillimit ekonomik. Nuk mund të zbutet papunësia dhe problemet sociale me këtë temp, me këtë kulturë të zhvillimit ekonomik”, ka theksuar tutje eksperti i ekonomisë.

Qeverisë i është kërkuar të bëjë reformë rrënjësore ekonomike.

“Vetëm me zhvillim ekonomik mund të zvogëlohet papunësia, problemet sociale dhe varfëria. Qeveria duhet të bëjë reforma rrënjësore ekonomike dhe veçmas në kuadër të politikës fiskale në kuptimin që të gjitha instrumentet politiko-fiskale dhe të politikës së zhvillimit makroekonomik t’i fusë në funksion të zhvillimit ekonomik”, është shprehur Limani.