30 milionë euro për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta vetëm për 2 vjet

Ekonomia May 29, 2018 - 10:24
Lexoni më shumë detaje

As Ministria e Financave (MF), por as ajo e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) po del të mos e kenë parashikuar saktë koston buxhetore për mësimdhënësit e viteve ’90-ta, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në bazë të përllogaritjeve të bëra nga Ministria e Financave, kjo njohje kontributesh nga 2019-2020 i kushton buxhetit të shtetit 16.7 milionë euro.

Por, këto statistika zyrtare i ka hedhur poshtë një hulumtim i realizuar nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP) me temën “Ndikimi buxhetor i Ligjit për Pensionin Meritor të Punëtorëve të Arsimit Shqip të Viteve të ’90-ta”, ku kostoja e Ligjit për periudhën 2019-20 pritet të jetë rreth 30.4 milionë euro, ose për 16.1 milionë euro (114%) më e lartë se kalkulimet e MF-së.

Në organizimin e kësaj tryeze diskutimi shifrat zyrtare të kostos së Ligjit i bëri publike Blendi Hasaj, hulumtues në Institutin për Studime të Avancuara (GAP). Hasaj theksoi se në përllogaritjet e Ministrisë së Financave nuk janë marrë parasysh disa faktorë që ndikojnë në rritjen e kostos buxhetore për këtë ligj.

“Sipas një skenari të kalkuluar nga instituti GAP, kostoja e Ligjit për periudhën 2019-2020 pritet të jetë rreth 30.4 milionë euro, ose për 16.1 milionë euro (114%) më e lartë sesa kalkulimet që i ka bërë Ministria e Financave për të njëjtën periudhë”, ka sqaruar Hasaj.

Ky sqaron se është supozuar që të gjithë përfituesit nga ky ligj kanë pension 240 euro dhe nuk janë kalkuluar kostot për përftimet shtesë nga ky ligj. 

Duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të skemave sociale në bazë të kategorive, Qeverisë së Kosovës i është kërkuar rishikmi i të gjitha skemave sociale e sidomos pensionet në bazë të kategorive, duke aprovuar kështu një ligj të ri bazik për pensionet e financuara nga shteti, ku bëhet përfshirja e këtyre kategorive, shkruan më tutje "Zëri".

Gashi: Ky ligj rrezikon stabilitetin financiar të vendit

Zëvendësministri i Financave Fatmir Gashi, që ishte pjesëmarrës në organizimin e kësaj tryeze diskutimi, paralajmëroi se ky ligj mund ta rrezikojë stabilitetin financiar të vendit.

Gashi ka përmendur edhe apelin e ministrit të Financave Bedri Hamza që të shtrohet kujdes për këtë projektligj sepse rrezikohet stabiliteti makrofiskal. Derisa ka sqaruar se nuk hedh poshtë kontributet e mësimdhënësve të viteve të ’90-ta.

“Ne dhe ministri i Financave Bedri Hamza kemi apeluar në Kuvend për një kujdes të shtuar për këtë projektligj, sepse rrezikohet stabiliteti makrofiskal. Çdonjëri ka dhënë kontribut në atë kohë në forma të ndryshme, edhe pse nuk jemi kundër arsimit, por ka shumë kategori të tjera të cilave mund t’u hymë në hak”, ka deklaruar Gashi.

Në anën tjetër, i zëshëm në këtë aspekt është treguar edhe kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa Lumir Abdixhiku, i cili tha se gjeneratat e reja po sakrifikojnë që me paratë e tyre të paguajnë skema të ndryshme sociale.

“Në ditën e parë kur është prezantuar Ligji ministri i Arsimit ka dhënë kosto më të ulët dhe ministri i Financave kosto më të lartë. Mosqartësimi i dy ministrave brenda një qeverie të krijon përshtypjen e mossigurisë. Kjo gjeneratë po sakrifikon prej parave të veta për të mbajtur skema të ndryshme sociale. Në Komision do të kërkojmë të na bëhet një vlerësim para se të marrim vendime. Nuk mund të marrim vendime pa e ditur koston. Po bëhet fjalë për 16 milionë dhe 32 milionë euro. Është e udhës që pozita të këtë më shumë përgjegjësi në menaxhimin e parasë publike”, ka shtuar ai.

SBASHK-u: Me çdo kusht po tentohet të pengohet Ligji

Me përllogaritjet e nxjerra deri më tani nuk po pajtohen përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Ymer Ymeri, përfaqësues i kësaj sindikate, deklaron se i janë krijuar mëdyshjet se Ligji po tentohet të pengohet me çdo kusht. Ndërsa thotë se nëse janë 13 skema sociale nuk bëhet asgjë nëse shtohet e 14-ta.

“Ne si Sindikatë kemi dyshime se në çdo hap po tentohet të pengohet Ligji. Kur kërkohet të futen në kod edhe ata që janë larguar nga puna dhe ata që janë larguar nga vendi. Edhe po të jetë kjo shumë që po paraqitet nga GAP-i, nuk është e lartë. Ndikimi i saj buxhetor nuk mund të jetë i lartë. Kostoja e paraqitur nga MF-ja është e përafërt. Duhet të koncentrohemi rreth buxhetit e jo a të aprovohet ligji. Në qoftë se janë 13 skema të ndryshme sociale, çka bëhet nëse i shtohet e 14-ta. I bie 5 për qind të rriten skemat sociale”, ka shtuar Ymeri.

Në rekomandimet e GAP-it thuhet se një vlerësim i saktë financiar mund të bëhet vetëm atëherë kur ka një evidencë të qartë të të gjithë atyre që kanë punuar gjatë viteve ’90, vitet e tyre të punës në arsimin e viteve të ’90-ta, përvojën e tyre të përgjithshme dhe edukimin formal, si dhe informatat për bashkëshorte/ët lidhur me përvojën e punës dhe edukimin formal.

Ndryshe, në këtë panel diskutimi qenë pjesëmarrës deputetë të Kuvendit të Kosovës, zëvendësministra, ekspertë të arsimit, si dhe përfaqësues të SBASHK-ut. /ZËRI/