Komuna e Podujevës pagoi 61 mijë euro pa pranimin e inventarit

Ekonomia May 28, 2018 - 08:08
Lexoni më shumë detaje

Zyra Kombëtare e Auditimit për projektin “Inventarizimi i objektit të ri komunal” në vlerë 74,092 euro, ka gjetur se Komuna e Podujevës kishte kryer pagesën e parë në vlerë 61,124 euro në dhjetor të 2017-s. Por gjatë auditimit është konstatuar se pjesa më e madhe e tij nuk gjendej në objektin e ri komunal. ZKA-ja po ashtu plot shkelje ka evidentuar edhe në Komunën e Shtimes dhe në atë të Mitrovicës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Shkelje të shumta ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2017 për Komunën e Podujevës.

ZKA-ja ka gjetur se Komuna ka bërë realizimin e pagesave pa pranim të mallrave.

Për projektin “Inventarizimi i objektit të ri komunal” në vlerë 74,092 euro, Komuna kishte kryer pagesën e parë në vlerë 61,124 euro në dhjetor të 2017-s, shkruan më tutje "Zëri".

Ne kemi ekzaminuar në terren gjendjen e këtij inventari dhe konstatuam se menaxheri i kontratës kishte nënshkruar specifikat për pranim të inventarit edhe pse pjesa më e madhe e tij nuk gjendej në objektin e ri komunal.

LEXO EDHE: S’ka mocion për rrëzimin e Qeverisë

“Sipas zyrtarëve, inventari nuk ishte pranuar në tërësi meqë në objektin e ri kishte pasur rrjedhje uji dhe inventari gjendej në mobilierinë e kontraktuar”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Aty më tutje thuhet se në lëndë nuk kishte ndonjë dokument që vërtetonte krijimin e kushteve të tilla, raportimin e gjendjes ose të dokumenteve që vërtetonin se inventari gjendet tek operatori ose që pronësia i takon Komunës.

“Vlera për inventarin i cili nuk ishte në objekt por për të cilin ishte kryer pagesa ishte 52,384 euro. Kryerja e pagesave në mungesë të pranimit faktik të mallrave ose të punëve bie ndesh me rregullat financiare për shpenzimin e parave publike dhe përbën rrezik të vazhdueshëm që Komuna të humbë paratë e dhëna. Gjithashtu, veprimet e tilla lënë hapësirë për dyshime se Komuna përfshihet në marrëveshje verbale joligjore me operatorët ekonomikë vetëm në mënyrë që pagesat t’u kryhet sa më parë operatorëve”, thuhet në raport. Në këtë rast ZKA-ja ka rekomanduar që kryetari duhet të sigurojë se çdo organ mbikëqyrës, komision pranimi ose menaxher kontrate është përgjegjës për veprimet që ndërmerren me rastin e furnizimit të mallrave. “Për rastin në fjalë, të ndërmerren masat që sa më parë të kryhen furnizimet dhe të krijohet një komision i veçantë, i cili do të pranojë me saktësi inventarin e porositur”, thuhet në raport.

Ndarja e tenderëve dhe përdorimi i procedurave minimale

Në raportin e Auditorit thuhet se nga raporti i kontratave të nënshkruara ZKA-ja ka  vërejtur se nga 209 kontrata të nënshkruara përmes procedurave tenderuese 68 prej tyre (32%) ishin bërë sipas procedurës minimale, si dhe 41 (20%) ishin me kuotim çmimesh.

Sipas ZKA-së, kjo përbën një raport relativisht të lartë të përdorimit të këtyre procedurave dhe paraqet një dukuri jo të favorshme kur marrim parasysh madhësinë e kësaj Komune, si dhe humbjen financiare për shkak se në rastet e tilla çmimet e ofertuesve mund të jenë më të larta. 

Më tej, sipas LPP-së, autoriteti nuk do të ndajë kërkesën për prokurim për një sasi të caktuar të produkteve me qëllim të zvogëlimit të vlerës së kontratës për furnizim nën kufirin e caktuar.

“Gjatë vitit 2017 ishin zhvilluar 23 procedura të prokurimit për hartimin e projekteve të ndryshme zbatuese sipas procedurës së vlerës minimale ose kuotim që në total përbëjnë vlerën 23 mbi 106,996 euro, kjo në vend se të shkonin me një tender prokurimi/procedura të hapura. Për këtë çështje ne nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga Komuna (Departamenti i Prokurimit). Përsëritja e blerjeve të njëjta gjatë periudhave të përafërta kohore dhe përdorimi i lartë i procedurave të kufizuara bën që Komuna t’i shmanget procedurave të hapura si pasojë shërbimet në këtë mënyrë mund të ofrohen me çmime më të larta, kualitet më të ulët dhe të mos arrihet vlera për paranë e shpenzuar. Edhe pse kuotimi tashmë është procedurë e hapur, afatet ligjore dhe vlerat janë më të kufizuara sesa te procedura e hapur, prandaj rrezikon konkurrencën e drejtë”, thuhet në raport.

Auditori ka rekomanduar se kryetari duhet të sigurojë se kërkesat e prokurimit duhet të përmblidhen qartë dhe me kohë nga njësitë kërkuese për të eliminuar nevojën për procedura të shpeshta dhe përdorimin e procedurave minimale dhe kuotimin.

“Kjo duhet të bëhet duke planifikuar me kohë dhe duke u fokusuar në një proces efektiv të prokurimit që siguron vlerën për paranë e shpenzuar”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së.

Mangësi në procedimin e pagave

Në tri raste me vlerë 40,744 euro ZKA-ja ka vërejtur që pagesat e faturave nuk ishin ekzekutuar brenda 30 ditësh, por kishin zgjatur deri në gjashtë muaj vonesë derisa janë procesuar për t’u ekzekutuar për pagesë.

Te projekti “Pajisje për mirëmbajtjen e shkollave”, me vlerë 5,753 euro, ishte caktuar komisioni prej tre anëtarëve për pranimin e mallit, derisa malli ishte pranuar vetëm nga dy anëtarë.

“Mospagesa e faturave me kohë mund të ndikojë në çrregullimin e bilancit të pagesave dhe në ekzekutimin e tyre përmes përmbaruesve, derisa mospranimi i mallit nga personat e caktuar mund të ndikojë në pranimin e mallrave që nuk janë në pajtim me kushtet e kontraktuara. Kryetari duhet të iniciojë një rishikim të brendshëm për të përcaktuar pse kërkesat e rregullës financiare nuk janë adresuar në të gjitha rastet dhe të përcaktojë masat/proceset e duhura për të siguruar që dështimet e ngjashme nuk do të ndodhin në të ardhmen”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Hyrje në kontrata pa mjete

Me rastin e nënshkrimit të disa kontratave Komuna kishte hyrë në obligime më të larta sesa ishin të lejuara me buxhetin e vitit 2017.

Gjatë procedurave ishin nënshkruar formularë të disponueshmërisë së mjeteve pavarësisht që shumat nuk korrespondonin me ato të lejuara me buxhet.

Po ashtu edhe zotimet ishin më të ulëta sesa shuma e kontraktuar, si: Për projektin “Asfaltimi i disa rrugëve në fshatin Revuçë” kontrata ishte nënshkruar në vlerë 91,463 euro, derisa zotimi ishte vetëm 35,000 euro. Për projektin “Asfaltimi i disa rrugëve në fshatin Shtedim” kontrata ishte nënshkruar në vlerë 131,663 euro derisa të buxhetuara dhe të zotuara ishin vetëm 90,000 euro.

Sipas ZKA-së nënshkrimi i kontratave në vlerë më të lartë se ajo e buxhetuar rrezikon mospërmbushjen e obligimeve ndaj OE-së dhe mundësisë që këto pagesa të ekzekutohen direkt nga Thesari apo përmbaruesit, duke shkaktuar kosto shtesë dhe duke dëmtuar realizimin e projekteve tjera të planifikuara.

“Kryetari duhet të sigurojë se para nënshkrimit të kontratave të sigurohet se ekzistojnë fondet e mjaftueshme që e mbulojnë realizimin e tërësishëm të projektit për vitin përkatës, si dhe të sigurojë se janë bërë zotimet e mjeteve sipas nevojave dhe rregullave të përcaktuara”, thuhet në raport.

Komuna e Shtimes ka parregullsi në menaxhimin e të hyrave nga tatimi në pronë

Zyra Kombëtare e Auditimit shkelje ka gjetur edhe gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2017 për Komunën e Shtimes.

Sipas ZKA-së, Komuna nuk kishte arritur të sigurojë kontrolle të mjaftueshme në menaxhimin e të hyrave nga tatimi në pronë.

“Ne identifikuam parregullsitë si: Në një rast nuk janë aplikuar normat e duhura tatimore duke u bazuar në kategorinë e pronës, të rregulluar sipas Nenit 1, pika 1.2 e Rregullores së Komunës për Tatimin në Pronën e Paluajtshme për vitin 2017. Kategoria e pronës ishte vlerësuar si industri/punishte, me norma tatimore 0,18%, derisa Rregullorja parasheh normën 0,15%;  Në një pronë tjetër, kategoria e pronës afarizëm-depo/magazinë është vlerësuar metri katror me 150€ si pronë industriale në kundërshtim me Nenin 3 të Rregullores së Komunës pika 3.4.3 ku vlera për metër katror e pronave komerciale është 250€/m. Si pasojë të hyrat ishin nënvlerësuar për 69€”, thuhet në raport.

Aty më tutje thuhet se sipas Nenit 9 të Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, çdo person fizik, i cili më 1 mars ose para 1 marsit të një periudhe tatimore vendos se prona ose njësia e banimit i shërben si vend kryesor për banim i lejohet zbritja prej 10,000 euro nga vlera e tatueshme e pronës.

Më tutje në raport Auditori ka konstatuar se Komuna nuk ka respektuar këtë kërkesë ligjore duke aplikuar ketë zbritje për dy e më shumë prona. Po ashtu, në një rast një tatimpaguesi i janë njohur tetë prona si banim kryesor.

Kjo ka rezultuar me një nënvlerësim të te hyrave prej 105 eurove në vit. Gjendja e njëjtë është aplikuar edhe në nëntë raste tjera ku një tatimpaguesi i janë njohur dy prona si banim kryesor dhe në 19 raste tatimpaguesit kanë marrë më shumë se një numër identifikues, për shkak të regjistrimit të dy ose më shumë pronave.

Kjo ka vështiruar konfirmimin e zbritjes prej 10,000 eurove për banim kryesor, si dhe ka rritur në mënyrë fiktive numrin e tatimpaguesve në sistem.

“Mangësitë e identifikuara ndikojnë në kalkulim jo të saktë dhe të parregullt të ngarkesave për qytetarin. E gjithë kjo ndikon në normën reale të mbledhjes së tatimit në prone”, thuhet në raport.

Gabime në llogaritjen e pagave për stafin e arsimit

Më tutje në raportin e ZKA-së për Komunën e Shtimes thuhet se për pozitën “Mësimdhënës në Shkollën e Mesme Profesionale” provoja e punës nuk ishte kalkuluar saktësisht duke ndikuar në mbivlerësim të pagesës.

I punësuari kishte ofruar vërtetimin mbi përvojën e punës për dy vjet rresht në dy shkolla dhe Komuna kishte pranuar gabimisht katër vjet provojë pune.

Gjithashtu për pozitën “Administrator” në shkollën “Lasgush Pogradeci” Muzeqinë-Shtime shtesa e kualifikimit ishte 55 euro, ndërsa Komuna kishte paguar sipas listës së pagave 72 euro ose 17 euro më shumë se vlera e parashikuar në kontratë.

“Mangësitë e identifikuara mund të rezultojnë me pagesa të parregullta, si dhe t’i ngarkojnë shpenzimet e pagave me shpenzime të paarsyeshme. Kryetari duhet të sigurojë se janë eliminuar të gjitha gabimet në listat e pagave, në mënyrë që pagesa e pagave të bëhet në përputhje me rregullat në fuqi. Mbipagesat e bëra gabimisht duhet të korrigjohen dhe të ndalen nga pagat në muajt në vijim”, thuhet në raportin e ZKA-së për Komunën e Shtimes.

Mitrovicë, mangësi në menaxhimin e pronave publike

Shkelje po ashtu Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur edhe në Komunën e Mitrovicës.

Nga testimi i listave të shfrytëzuesve të pronës publike (dhënien e banesave për kuadro), ZKA-ja ka vërejtur se në 12 raste kontratat nuk janë të vlefshme në aspektin e periudhës kohore (ishin skaduar).

Megjithatë, pronat shfrytëzohen ende pa ndonjë vendim zyrtar ose ripërtëritje të kontratës. Në mungesë të ripërtëritjes së kontratave komuna nuk i faturon këta shfrytëzues. 

Sipas ZKA-së, mungesa e kontrolleve dhe neglizhenca e Komunës në këtë drejtim ka ngritur dobësitë e përmendura.

“Mungesa e kontrolleve adekuate dhe mosveprimi me kohë nga Komuna lidhur me shfrytëzimin e pronës publike rrit rrezikun që këto prona të keqpërdoren dhe mjetet e parapara për shfrytëzimin e pronave publike të mos inkasohen. Kryetari duhet t’i ndërmarrë masat që sa më parë t’i pajisë qiramarrësit me kontrata në mënyrë që të kenë bazë ligjore të shfrytëzimit të të hyrave nga pronat komunale”, thuhet në raport.

32 punëtorë me marrëveshje për shërbime të veçanta

Sipas ZKA-së, Komuna kishte angazhuar 32 punëtorë me marrëveshje për shërbime të veçanta. Komuna për këta të punësuar nuk kishte aplikuar procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit ashtu siç parashihet me aktet e përcaktuara ligjore.

“Për më tepër në tri nga 12 raste të angazhuarit me marrëveshje për shërbime të veçanta ishin për pozita të rregullta dhe nuk kishin të bënin me punë specifike. Mbulimi i pozitave të rëndësishme me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit dhe rrit pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi adekuat. Mungesë e konkurrencës së mirëfilltë, cilësia e shërbimeve të ofruara mund të jetë e nivelit të dobët dhe objektivat e organizatës të mos arrihen”, thuhet në raport.

Aty më tutje në raportin e Auditorit thuhet se kryetari duhet të sigurojë një plan të arsyeshëm për punët që ndërlidhen me shërbimet me marrëveshje të veçanta.

“Po ashtu, nevojat shtesë për punëtorë me pozita të rregullta t’i trajtojë në organet përkatëse dhe të gjendet zgjidhja e pranuar, të parashikohen me rastin e planifikimeve buxhetore. Po ashtu, në rast të punësuarve me marrëveshje dhe shërbime të veçanta të aplikojë procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit ashtu siç parashihet me aktet e përcaktuara ligjore”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

Kontrata, jashtë planit të prokurimit

Ndonëse në planin e prokurimit nuk ishte e paraparë aktiviteti: “Furnizim me material shpenzues për nevoja të QKMF-së në Mitrovicë” në vlerë 8,785 euro, megjithatë kontrata është nënshkruar. Planifikimi joadekuat ishte shkaktar i lidhjes së kontratës jashtë planit të prokurimit.

Sipas ZKA-së, lidhja e kontratave jashtë planit të prokurimit rrezikon realizimin e kontratave që janë planifikuar dhe ndryshimin në prioritete ose edhe në hyrjen në obligime pa mbështetje buxhetore.

“Kryetari duhet të sigurojë se plani i prokurimit është hartuar pas një analize të hollësishme të të gjitha njësive kërkuese dhe ka përfshirë sipas prioriteteve të gjitha projektet, për të cilat janë siguruar fondet e duhura buxhetore”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

Pranimi jo i rregullt i furnizimeve

Sipas Auditorit, pranimi i furnizimeve me medikamente mjekësore në vlerë 10,175 euro ishte bërë vetëm nga depoisti pa formuar ndonjë komision përkatës siç kërkohet me Rregulloren Nr. 01/2013 për Pranimin e Furnizimeve, ku parashihet formimi i komisionit.

“Moszbatimi i Rregullores reflekton se kontrollet e brendshme nuk janë adekuate. Mungesa e pranimit të furnizimeve pa komision rrit rrezikun që të pranohen furnizime të cilësisë jo të mirë dhe në kundërshtim me kushtet e kontraktuara. Kryetari duhet të bëjë një rishikim të brendshëm për të përcaktuar vendimet lidhur me formimin e komisionit përkatës për të konfirmuar se furnizimet janë pranuar sipas cilësisë dhe sasisë së paraparë me kontratë”, thuhet në raportin e Auditorit.

Menaxhimi joefektiv i obligimeve të papaguara

Duke krahasuar me vitin e kaluar obligimet kanë shënuar rritje prej 352,563 eurosh. Vlera më e lartë e tyre ishte nga investimet kapitale.

Sipas ZKA-së, si rrjedhojë e menaxhimit jo të mirë kishte raste kur pagesat për faturat e papaguara ishin ekzekutuar direkt nga Thesari sipas Nenit 39.2 të LMFP në vlerë 212,588 euro dhe sipas vendimeve të Gjykatës Themelore në vlerë 528,706 euro.

Kjo kishte ndodhur si pasojë e mospagesës me kohë të faturave/obligimeve.

“Në 17 raste tjera faturat/obligimet nuk ishin paguar brenda afatit ligjor prej 30 ditëve. Dështimet e pagesave ndaj furnitorëve në afatet ligjore dhe rritja enorme e obligimeve gjatë vitit 2017 rrit rrezikun që planet e shpenzimeve aktuale të mos realizohen për shkak që Komuna duhet t’i shlyejë obligimet e vitit paraprak. Kjo gjithashtu mund të rezultojë edhe me padi gjyqësore apo pagesa direkte nga Thesari. Kryetari duhet të konsiderojë që me rastin e planifikimit të buxhetit t’i trajtojë obligimet e mbetura me Ministrinë e Financave dhe t’i vendosë prioritetet buxhetore në kryerjen e tyre, si dhe të caktojë politika konkrete për parandalimin e hyrjeve në obligime të reja. Po ashtu t’i kryejë obligimet me kohë sipas afatit të paraparë ligjor”, thuhet në fund të raportit të Auditorit për Komunën e Mitrovicës.