Investohen mbi 5 milionë euro në deponinë e mbeturinave

Ekonomia May 26, 2018 - 09:14
Lexoni më shumë detaje

Projektin për ndërtimin e deponisë rajonale të mbeturinave dhe të mbetjeve farmaceutike në vendin e quajtur “Savina Stena” në veri të Mitrovicës e financon Bashkimi Evropian, ndërsa kapaciteti i saj është 720.000 metra kuba mbeturina, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Në veri të Mitrovicës deri në shtatorin e këtij viti do të përfundojë ndërtimi i deponisë rajonale të mbeturinave dhe të mbetjeve farmaceutike, për të cilin janë investuar mbi 5 milionë euro.

Projektin për ndërtimin e deponisë rajonale të mbeturinave dhe të mbetjeve farmaceutike në vendin e quajtur “Savina Stena” në veri të Mitrovicës e financon Bashkimi Evropian, ndërsa kapaciteti i saj është 720.000 metra kuba mbeturina të ngurta dhe mbetje farmaceutike, shkruan më tutje "Zëri".

Kryetari i Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq ka thënë se në javët e ardhshme do të hapet deponia rajonale, një projekt i ri për menaxhimin e mbeturinave që është duke u realizuar  në vendin e quajtur “Savina Stena”.

LEXO EDHE: Republika e veteranëve

Projekti ka filluar të realizohet më 12 prill 2016, ndërsa përfundimi i punimeve është paraparë të jetë shtatori i këtij viti.

Deponinë rajonale të mbeturinave dhe të mbetjeve medicionale në “Savina Stena” do ta shfrytëzojnë katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, shkruan "Zëri".

Në Zyrën e BE-së në Prishtinë kanë konfirmuar se komplet projektin e financon BE-ja, duke precizuar se sipërfaqja e deponisë është 300 metra me 100 metra, plus objektet përcjellëse, ndërsa kapaciteti i deponisë është 720.000 metra kuba mbeturina.

Punët në ndërtimin e deponisë është duke i kryer kompania bullgare “Buildin Development Hoding”, ndërsa supervizor është EPEM-i grek.

Vlera e projekti është saktësisht 5.247.000 euro, ndërsa financohet komplet nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Komunat veriore të Kosovës aktualisht mbeturinat i vendosin në deponi të vogla, ndërsa veriu i Mitrovicës për shkak se nuk ka deponi në këtë komunë mbeturinat i derdh në deponinë e Zubin Potokut, e cila në vitin 2015 është shpallur zonë ekologjike.

“Mitrovica e Veriut në këtë vit, pas 19 vjet pritjeje, e ndërton deponinë rajonale të mbeturinave, për të cilën investohen mbi 5 milionë euro dhe e cila do ta zgjidhë problemin e mbeturinave komunale dhe atyre medicionale dhe do të mundësojë hapjen e dhjetëra vendeve të reja të punës”, ka thënë kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Ai ka shtuar se më në fund ka filluar zhvillimi i Mitrovicës së Veriut pas një stagnimi të gjatë.

“Pas 14 vjetësh të stagnimit në vitin 2014 ka filluar zhvillimi i Mitrovicës së Veriut dhe avancimi i kushteve infrastrukturore dhe të jetesës së banorëve të Mitrovicës. Në 3 vjetët e fundi kemi arritur ta rinovojmë dhe t’i përgatisim të gjitha institucionet arsimore, prej atyre parashkollore, fillore, të mesme e deri tek ato të arsimit të lartë. Kemi investuar mbi 700 mijë euro në Qendrën Spitalore në veri të Mitrovicës, kemi punësuar mbi 300 njerëz të rinj, kemi rregulluar trotuare dhe ndriçimin e rrugëve, kemi ndërtuar stacionin e autobusëve pas 18 vjetësh, ndërsa shumë shpejt do të përfundojnë punët në ndërtimin e palestrës së sporteve dhe stacionit të zjarrfikësve e fatkeqësisht nga disa medie kjo nuk është vërejtur”, ka thënë Rakiq nëpërmes të një komunikate për medie, të cilën e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës.

Ndryshe, punët në ndërtimin e deponisë rajonale të mbeturinave kanë hasur në probleme të mëdha dhe ato ishin ndërprerë disa herë për shkak të problemeve me shpronësimin e një pjese për rrugën që çon te deponia.

Për shkak të mungesës së deponisë, disa pjesë buzë Ibrit në pjesën veriore ishin shndërruar në deponi, ku qytetarët nuk kishin hezituar t’i hidhnin mbeturinat.

Problemi më i madh ishte me mbeturinat medicionale, pasi që ato duhej groposur për të mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve, sidomos të fëmijëve.

Në anën tjetër, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostollova ka thënë se BE-ja ka investuar shuma të mëdha të mjeteve edhe në komunën e Leposaviqit.

Ajo precizoi se deri më tani në Leposaviq janë investuar rreth 5 milionë euro dhe se do të vazhdojë të investojë edhe në ardhmen.

Gjatë një vizite në Leposaviq, të premten, Apostollava tha se me investimet në të kaluarën ka pasur shumë probleme.

“Për ne është shumë e rëndësishme që të përqendrohemi në fushat në të cilat mundësohet hapja e vendeve të reja të punës për punësimin e njerëzve të rinj të shkolluar. Ndonëse në të kaluarën kemi pasur shumë probleme, ajo që do të bëjmë është që bashkërisht të punojmë që projektet e lejuara të realizohen dhe të jenë transparente”, ka thënë Apostollova.

Ndërkaq kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, ka kërkuar nga Apostollova që të ndihmojë në ndërtimin e një ujësjellësi, i cili do ta zgjidhte përgjithmonë problemin me ujë të pijes në këtë komunë.

“Në periudhën e kaluar Zyra e BE-së në Kosovë ka ndihmuar financiarisht zhvillimin e komunës sonë si me projekte infrastrukturore, ashtu edhe me projekte në bujqësi dhe projekte individuale për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Është me rëndësi se kemi marrë premtimin e përfaqësues speciale të BE-së në Kosovë se do të ndihmojë për ta zgjidhur problemin më të madh që kemi, ujësjellësin. Besoj se do t’i kemi mjetet nga fondi i BE-së për ta zgjidhur këtë problem”, ka thënë Todiq.