Pas mbylljes fabrikat importojnë 30 mijë litra vaj si lëndë të parë

Ekonomia May 25, 2018 - 08:34

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Mitrovicës, Hysni Ahmeti, ka thënë se nuk do të lejohen dy fabrikat për përpunimin e vajrave motorikë të punojnë pa leje të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndonëse pas mbylljes së tyre nga inspektorët njëra ka vazhduar të prodhojë vajra motorikë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Dy fabrika, njëra për përpunimin e gomave deri në përfitimin e vajrave industrialë dhe fabrika për riciklimin e vajit të përdorur më parë deri në përfitimin e vajit industrial, ndonëse janë mbyllur nga inspektorët komunalë të Mitrovicës kanë vazhduar të punojnë sa herë që mund t’u ikin inspektorëve.

Në Drejtorinë e Inspektoratit të Mitrovicës kanë thënë se inspektorët komunalë janë duke i vëzhguar me vëmendje dy fabrikat që ditë më parë i ka mbyllur për shkak të aktiviteteve të tyre prodhuese pa leje përkatëse dhe të ndotjes së ambientit. “Siç dihet, më 15 maj Inspektorati Komunal ka mbyllur fabrikën për përpunimin e gomave deri në përfitimin e vajrave industriale ‘BN 01 Rycikling’ SHPK dhe fabrikën për riciklimin e vajit të përdorur më parë deri në përfitimin e vajit industrial ‘Bass Partners’ për shkak të ndotjes së ambientit dhe të veprimtarisë pa leje përkatëse”, ka thënë drejtori i Inspektoratit në Komunën e Mitrovicës Hysni Ahmeti, i cili ka shtuar se inspektorët vazhdimisht janë në vëzhgim të këtyre fabrikave për të pamundësuar vazhdimin e prodhimit në mënyrë ilegale. Sipas tij, “Bass Partners” nuk është duke e respektuar vendimin e organit komunal për ndërprerjen e aktivitetit prodhues deri në momentin kur të pajiset me leje përkatëse.

“Më 20 maj Policia ka intervenuar në ambientet e punës së kësaj fabrike për shkak se janë vërejtur aktivitete prodhuese, me ç’rast sërish është konstatuar se fabrika nuk është pajisur me leje përkatëse për rifillimin e prodhimit, të cilën e lëshon Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH). Policia ka hasur në fabrikë punëtorët të cilët ishin duke punuar, andaj edhe i ka detyruar ta ndërpresin prodhimin, që është kërkesë e vazhdueshme jona”, ka thënë Ahmeti.  

Ai tha se është për keqardhje mosintervenimi me kohë i zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila është përgjegjëse e drejtpërdrejtë për lëshimin e lejeve për punë të këtyre fabrikave, ku janë ftuar që në fillim inspektorët, por që deri më 22 maj nuk janë paraqitur fare në këto fabrika.

“MMPH-ja e ka vendimin e organeve komunale të inspektoratit për të ndërprerë aktivitetet prodhuese pa lejen e tyre që nga data 27 mars 2017, por ajo asnjëherë nuk ka lëshuar asnjë vendim për vazhdimin e aktiviteteve prodhuese të kësaj fabrike (Bass Partners). Qëllimi ynë është që kjo fabrikë dhe të tjerat si kjo të mos punojnë pa leje, por të pajisen me to dhe të respektojnë kriteret për mosndotjen e ambientit”, tha drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Mitrovicës, Hysni Ahmeti.  

Sipas tij, në fabrikën “Bass Partners” edhe pas vendimit për ndërprerjen e prodhimit kanë hyrë rreth 30.000 litra vaj i përdorur si lëndë e parë për të vazhduar aktivitetin e vet prodhues, për çka edhe janë kyçur edhe hetuesit policorë për të hulumtuar prejardhjen e mallit.

Drejtori Ahmeti ka apeluar te drejtuesit e fabrikave që ta ndalojnë punën dhe të mos punojnë derisa të pajisen me leje përkatëse nga MMPH-ja, përndryshe, siç ka thënë Ahmeti, Inspektorati Komunal është i vendosur të mos lëshojë në asnjë mënyrë pe sa u përket pajisjeve me leje përkatëse dhe mbrojtjen e ambientet nga aktivitetet e dëmshme prodhuese, pa marrë parasysh kërcënimet dhe shantazhet eventuale. 

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, ndërkaq, në një deklaratë për opinionin ka thënë se niveli qendror është duke punuar kundër vendimeve të Komunës për mbylljen e fabrikave për prodhimin e vajrave motorikë, si dhe kundër vendimeve të Komunës për t’i rrënuar ndërtimet pa leje. Ai është zotuar se Komuna nuk do të bjerë pre e shantazheve dhe se nuk do të lejojë asnjë aktivitet që cenon shëndetin e qytetarëve të Mitrovicës dhe nuk do të lejojë as edhe një ndërtim pa leje, që bie ndesh me Planin Rregullativ dhe Urbanistik të Mitrovicës. 

Në anën tjetër, pronarët e fabrikës “Bas Partners” kanë thënë se Ministria e Ambientit ka kërkuar analiza, të cilat i kanë bërë instituti nga Novi Sadi.

“Analizat për vërtetimin e cilësisë së ndotjes së ajrit, që i ka bërë instituti i Novi Sadit, i kanë dërguar dy javë, kur kanë ardhur është konstatuar se janë brenda normave. Analizat janë kryer në monitorimin e inspektorëve të Ministrisë së Ambientit”, thotë njëri prej pronarëve të “Bas Parnters”, Masar Bashota. Ai ka shtuar se banorët nuk rrezikohen nga puna e fabrikës së tij. Pronarët e dy fabrikave për përpunimin e vajrave motorikë thonë se janë në fazën testuese e jo në fazën prodhuese, ndërsa insistojnë se kanë pëlqimin e Komunës së Mitrovicës për të operuar.