Parking nëntokësor deri në 900 vetura

Ekonomia May 25, 2018 - 08:28
Lajmet

Komuna e Prishtinës tani e një kohë është ballafaquar me mungesën e parkingjeve. Si pasojë e kësaj veturat parkohen në trotuare dhe më të rrezikuarit nga kjo gjë janë qytetarët, të cilët duhet të kalojnë andej. Shkurta Berisha, studente, për “Zërin” ka rrëfyer se si ajo ka problem që të ecën në trotuar pranë Fakultetit të Shkencave Matematikore- Natyrore për arsye të veturave të shumta të parkuara aty. “Problem për ne studentët është parkimi i veturave vend e pa vend te fotokopjet afër FSHMN-së. Meqë aty afër janë zebrat për këmbësorë, shpeshherë ndodh që nuk i shohim veturat që qarkullojnë dhe kjo ndikon që të ndihemi të rrezikuar”, ka thënë ajo.

Gjendje jo e mirë është edhe në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. B.A., qytetare, për “Zërin” ka thënë se në këtë lagje ka mungesë të parkingjeve dhe se veturat parkohen në trotuare, duke ua vështirësuar qarkullimin qytetarëve.  

“Çdo ditë më duhet të kaloj rrugën për të shkuar në punë dhe gjatë gjithë kohës trotuari është i mbushur me vetura. Nuk mundem mirë t’i shikoj as veturat, të cilat vijnë nga të dyja anët. Shfrytëzimi i trotuarit si parking mund të jetë shumë i rrezikshëm, sidomos për fëmijët, sepse me të vërtetë na bie të ecim në rrugë shumë pranë veturave dhe numri i veturave që kalojnë në atë rrugë gjatë ditës është shumë i madh, andaj edhe duhet të kemi shumë kujdes. Komuna duhet të bëjë një zgjidhje për qytetarët, pasi që po rrezikohet jeta jonë”, ka thënë ajo.

Tahiri: Komuna me plan të ri për parkingjet

Për të gjitha problemet me parkingje në kryeqytet së shpejti pritet të bëhet një zgjidhje. Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, për “Zërin” ka konfirmuar se tanimë janë në fazën e hartimit të një plani të ri për parkingjet në kryeqytet. Sipas tij, ky plan është ndarë në tri pjesë: në ndërtimin e parkingjeve nëntokësore, në parkingjet e lagjeve dhe në parkingjet publike. “Ne e kemi planin për zgjidhjen e problemit të parkingjeve në Prishtinë, plan në të cilin jemi duke punuar. Sipas atij plani kemi bërë ndarjen si në vijim: Parkingu nëntokësor - do të ndërtohet te Fakulteti Filologjik me kapacitet për parkimin e 500-900 makinave. Parkingjet e lagjeve - çdo banor i lagjes do të ketë çmim simbolik për veturën e parë, ndërsa për veturën e dytë e më tutje do të paguajë çmim më të lartë. Këto parkingje do të jenë të hapura edhe për vizitorë, të cilët do të paguajnë çmim të caktuar për orë qëndrimi dhe parkingjet në hapësira publike do të jenë me pagesë dhe me kufizime kohore”, ka thënë Tahiri.

Lidhur me ndërtimin e parkingut nëntokësor Tahiri ka thënë se bashkë me të do të ndërtohet edhe parku qendror i Prishtinës dhe se për ky projekt pritet të përfundojë për 18 muaj.

“Ky parking do të ndërtohet për 18 muaj nga fillimi i punimeve. Kompania që do ta bëjë ndërtimin obligohet që mbi të ta ndërtojë parkun qendror të qytetit. Kështu do të mundësohet edhe krijimi i zonës së këmbësorëve, që do të lidhet me sheshin kryesor të qytetit. Së fundmi është mbajtur edhe diskutimi me investitorët potencialë, ku janë njoftuar për të gjitha procedurat që duhet ndjekur për këtë projekt. Shumë shpejt do të bëhet edhe thirrja e parë për aplikim”, ka thënë ai. Ai po ashtu ka shtuar se menaxhimin e këtyre parkingjeve do ta bëjë ndërmarrja “Prishtina Parking”, ndërsa për parkimet jolegale ai ka thënë se Policia është institucioni i cili duhet të ndërmarrë hapa ndaj tyre.

“Ndërmarrja ‘Prishtina Parking’, ndërmarrje kjo publike komunale e themeluar rishtas, do ta bëjë menaxhimin e këtyre parkingjeve. Kurse sa u përket parkimeve jolegale nëpër trotuare, ne si Komunë jemi munduar t’i parandalojmë përmes vendosjes së shtyllave antipark në shumë pjesë të qytetit, por në fund të fundit i vetmi institucion që mund të marrë masa ndaj tyre është Policia e Kosovës”, ka përfunduar ai.       

Hoti: Komuna t’i kryejë shërbimet për të cilat është përgjegjëse

Anëtari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Enver Hoti, ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që t’i kryejë shërbimet për të cilat është përgjegjëse. “Secili institucion duhet t’i kryejë shërbimet e veta. Ne mundemi të debatojmë si komision dhe të gjejmë një zgjidhje. Ne bëjmë thirrje nga Komuna që t’i kryejë shërbimet të cilat janë në të mirë të qytetarëve dhe jetës në bashkësi, pasi që kjo tanimë është një problem i stërzgjatur dhe i përcjellë vit pas viti”, ka thënë Hoti.

Policia: Kundërvajtje të tilla bëhen çdo ditë

Të pyetur se si vepron Policia e Kosovës me veturat të cilat jashtëligjshëm parkohen në trotuare, në përgjigjen kthyer nga Zyra për Informim në këtë institucion thuhet se raste të tilla të kundërvajtjes ka çdo ditë në trafik. “Policia e Kosovës të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka, në rastin konkret ndërmerr veprime duke u bazuar në Ligjin mbi Trafikun Rrugor, në Ligjin për Kundërvajtje, ku shqipton gjoba ndaj shkelësve të ligjit, në rastin konkret për ndalim parkimi. PK-ja në baza ditore ndërmerr veprime të tilla, pasi raste të kundërvajtjeve të tilla paraqiten në baza ditore”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Dedaj: Duhet të krijohen hapësira për parkingje në qytet

Sipas ekspertit të komunikacionit Nush Dedaj, mungesa e planifikimit hapësinor për parkingje është një problem i rrezikshëm. “Mungesa e planifikimit hapësinor për parkingje është njëri prej elementëve urbanë që paraqet një rrezikshmëri të lartë në komunikacion e sidomos rrezikshmëria rritet afër institucioneve publike, siç janë shkollat fillore, të mesme, spitalet, çerdhet etj. Në mungesë të parkingjeve drejtuesit e automjeteve parkojnë automjetet në vendet ku krijojnë dukshmëri të kufizuar për këmbësorë, ku edhe krijohet një situatë e rrezikshmërisë së lartë në komunikacion”, ka thënë ai. Sipas tij, ajo çfarë duhet bërë për këtë problem janë projektet për parkingje në kryeqytet. “Sigurisht në kuadër të planit urban të qytetit duhet të jenë edhe projektet për parkingje të modelit të hapur apo të mbyllur, por kjo kërkon një arsyeshmëri teknike dhe financiare të projektit të tillë. Po ashtu ajo që është e rëndësishme për Prishtinën është auditimi i elementeve të sigurisë së qytetit dhe pas këtij studimi duhet të përcaktohen shkaqet që krijojnë siguri rrugore të paqëndrueshme”, ka përfunduar ai.