Prokuroria nis hetimet ndaj ministrit Rikalo

Ekonomia May 25, 2018 - 08:15
Detajet

Një ditë pas publikimit të hulumtimit nga gazeta “Zëri”, ku ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo edhe më tutje vazhdon të jetë pronar dhe person i autorizuar në biznesin e tij “Future System”, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj ministrit Rikalo, shkruan sot Gazeta "Zeri"

Në fillim të javës që vjen përmes një shorti do të përzgjidhet prokurori i cili do ta hetojë ministrin aktual të Bujqësisë Nenad Rikalo, që pavarësisht emërimit në këtë pozitë të lartë politike ai edhe më tutje vazhdon të jetë pronar dhe person i autorizuar në kompaninë e tij “Future System”, e cila të gjitha aktivitetet e saj i ka në sektorin e bujqësisë. Zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” ka treguar se Prokuroria Themelore ka pranuar lëndën e Rikalos nga Prokuroria Speciale, që shpejt pritet t’i ndahet një prokurori për trajtim të mëtutjeshëm.

“Ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar një lëndë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast. Lënda së shpejti do t’i ndahet një prokurori të kësaj prokurorie për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Prokurorisë.

Beka: Të hënën pritet të caktohet prokurori

Prokuroria Themelore në Prishtinë po e pret vetëm “shortin” me emra të prokurorëve për ta përzgjedhur prokurorin adekuat, që do të merret ekskluzivisht me rastin e ministrit Nenad Rikalo. Lajmin e ka bërë të ditur kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka. “Ne e kemi pranuar lëndën. E kanë sjellë te ne. Është regjistruar si lëndë, mirëpo po presim t’i ndajmë lëndët me short për ta caktuar prokurorin, i cili do të merret me rastin”, ka konfirmuar shkurt Beka. Gazeta “Zëri” të enjten ka raportuar se Rikalo prej vitit 2005 e ka të regjistruar një biznes në fushën e bujqësisë, nga i cili ende nuk ka hequr dorë zyrtarisht, ndonëse qe nëntë muaj është emëruar në krye të këtij dikasteri qeveritar. Po ashtu ai ka qenë edhe bashkëpronar në një biznes tjetër të ngjashëm, por ka hequr dorë nga i njëjti. Ministri i Bujqësisë Nenad Rikallo në një përgjigje me shkrim për “Zërin” kishte pranuar se ka qenë i autorizuar në kompaninë “Future System”, por sipas tij fitimi dhe qarkullimi i mjeteve të kompanisë është 0.

“Në emër të ministrit të MBPZHR-së ju njoftoj se kompania “Future System” është themeluar në vitin 2005 dhe deri në këtë moment fitimi dhe qarkullimi i mjeteve të kompanisë në fjalë është 0.00, që do të thotë se kjo kompani është në gjendje të pushimit ose më thjesht nuk ka funksionuar asnjëherë. Pas parashtrimit të pyetjeve nga ju ministri Rikalo është interesuar se në çfarë situate ndodhet kompania dhe ka rezultuar që kompania nuk është aktive. Gjithashtu ju njoftoj se ministri Rikalo aktualisht është në procesin e dorëheqjes nga pronësia në këtë kompani”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës për Informim të Ministrisë së Bujqësisë, e cila drejtohet nga Rikalo.

Ndërkohë, njohës të sistemit ligjor në Kosovë kërkuan shkarkimin e ministrit Rikalo pas zyrtarizmit të biznesit të tij privat. Ndërsa në Agjencinë Kundër Korrupsionit i thanë gazetës se trajtimi i rasteve mbetet konfidencial, pa dhënë më shumë detaje nëse ministri gjendet në konflikt interesi.

Rikalo shkarkon kryeshefin që nuk i dha grant gruas së tij

Ministri Nenad Rikallo para dy javësh me një vendim të lëshuar kishte shkarkuar nga puna me pagesë kryeshefin e Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë (AZHB) Elhami Hajdarin për shkak se nuk kishte pranuar t’i jepte grante gruas së ministrit. Të paktën kështu ishte deklaruar pas shkarkimit kryeshefi tashmë i shkarkuar.

Rikalo akuzonte Hajdarin se po hetohet nga Prokuroria për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, si dhe nuk i përfillte takimet e thirrura nga ai.

“Pezullimi bëhet për shkak të dyshimit lidhur me rastin PP, 467/16, të datës 23.08.2016 në drejtim të veprës penale ‘Kanosje’ për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të ‘Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga Neni 185, paragrafi 1 i KPRK-së. Pezullimi bëhet edhe për shkak të mosbashkëpunimit, moskoordinimit, mosardhjes në takime punuese të ftuara nga kabineti i ministrit dhe moszbatimit të politikave të përbashkëta bujqësore të përcaktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht kabineti i ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, thuhej në vendimin e nxjerrë. Në anën tjetër, Hajdari kishte akuzuar ministrin e dikasterit që përfaqëson Nenad Rikallo se ka marrë vendim ta pezullojë nga puna vetëm pas mospërkrahjes që ia ka bërë ministrit Rikallo për superkontroll të kompanisë “Extra Frut Filings”, kompani kjo e cila dyshohet se ka marrëveshje me kompaninë “Concept Pro”, përfaqësuese e së cilës thuhet të jetë gruaja e ministrit Rikalo, Biljana Rikalo.

Rikalo në fund të muajit prill kishte marrë vendim t’i dërgonte 2 milionë euro në veri të Kosovës për ta mbështetur “një program për investimet në infrastrukturën rurale në sektorin e bujqësisë dhe pylltarisë për komunat veriore”.