Serbia vazhdon ndërtimin e vendbanimit 'Lugina e Diellit'

Ekonomia May 24, 2018 - 08:37
Lexoni më shumë detaje

Zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Dushan Kozarev, ka thënë se Serbia ka vazhduar ta financojë ndërtimin e vendbanimit për 300 familje serbe të Serbisë në Zveçan, ndonëse ndërtimi është ndaluar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ka vazhduar me intensitet të shtuar ndërtimi i vendbanimit për 300 familje serbe të zhvendosura në Serbi në Zveçan, ndonëse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e ka ndaluar ndërtimin për shkak se Komuna e Zveçanit nuk ka paraqitur asnjë nga dokumentet e kërkuara.

Këtë e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Dushan Kozarev, duke raportuar për investimet që Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i ka bërë në Kosovë.

Kozarev ka thënë gjithashtu se Serbia ka arritur t’i ruajë institucionet e veta në Kosovë dhe ato funksionojnë pa pengesa, shkruan më tutje "Zëri".

LEXO EDHE: S’ka barna në spitale, ankohen pacientët

Ai në veçanti ka folur për kthimin e serbëve në Kosovë, me theks të veçantë në veri të vendit, ku është duke u ndërtuar, siç ka thënë ai, vendbanimi më i madh për shumë familje serbe të zhvendosura në Serbi, të cilat do të kthehen në Kosovë.

“E arritura më e madhe është se kemi arritur t’i ruajnë institucionet serbe edhe pavarësisht presioneve të mëdha. E arritur tjetër e madhe është ndërtimi i vendbanimit “Suncana Dolina” (“Lugina e Diellit”) në Zveçan, ku do të ndërtohen 300 shtëpi për 1500 serbë nga Serbia Qendrore, që do të kthehen aty për të jetuar. Ne kemi investuar mjete të mëdha për këtë vendbanim, ndërsa punët janë në përfundim e sipër. Punët nuk janë ndërprerë kurrë dhe se është punuar vazhdimisht. Gjithashtu i kemi ndihmuar 500 familje serbe me mekanizëm bujqësor, kemi ndërtuar dhjetëra objekte të kishave, kemi punuar në mbrojtjen e të drejtave të pronës dhe të drejtat e serbëve, që kanë qenë shënjestër e proceseve politike”, ka thënë Kozarev.

Në anën tjetër, kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë Halit Barani thotë se ndërtimi i të ashtuquajturit vendbanim “Lugina e Diellit” është përpjekje e Serbisë për ta rikolonizuar veriun.

Ai mendon se këtë nuk duhet lejuar shteti i Kosovës.

“Ndërtimi i këtij vendbanimi bëhet me qëllim që Serbia ta rikolonizojë pjesën veriore të vendit. Ata kanë për qëllim t’i vendosin aty familjet serbe nga Serbia, por këtë nuk duhet ta lejojë Qeveria e Kosovës”, ka thënë Barani.

E ndërkaq në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor kanë thënë se ndërtimi i vendbanimit “Lugina e Diellit” është duke u bërë pa leje.

Albena Reshitaj, ministre e MMPH-së, ka sqaruar se Inspektorati i Ministrisë ka kryer mbikëqyrje me procesverbal në Drejtorinë e Urbanizmit në Zveçan, me ç‘rast ka kërkuar nga kjo drejtori që ta prezantojë dokumentacionin teknik rreth ndërtimit në fjalë, por dokumentacioni nuk është paraqitur.

“Drejtoria e Urbanizmit në ditën e inspektimit nuk ka qenë e gatshme të ofrojë dokumentacionin e kërkuar nga Inspektorati i MMPH-së, andaj është urdhëruar që Drejtoria e Urbanizmit të sjellë dokumentacionin e kërkuar në Ministrinë e Mjedisit në afatin e caktuar. Ndonëse as kësaj kërkese Komuna e Zveçanit nuk i është përgjigjur, është shkelur ligji”, ka thënë ministrja Reshitaj, duke shtuar se politikat e Serbisë janë të përfshira drejtpërdrejt edhe në rastin “Lugina e Diellit”.

Zëvendësdrejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Kozarev, ka folur edhe për Ujmanin dhe “Trepçën”. Ai tha se Prishtina është kërcënuar se do t’ia marrë Serbisë “Gazivoden”.

“Ne e mirëmbajmë ‘Gazivoden’, ndonëse shpeshherë ka pasur mundësi të incidenteve potenciale, që ka mundur t’i shkaktojë qëllimisht ana tjetër. Mendoj se në këtë plan dhe me organet e tjera të shtetit kemi arritur t’i tejkalojmë problemet e funksionimit të sistemit elektroenergjetik dhe të strukturës së vet, pendës dhe krejt këtë me investime për mirëmbajtje në vitet e kaluara”, ka thënë Kozarev.

Ai ripërsëriti retorikën tashmë të njohur të politikanëve serbë se “Prishtina është përpjekur ta nacionalizojë gjigantin ekonomik ‘Trepça’, duke e shpallur pronë të veten”.