Ministri Rikalo me biznes në sektorin e bujqësisë (DOKUMENT)

Ekonomia May 24, 2018 - 07:49
Lexoni më shumë detaje

Ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo  prej vitit 2005 e ka të regjistruar një biznes në fushën e bujqësisë, nga i cili ende nuk ka hequr dorë zyrtarisht, ndonëse qe nëntë muaj është emëruar në krye të këtij dikasteri qeveritar. Ai ka qenë bashkëpronar edhe në një biznes tjetër të ngjashëm, por ka hequr dorë nga i njëjti. Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë i kanë thënë “Zërit” se Rikalo  është në proces të dorëheqjes nga biznesi “Future System”.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo , ka një vit që e ka deklaruar zyrtarisht biznesin e tij privat “Future System” në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK).

Ndonëse në kundërshtim me ligjin Rikalo  vazhdon të jetë person i autorizuar në këtë biznes, i cili të gjitha aktivitetet i ka në sektorin e bujqësisë dhe që bie nën domenin e Ministrisë që e udhëheq ai.

Sipas një hulumtimi disajavor të gazetës Zëri, Rikalo  ka qenë bashkëpronar edhe në një biznes tjetër, “FruitLand”, po ashtu në fushën e bujqësisë e ku aktivitet kryesor i këtij biznesi është kultivimi i drithërave.

Megjithatë, nga ky biznes Rikalo së paku zyrtarisht ka hequr dorë.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo  ka konfirmuar se është person i autorizuar në kompaninë “Future System”, por sipas tij, është në proces të largimit nga kompania, derisa për kompaninë tjetër ku ka qenë bashkëpronar nuk ka pranuar të flasë fare.

Rikalo : Jam në proces të largimit nga pronësia

“Në emër të ministrit të MBPZHR-së ju njoftoj se kompania “Future System” është themeluar në vitin 2005 dhe deri në këtë moment fitimi dhe qarkullimi i mjeteve të kompanisë në fjalë është 0.00, që do të thotë se kjo kompani është në gjendje të pushimit ose më thjesht nuk ka funksionuar asnjëherë. Pas parashtrimit të pyetjeve nga ju, ministri Rikalo është interesuar se në çfarë situate ndodhet kompania dhe ka rezultuar që kompania nuk është aktive. Gjithashtu ju njoftoj se ministri Rikalo aktualisht është në procesin e dorëheqjes nga pronësia në këtë kompani”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës për Informim të Ministrisë së Bujqësisë, e cila drejtohet nga Nenad Rikalo .

Ndërsa vetëm pas parashtrimit të pyetjeve ministri thuhet se është në procesin e dorëheqjes nga pronësia në kompani.

Nenad Rikalo  është emëruar ministër i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës në shtator të vitit të kaluar, përkatësisht para rreth 9 muajve, ndërsa tashmë, sipas përgjigjeve zyrtare, ka nisur procedurat për dorëheqje nga pronësia në biznesin privat.

Kundërkorrupsioni: Trajtimi i rasteve është konfidencial

Në vendimet e lëshuara nga Agjencia Kundër Korrupsionit për zyrtarët publikë që gjenden në konflikt interesi vazhdimisht theksohet se zyrtari i lartë shtetëror nuk mund të ushtrojë biznes privat në të njëjtën kohë.

Por, ky vendim ende nuk është adresuar edhe për ministrin e Bujqësisë Nenad Rikalo n.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me drejtorin e AKK-së Shaip Havollin për të kuptuar nëse rasti i ministrit përbën konflikt interesi, mirëpo ai është përgjigjur përgjithësisht, duke thënë se në momentin që personi e merr detyrën zyrtare menaxhimi ose përgjegjësia e biznesit duhet t’i bartet dikujt.

“Në momentin kur e merr detyrën duhet t’ia bartësh menaxhimin, përgjegjësinë dikujt”, ka thënë shkurt përmes telefonit Havolli, i cili ka preferuar të presim përgjigje me shkrim nga institucioni që përfaqëson.

Por, në përgjigjet e marra nga Kundërkorrupsioni nuk është dhënë asnjë përgjigje konkrete për çka janë adresuar pyetjet me pretendimin se procedura e trajtimit të rasteve është konfidenciale.

“Duke iu përgjigjur pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se procedura e trajtimit të rasteve është konfidenciale. Agjencia informatat e marra nga ju do t’i trajtojë me kujdes dhe pas rezultateve përfundimtare, sipas ligjit në fuqi, do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Agjencisë.

Kalaja: Një shkelje e tillë duhet të përfundojë me shkarkim

Pronësia e plotë e zyrtarëve të lartë shtetërorë në ndërmarrje ose në kompani private gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare përbën shkelje të ligjit dhe konflikt faktik të interesit. Kështu po deklaron Fidan Kalaja, nga qendra kosovare për transparencë dhe llogaridhënie “KUND 16”.

Kalaja në një prononcim për “Zërin” ka sqaruar se në bazë ligjore prej 30 ditësh zyrtari i lartë shtetëror duhet të bëjë transferimin e të drejtave për drejtimin ose menaxhimin e ndërmarrjes që ka nën pronësi.

“Pronësia e plotë e zyrtarëve të lartë shtetërorë në ndërmarrje ose në kompani private gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, në ushtrimin e funksionit publik përbën shkelje të ligjit dhe njëherësh edhe konflikt faktik interesi. Rasti i tillë është edhe rasti i ministrit të Ministrisë së Bujqësisë Nenad Rikalo, i cili në formularin e deklarimit të pasurisë së vitit 2017 ka deklaruar se është pronar i një ndërmarrjeje private me pronësi 100%, ku kjo ndërmarrje sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve është aktive”, është shprehur Kalaja.

Sipas Kalajës, një shkelje e tillë nëse do të përfillej baza ligjore do të mundë të përfundonte si kërkesë e Kundërkorrupsionit drejtuar Qeverisë për inicimin e shkarkimit të secilit zyrtar qeveritar që bie ndesh me ligjin.

“Edhe pse i zgjedhur si ministër gati para një viti, asnjë veprim nuk është ndërmarrë as nga ministri e as nga Agjencia Kundër Korrupsionit që të zgjidhet ky problem. Deri më tani nuk kemi njoftim zyrtar nga AKK-ja se ky zyrtar është paralajmëruar se veprimtaria e tij përbën shkelje ligjore, përkatësisht konflikt interesi. Proceduralisht një shkelje e tillë nëse do të respektohej baza ligjore do të mundë të përfundonte edhe si kërkesë e AKK-së drejtuar Qeverisë së Kosovës për inicimin e shkarkimit të secilit zyrtar qeveritar, i cili bie ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik”, ka sqaruar më tutje ai.

Për këtë çështje gazeta “Zëri” po ashtu i ka dërguar pyetje edhe zyrës së kryeprokurorit, por nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ai.

Image