Objektet pa leje nuk mund të legalizohen pa definim të çështjes pronësore

Ekonomia May 23, 2018 - 11:43
Lexo detajet

Objektet pa leje, të cilat nuk e kanë të zgjidhur qartë çështjen e pronësisë nuk mund të marrin dritën "jeshile" për tu legalizuar, raporton “Zëri.info”.

Çështja pronësore e "pazgjidhur", po konsiderohet problematike për legalizimin e ndërtimeve ose objekteve pa leje.

Anëtari i komisionit parlamentar për Bujqësi, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor Liburn Aliu në prezantimin  e punës së projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, tregoi se nuk mund të bëhet legalizimi i objekteve pa qartësim të çështjes pronësore.  

"Po shpresojmë që me këtë ligj, me këto rekomandime që nuk ndryshojnë shumë, procesi i legalizimit do të veproj më mirë. Qytetarët me një kosto të ulët kanë mundësi të bëjnë legalizimin e ndërtimeve. Amendamentet e propozuara i kemi pasur nga Lista Serbe, OSBE dhe zyra e Kuvendit. Nuk mund të bëhet legalizimi i ndërtesave, objektit pa u qartësuar çështja e pronësisë", ka sqaruar mes tjerash Aliu, raporton më tutje “Zëri.info”.

Në anën tjetër, kryetari i komisionit Daut Haradinaj tha se me miratimin e ligjit do të lehtësohet jeta e banorëve, pasi eliminohet burokracia komunale

"Miratimi i këtij ligji do të lehtesoj jetën e banorëve tanë. Ligji i ul taksat administrative, eliminon burokracinë komunale. Ky ligj është i çartë", ka deklaruar Haradinaj

Jashtë rendit të ditës, anëtarët e komisionit votuan projektligjin për kompleksin memorial të Jasharëve./Zëri/