Ekonomistët serbë: 'Trepça' dhe Ujmani kompetencë ekzekutive e 'Zajednicës'

Ekonomia May 22, 2018 - 18:12
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Ekspertë të ekonomisë dhe drejtorë të subjekteve të mëdha ekonomike në veri, në një takim me anëtarët e Ekipit për themelimin e AKS-së, kanë konstatuar se “Trepça” në veri dhe Liqeni i Ujmanit duhet të jenë kompetencë ekzekutive e “Zajednicës” dhe në mbikëqyrje të plotë të saj, raporton "Zëri.info". 

“Kompetencat e fuqishme të ‘Zajednicës’ në fushën e ekonomisë janë parakushte për stabilizimin e funksionimit të Hidroelektranës së Gazivodës (Ujmanit) dhe i të ardhmes së ‘Trepçës’, është vlerësuar të martën në një takim të anëtarëve të ekipit drejtues të AKS-së me drejtorë  të “Trepçës” në veri dhe të Hidroelektranës së Ujmanit, me ekspertë të ekonomisë dhe me përfaqësues të subjekteve më të mëdha eknomike në veri të Kosovës.

Anëtarët e ekipit për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe kanë biseduar të martën me drejtorët e subjekteve më të mëdha ekonomike në veri të Mitrovicës, me ekspertë të ekonomisë dhe me dekanen e Universitetit serb të Prishtinës, selia e të cilit është në veri të Mitrovicës lidhur më krijimin e kushteve për zhvillimin më dinamik të komunave me shumicë serbe.

Ekipi drejtues për AKS-në, në pajtim me faktin se “Zajednica”, sipas “marrëveshjes së arritur në Bruksel do të ketë kompetenca ekzekutive dhe mbikëqyrje të plotë në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, ka dëgjuar propozimet e ekspertëve, duke i vlerësuar ato të dobishme dhe konstruktive. Ata kanë konstatuar se zhvillimi ekonomik pa u penguar, është parakusht i qendrimit dhe mbetjes së popullit serb në Kosovë, raporton më tutje "Zëri.info". 

Në këtë takim janë dhënë propozimet për strukturën e Draft – Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe, në pjesën ku bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik.

Dekania e Fakultetit Ekonomik të Universitetit serb të Prishtinës me seli në veri të Mitrovicës, Tanja Vujoviq ka thenë se autonomia në fushën e zhvillimit ekonomik është përcjellëse e domosdoshme e luftës së serbëve për të drejtat kolektive.

“Një kolektiv, i cili i nënshtrohet presioneve ekonomike nuk mund të jetë efikas të mbojë as të drejtat e veta politike e as të drejtat e njeriut”, ka thenë ajo. Jovan Dimikiq, drejtor i “Trepçës” në veri, i cili vazhdon ta drejtojë “Trepçën” ndonëse i ka kaluar mandati dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka emëruar drejtorin financiar të “Trepçës” në veri dhe zëvendësin e Dimikiqit për të menaxhuar me “Trepçën” në veri deri sa të zgjedhen drejtorët në jug dhe në veri, ka thenë se “Trepça” është dhe do të mbetët pronë e shtetit të Serbisë, duke sqaruar se ajo do të mbetët në kompetenca të “Zajednicës”.

Ai ka thenë gjithashtu se menaxhmenti i “Trepçës” në veri dhe punëtorët nuk e kanë pranuar dhe nuk e njohin Ligjin për “Trepçën”, sipas të cilit 80 për qind e “Trepçës” i kthehen shtetit të Kosovës, ndërsa 20 përqind janë aksione të punëtorëve.

Njejtë sikurse Dimkiq ka thenë edhe drejtori i Hidroelektranës “Gazivode” (Ujmani), Sergjan Vulloviq, i cili është vëlla i kryetarit të Zubin Potokut, Stevan Vulloviq. Kryetari i Zubin Potokut është edhe kryetar paralel i Zubin Potokut, i cili ka thenë se Ujmani mbetët pronë e komunës së Zubin Potokut dhe se do të jetë pjesë e “Zajednicës”, e cila edhe do ta mbikëqyrë plotësisht atë, raporton më tutje "Zëri.info". 

Edhe Beogradi e edhe Prishtina këmbëngulin se Ujmani dhe “Trepça” janë të tyre dhe kjo ka bërë që marrëdhëniet në mes të Prishtinës dhe të Beogradit të përkeqësohen dhe të tensionohen, ndonëse as Ujmani e as “Trepça” nuk kanë qenë asnjëherë temë e bisedimeve në Bruksel.

Ekspertët e ekonomisë në veri të Mitrovicës vlerësojnë se “lufta” më e madhe në mes të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel pikërisht do të bëhet për Ujmanin dhe “Trepçën”, ndërsa këmbëngulin se meqë këto dy subjekte të mëdha ekonomike ndodhen në territorin e komunave veriore, të cilat do të jenë pjesë e “Zajednicës”, duhet patjetër të jenë kompetencë e saj.

Ndryshe, në tetorin e vitit 2016, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për “Trepçën”, me të cilin Qeveria e Kosovës bëhet pronare e 80 për qind të aksioneve, ndërsa nga mesi i këtij muaji është hartuar edhe Statuti i “Trepçës”, sipas këtij ligji, të cilin e kanë kundërshtuar përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës. 

Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës” është duke funksionuar vetëm me 6 anëtarët shqiptarë, ndërsa Serbia nuk ka lejuar që serbët të konkurrojnë për Bordin Mbikëqyrës, ndonëse atyre u takojnë tri vende në Bord.

Prishtina vazhdimisht ka bërë të ditur se asnjëherë nuk do të bisedojë me Beogradin për Liqenin e Ujmanit e as për “Trepçën”, sepse siç kanë thënë vazhdimisht anëtarët e delegacionit të Prishtinës, për prona nuk ka bisedime.

Në anën tjetër anëtarët e delegacionit serb vazhdimisht pohojnë se kanë arritur ta pengojnë Prishtinën që ta “rrëmbejë” Liqenin e Ujmanit. /Zëri/