Komunat mbushen me punëtorë me kontrata të veçanta

Ekonomia May 22, 2018 - 08:27
Lexoni më shumë detaje

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se pjesa dërmuese e komunave të Kosovës janë mbushur me punëtorë me kontrata të veçanta. Vetëm në Komunën e Ferizajt Auditori ka gjetur se 40 punëtorë janë punësuar në këtë formë, derisa në Komunën e Istogut 49 punëtorë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Punësime të shumta pa iu nënshtruar procedurave ligjore të rekrutimit ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për disa komuna të Kosovës gjatë vitit 2017.

Gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Komunën e Istogut Auditori ka gjetur dobësi në angazhimin e stafit sipas marrëveshjeve për shërbime të veçanta, të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

LEXO EDHE: Krasniqi: Thaçi të mos i udhëheqë bisedimet me Serbinë

“Komuna ka angazhuar 49 zyrtarë përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, ku janë identifikuar dobësi si në vijim:  Në 28 raste periudha e angazhimit të zyrtarëve është më e gjatë sesa afati i përcaktuar me rregulla, mbi gjashtë muaj. Në tri raste Komuna nuk ka zbatuar ndonjë procedurë të rekrutimit konform kërkesave ligjore dhe pagesat mujore për këta zyrtarë në asnjë rast nuk kanë të bashkëngjitura dëshmi apo raporte për të verifikuar se janë realizuar apo janë pranuar shërbimet konform kontratës”, thuhet në raportin e Auditorit për Komunën e Ferizajt, shkruan më tutje "Zëri".

Më tutje në raport thuhet se dobësitë e identifikuara mund të rezultojnë me mungesë të mirëfilltë të konkurrencës dhe cilësi të dobët të shërbimeve të ofruara.

LEXO EDHE: 40 mësimdhënës pranohen pa konkurs

Auditori ka konstatuar se në mungesë të kontrolleve Komuna rrezikon rritje të paplanifikuar të këtyre shpenzimeve, që mund të ndikojnë në mosrealizimin e objektivave të tjera të përcaktuara.

“Kryetari duhet të sigurojë se janë marrë masa për ta ndërprerë praktikën e lidhjes së kontratave pa procedura të rekrutimit dhe kohëzgjatja e këtyre marrëveshjeve të bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës. Në rast se ka nevojë për të punësuar shtesë në Komunë (pozita të rregullta) të sigurojnë se në buxhetin e viteve në vijim në kategorinë paga dhe mëditje përfshihen pagat e të gjithë të punësuarve të nevojshëm, si dhe të gjitha pagesat për pagat e tyre të kalojnë përmes sistemit të pagave. Gjithashtu pagesat sipas marrëveshjeve për shërbime të veçanta të realizohen vetëm pasi të sigurohen dëshmi të mjaftueshme për kryerjen e këtyre shërbimeve”, thuhet në raportin e ZKA-së

40 mësues punësohen pa konkurs

Shkelje të kësaj natyre ZKA-ja ka gjetur edhe në Komunën e Ferizajt. Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit të siguruar nga gazeta “Zëri” thuhet se në këtë komunë janë punësuar 40 mësimdhënës pa konkurs (shpallje publike).

“Sipas Ligjit të Punës, Neni 8, punëdhënësi në sektorin publik është i obliguar që të shpallë konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës. Konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar, pa asnjë lloj diskriminimi, ashtu siç parashihet me këtë ligj dhe me aktet e tjera në fuqi. Komuna kishte punësuar 40 mësimdhënës në arsim pa procedura të rekrutimit (pa shpallje publike), duke anashkaluar plotësisht kërkesat ligjore. Punësimi i tyre ishte bërë me vendim të kryetarit, i cili ishte bazuar në rekomandimin e drejtorit të Arsimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Aty më tutje thuhet se punësimi pa procedura të rekrutimit nuk siguron konkurrencë dhe transparencë dhe shton rrezikun për përzgjedhjen e kandidatëve pa shkathtësitë dhe përvojat e duhura profesionale.

Sipas Auditorit, kryetari duhet të sigurojë se janë ndërmarrë veprime të menjëhershme për ta shqyrtuar këtë proces të punësimit, si dhe të sigurojë kontrolle efektive, në mënyrë që proceset e rekrutimit të bëhen në përputhje të plotë me kërkesat e Ligjit të Punës.

Kontrata për shërbime të veçanta përtej afatit ligjor

Po ashtu Zyra Kombëtare e Auditorit gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2017 për Komunën e Gjakovës në disa raste ka hasur në kontrata për shërbime të veçanta përtej afatit ligjor.

Sipas ZKA-së, Komuna kishte angazhuar punonjës me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta dhe në shtatë raste kontratat e tyre kishin zgjatur përtej afatit ligjor prej gjashtë muajve.

“Në mungesë të monitorimit të mjaftueshëm ekziston rreziku që shërbimet të mos përfundohen në përputhje me kushtet e kontraktuara. Vazhdimi i kontratave përtej afatit ligjor bie ndesh me rregullat ligjore. Kryetari duhet të sigurojë se punonjësit përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta të angazhohen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike, si dhe ato të realizohen brenda afatit kohor të përcaktuar me Kornizën Ligjore”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së për Komunën e Gjakovës.