Gjobat e OSHP-së mbesin vetëm në letër

Ekonomia May 21, 2018 - 08:00
Lexoni më shumë detaje

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) nuk ka arritur të arkëtojë asnjë cent të vetëm nga gjobat që ua ka shqiptuar autoriteteve kontraktuese për mosrespektim të vendimeve. Vendimet e lëshuara nga ky institucion duket se po mbesin vetëm në letër. Vetëm gjatë këtij viti OSHP-ja ka shqiptuar dy gjoba për mosrespektim të vendimeve të paneleve shqyrtuese në vlerën e 50 mijë eurove, një ndaj Telekomit të Kosovës (TK) 25 mijë euro dhe një për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe të Tregut (KOSST) në po të njëjtën shumë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Autoritetet kontraktuese nuk po i marrin fare për bazë gjobat që ua ka shqiptuar Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) për mosrespektim të vendimeve të paneleve shqyrtuese.

Këtë e dëshmon edhe fakti se ky institucion nuk po arrin të arkëtojë të hyra prej gjobave të shqiptuara.

LEXO EDHE: Degradimi i Kuvendit në dy mandate

Meqenëse autoritetet kontraktuese nuk po i binden OSHP-së, kjo e fundit ka filluar procedura më rigoroze në ekzekutimin e gjobave përmes përmbaruesit privat, shkruan më tutje "Zëri".

“Organi Shqyrtues i Prokurimit tanimë ka filluar procedurat për ekzekutimin e gjobave përmes institucionit të përmbaruesit privat. Është caktuar seanca për përmbarim të gjobës ndaj Komunës së Dragashit në Gjykatën Themelore në Prizren - Dega Dragash dhe OSHP-ja është në pritje të vendimit, ndërkaq menjëherë pas vendimit do t’i procedojë të gjitha gjobat tjera të shqiptuara ndaj autoriteteve kontraktuese”, thuhet në përgjigjen zyrtare të OSHP-së.

Katër gjoba gjatë vitit 2017

Vetëm gjatë vitit 2017 Organi Shqyrtues i Prokurimit ka shqiptuar katër gjoba: ndaj Telekomit të Kosovës në vlerën e 25 mijë eurove, ndaj Komunës së Dragashit 5 mijë euro, ndaj Komunës së Gjilanit 10 mijë euro, si dhe ndaj Komunës së Prizrenit 5 mijë euro.

Ndërsa, gjatë këtij viti janë shqiptuar vetëm dy gjoba për mosrespektim të vendimeve të paneleve shqyrtuese, ndaj Telekomit të Kosovës, në shumën e 25 mijë eurove dhe po të njëjtën shumë ndaj Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe të Tregut (KOSST).

“Gjatë vitit 2017 OSHP-ja ka shqiptuar katër gjoba për mosrespektim të vendimeve të paneleve shqyrtuese dhe atë një ndaj Telekomit të Kosovës në vlerë prej 25.000.00 €, një ndaj KK Dragash 5.000 euro, një ndaj KK Gjilan prej 10.000.00 eurosh dhe një ndaj KK Prizren në vlerë prej 5.000 €. Gjatë vitit 2018 OSHP-ja gjithashtu ka shqiptuar edhe dy gjoba për mosrespektim të vendimeve të paneleve shqyrtuese, një ndaj KOSTT-it në vlerë prej 25.000.00 eurove dhe një ndaj Telekomit të Kosovës në vlerën prej 25.000.00 eurove”, bëhet e ditur tutje në përgjigje.

Se gjobat e tyre po mbesin vetëm në letër dhe nuk po shkojnë përtej kësaj, në një mënyrë po thonë edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Në një përgjigje me shkrim për “Zërin” thonë se nuk kanë arritur të arkëtojnë as gjatë vitit të kaluar shumën e gjobave të shqiptuara prej vitit 2009.

“Siç dihet, vendimet e OSHP-së janë vendime përfundimtare dhe të ekzekutueshme, mirëpo deri më tani autoritetet kontraktuese nuk na kanë njoftuar lidhur me zbatimin e vendimeve tona në lidhje me gjobat, me arsyetimin se ky institucion i ekzekuton vetëm vendimet e plotfuqishme të gjykatave kompetente e jo edhe ato të organeve administrative, siç është edhe rasti me OSHP-në”, thuhet në përgjigjen zyrtare të institucionit.

Më tej theksohet edhe mosarritja e arkëtimit të shumës nga gjobat e shqiptuara prej vitit 2009. Për këtë arsye, shuma tjetër e gjobave të shqiptuara gjatë viteve 2009, 2010, 2011, 2012, 2013, 2014, 2015, 2016 dhe 2017 nuk është arkëtuar as gjatë vitit 2017”, bëhet e ditur në përgjigjen e tyre dhënë “Zërit”.

Në OSHP kanë treguar se tashmë procedurat për ekzekutimin e gjobave do të realizohen përmes institucionit të përmbaruesit privat.

KOSST: I kemi dërguar OSHP-së kërkesë për rishqyrtim të vendimit

Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe të Tregut (KOSST) figuron në listën e autoritete tjera kontraktuese të gjobitura nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) për mosrespektim të vendimeve të paneleve shqyrtuese.

Por në këtë institucion thonë se pas pranimit të vendimit të OSHP-së i janë drejtuar me një kërkesë për rishqyrtim të vendimit.

Zana Bajrami-Rama, zëdhënëse për informim në KOSST, në një përgjigje me shkrim për “Zërin”, tregon se KOSST-i ka drejtuar këtë kërkesë duke besuar që vendimi i lëshuar nga OSHP-ja është zbatuar në tërësi nga ana e tyre.

“Pas pranimit të vendimit të OSHP-së me nr. 81/18, datë 02.05.2018, të cilit ju i referoheni, KOSTT-i në përputhje me nenet 125-135 të Ligjit Nr. 05/L -031 Për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Kapitulli II – Ankesa, Nënkapitulli-I “Rregullat e Përgjithshme dhe Kushtet e Pranueshmërisë së ankesës”, më datë 08 maj 2018 i ka drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit kërkesë për rishqyrtim të aktit administrativ, përkatësisht vendimit të lartcekur”, thuhet në përgjigjen me shkrim të KOSST-it.

 Më tutje ata thonë se do të veprojnë në bazë të Këshillës Juridike të vendimit të OSHP-së. “KOSTT-i i ka drejtuar OSHP-së shkresën në fjalë duke besuar që vendimi i OSHP-së nr. 386/17, i datës 23.11.2017 dhe urdhëresa nr. 525/18, e datës 08.02.2018, janë zbatuar në tërësi nga ana e KOSTT-it.

Duke u bazuar në përgjigjen e pranuar nga OSHP-ja më datë 10 maj 2018, KOSTT-i sh.a. do të veprojë sipas Këshillës Juridike të vendimit të OSHP-së nr. 81/18, të datës 2 maj 2018”.