Policia rrit shpenzimet për luks, zvogëlon ato për investime kapitale

Ekonomia May 18, 2018 - 07:58
Lexo detajet

Gjatë vitit që lamë pas Policia e Kosovës (PK) ka rritur shpenzimet për mallra dhe për shpenzime për 9 milionë e 167 mijë euro, derisa në anën tjetër buxheti për investime kapitale në raport me vitin paraprak pothuajse ishte përgjysmuar duke u reduktuar në vlerën prej 7 milionë e 821 mijë eurosh, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Policia e Kosovës gjatë vitit që lamë pas thuajse ka përgjysmuar shpenzimet për investime kapitale, derisa në anën tjetër shpenzimet për luks, respektivisht për mallra dhe për shërbime janë rritur për hiç më pak se 9 milionë e 167 mijë euro.

LEXO EDHE: Ministria e Shëndetësisë 'ua dogji' katër paga specializantëve

Në draftraportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilën e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se buxheti final për mallra dhe për shërbime ishte rritur për 9,167,224 euro në raport me atë fillestar.

Sipas ZKA-së, kjo rritje ishte rezultat i rishikimit buxhetor.

“Ky ndryshim kryesisht i përgjigjet vendimit të ministrit për lejim të pagesës së kontestit të humbur në Arbitrazh lidhur me dokumentet e udhëtimit”, thuhet në draftraportin e siguruar, shkruan më tutje "Zëri". 

Aty më tutje po ashtu thuhet se buxheti final për shpenzime komunale ishte reduktuar për 214,700 euro.

Sipas ZKA-së, ky ndryshim ishte rezultat i rishikimit buxhetor ku mjete nga kjo kategori ishin bartur te kategoria e mallrave dhe e shërbimeve

Buxheti për subvencione është rritur për 2.3 milionë euro

Gjithnjë duke u bazuar në draftraportin e siguruar nga gazeta “Zëri” thuhet se buxheti final për subvencione dhe për transferime ishte rritur për 2,338,294 euro në raport me atë fillestar.

Ky ndryshim kishte rezultuar nga procesi i rishikimit buxhetor, transferimet nga kategoria e mallrave dhe e shërbimeve, si dhe pranimi i donacionit të GTZ-së (Gesellschaft für Technische Zusammenarbeit) në vlerë 1,214,393 euro, të cilat ishin alokuar për subvencione, për të financuar planet e biznesit në kuadër të përkrahjes së personave të riintegruar.

“Buxheti final për investimet kapitale në raport me buxhetin fillestar pothuajse ishte përgjysmuar duke u reduktuar në vlerën prej 7,821,205 € si rezultat i procesit të rishikimit buxhetor dhe i vendimeve të ministrit të Financave dhe të Qeverisë. Realizimi në raport me buxhetin final ishte 98%”, thuhet në draftraportin e ZKA-së.

6.6 milionë euro gjoba të paarkëtuara

Në pasqyrat financiare vjetore të konsoliduara të MPB-së nuk ishin shpalosur llogaritë e arkëtueshme të Policisë së Kosovës në vlerë prej 6,656,645 eurosh që kanë të bëjnë me gjobat e paarkëtuara të kundërvajtjeve në trafik, përkatësisht të gjitha tiketat e paarkëtuara deri në vlerën 60 euro, të cilat janë lëshuar përgjatë vitit 2017.

Sipas ZKA-së, MPB-ja nuk kishte arritur që ta identifikojë dhe ta korrigjojë me kohë këtë gabim dhe PFV-të kanë mbetur të pakorrigjuara.

“Po ashtu, duam të tërheqim vëmendjen tuaj për faktin se, për shkak të buxhetimit të gabuar të një numri të caktuar të projekteve kapitale, të cilat në fakt i takojnë natyrës së mallrave dhe të shpenzimeve, në MPB dhe në PK kishte keqklasifikim të shpenzimeve në vlerën prej 985,345 eurosh. Si rrjedhojë ishin mbivlerësuar shpenzimet kapitale dhe ishin nënvlerësuar shpenzimet e mallrave dhe të shërbimeve”, thuhet në raport.

Aty më tutje thuhet se shpenzimet e keqklasifikuara përfshijnë një pagesë të MPB-së në vlerë 448,863 euro për furnizim me uniforma për zjarrfikësit dhe 14 pagesa të PK-së me vlerë të përbashkët prej 536,482 eurosh për furnizim me inventarë, pajisje për shërbimin policor, pajisje të teknologjisë informative dhe mirëmbajtje të softuerit.

Investimet kapitale, sfidë e MPB-së dhe e Policisë

Më tutje në draftraportin e Auditorit të siguruar nga gazeta “Zëri” thuhet se realizimi i buxhetit për investimet kapitale mbetet sfida kryesore me të cilën përballen MPB-ja dhe PK-ja.

“Edhe pse shpenzimi vjetor në raport me buxhetin final ishte 98%, nuk mund të themi se është tregues i performancës së mirë, nëse krahasohet me buxhetin fillestar shpenzimi ishte vetëm 50%. Sipas Ligjit Fillestar të Buxhetit, 52 projekte kapitale kishin qenë të planifikuara, ndërsa vetëm në 37 projekte kishin ndodhur shpenzime. Arsyet për mosrealizimin e projekteve përfshijnë mungesën e kërkesave për inicim të procedurave, vonesat, në inicimin e procedurave të prokurimit në raport me planin, anulime të proceseve të prokurimit, si dhe vonesa në nënshkrim të kontratave si pasojë e procedurave të ankesave dhe të kontesteve në OSHP”, thuhet në raport.

Aty më tutje thuhet se ekzekutimi i dobët i buxhetit për investimet kapitale rezulton me shfrytëzim joefikas të burimeve në dispozicion, si dhe redukton efektivitetin e planeve të shpenzimeve të Ministrisë.

Sipas Auditorit, mospërmbushja e programit për investime kapitale rezulton me më pak projekte të realizuara, si dhe mund të ndikojë në reduktim të buxhetit për vitet e ardhshme.

“Ministri dhe drejtori i përgjithshëm i PK-së duhet të ndërmarrin një vlerësim sistematik të arsyeve për mosrealizimin e projekteve kapitale dhe për nivelin e ulët të shpenzimit të buxhetit në këtë kategori. Për tejkalimin e barrierave eventuale të identifikuara duhet të përcaktohen masa konkrete dhe praktike në mënyrë që ekzekutimi i projekteve kapitale dhe i buxhetit të përmirësohet”, rekomandon Auditori.

Mungesë e planifikimit të të hyrave

E gjetura tjetër në MPB, duke përfshirë agjencitë vartëse që realizojnë të hyra, nuk kishin bërë planifikim/parashikim të vlerës së të hyrave që do të grumbullonin gjatë vitit 2017.

Si rrjedhojë, në pasqyrat financiare vjetore krahasimi i realizimit me planin ka qenë i pamundur.

“Mungesa e një plani për të hyrat vetanake shkakton pamundësinë për të matur performancën e institucionit në grumbullimin e të hyrave. Ministri duhet të sigurojë që të bëhet parashikimi/planifikimi i përafërt i të hyrave në mënyrë që të mundësohet matja e performancës së institucionit”, thuhet më tutje në raport.

S’ka përgjegjësi për moszbatim të rekomandimeve

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit më tutje thuhet se “për shkak të menaxhimit të dobët të procesit dhe të mungesës së monitorimit formal për mënyrën e zbatimit të rekomandimeve të AP-së, vetëm një pjesë e rekomandimeve të vitit të kaluar dhe e atyre të bartura më herët janë zbatuar.

Ne nuk kemi vërejtur se MPB-ja aplikon masa përgjegjësie për moszbatimin e rekomandimeve. Si rrjedhojë kemi çështje të përsëritura edhe këtë vit. Vonesat në zbatimin e rekomandimeve kryesore mund të rezultojnë me dobësi të vazhdueshme, mungesë të efikasitetit dhe me humbje potenciale financiare.

Ministri në bashkëpunim me drejtorët e agjencive duhet të zbatojnë një proces efektiv monitorues të planit për zbatimin e rekomandimeve. Në bazë të rezultateve nga ky monitorim duhet të vlerësohet nëse ky plan është i zbatueshëm, të identifikohen sfidat eventuale që ndikojnë në moszbatimin e rekomandimeve, të propozohen dhe të ndërmerren masa alternative në rast nevoje”, thuhet në draftraportin e siguruar nga gazeta “Zëri”.