Qeveria shpërndanë subvencione për biznese joaktive

Ekonomia May 17, 2018 - 13:39
Lexo detajet

Më tutje në drafraportin e Auditorit për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, të siguruar nga gazeta “Zëri” thuhet se gjatë vitit 2017 nga buxheti i riintegrimit ishin subvencionuar 311 përfitues.

Në periudhën prill-gusht 152 përfitues dhe në periudhën shtator-dhjetor ishin realizuar pagesa për 159 përfitues.

“Ne kemi analizuar raportin e MPB-së dhe pasqyrën e projekteve të financuara për përfituesit e subvencioneve për periudhën prill-gusht. Për këtë periudhë përfituesit kanë qenë të obliguar të ofrojnë dëshmi se mjetet e marra nga MPB-ja i kanë shpenzuar në përputhje me qëllimin e biznesit. Duke u bazuar në monitorimet e realizuara nga ekipi i MPB-së në teren, kemi vërejtur se për ketë periudhë 94 biznese ishin aktive ose 62%, derisa 58 ose 38% ishin biznese joaktive. Gjatë auditimit gjithashtu kemi gjetur se në pagesën për financimin e planit të biznesit në vlerë 3.000 € përfituesi nuk kishte ofruar faturë, që dëshmon se mjetet janë shpenzuar në përputhje me planin e biznesit”, thuhet në raport.

Aty më tutje thuhet se mungesa e dëshmive për mjetet e shfrytëzuara në përputhje me planin e biznesit dhe mungesa e monitorimit të mirëfilltë nga MPB-ja rrit rrezikun që mjetet të mos shfrytëzohen në përputhje me qëllimin e synuar.

Auditori ka rekomanduar se ministri duhet të kërkojë nga personat përgjegjës forcimin e mekanizmave për menaxhim dhe monitorim të subvencioneve, në mënyrë që të merret siguri e arsyeshme që paratë e dhëna si subvencion shfrytëzohen drejt dhe në pajtim me qëllimin e synuar. /Zëri/