Qindra zyrtarë policorë mbajnë pozita në mospërputhje me gradat (DOKUMENT)

Ekonomia May 17, 2018 - 07:44
Lexoni më shumë detaje

Sipas një draftraporti të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se janë hiç më pak se 375 zyrtarë policorë të Kosovës që mbajnë pozita në Policinë e Kosovës në mospërputhje me gradat e fituara. Auditori po ashtu ka gjetur një mal shkeljesh të tjera në institucionet vartëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme

Treqindeshtatëdhjetepesë zyrtarë të Policisë së Kosovës janë duke mbajtur pozita të punës në mospërputhje me gradat që ata i kanë fituar gjatë punës në Policinë e Kosovës.

Me vendim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë kompensimi për këta të punësuar bëhet në bazë të pozitës dhe jo në bazë të gradës që aktualisht e ka arritur i punësuari.

Por ky veprim është në kundërshtim me sistemin e pagave të PK-së, ku koeficienti i pagës bazë për stafin policor përcaktohet në varësi të gradës dhe jo pozitës së punës.

Kjo, por edhe shumë shkelje të tjera janë evidentuar gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) gjatë vitit 2017.

Në draftraportin e auditimit të siguruar nga gazeta Zërithuhet se ushtrimi i gradave të tjera duke mos kaluar nëpër procese të rregullta të gradimit dhe kompensimi sipas pozitave nuk është në përputhje me sistemin e pagave dhe rrit rrezikun që pozitat të menaxhohen nga persona që nuk i plotësojnë kriteret e nevojshme.

Sipas Auditorit, kjo ndikon në rritje të shpenzimeve dhe në dëmtim të buxhetit.

“Ministri dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK) duhet të sigurojnë që sistemimi i stafit policor në pozita të lira të bëhet pas plotësimit të kritereve apo rekrutimit të rregullt brenda PK-së dhe kompensimi i të punësuarve të bëhet në përputhje me gradat dhe me sistemin aktual të aprovuar të pagave”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së për Policinë e Kosovës.

Kontrata mbi vepër për pozita të rregullta të punës

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) po ashtu ka gjetur se, sipas Nenit 12, pika 4 e Ligjit për Shërbimin Civil (LSHC), emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave për shërbime të veçanta, të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

Sipas Auditorit, MPB-ja vazhdon të angazhojë punonjës me marrëveshje për shërbime të veçanta, që angazhohen pa procedura të rregullta të rekrutimit.

“Numri i të angazhuarve në këtë formë gjatë vitit 2017 ishte 13, prej të cilëve nëntë raste i takonin AME-së. Në 9 nga 13 rastet e lartpërmendura ishte tejkaluar kohëzgjatja e lejuar ligjore për angazhim në këtë formë. Angazhimi i punonjësve me kontrata mbi shërbimet e veçanta duke anashkaluar procedurat e rekrutimit minimizon konkurrencën dhe rrit rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara”, thuhet në drafraportin e Auditorit.

Vonesa në ekzekutimin e pagesave

Po ashtu sipas Auditorit, Rregulla Financiare Nr. 01/2013/MF përcakton që të gjitha faturat që i pranon organizata buxhetore duhet të paguhen brenda 30 ditëve në qoftë se nuk është paraparë ndryshe me kontratë.

Por në gjashtë pagesa të testuara nga ZKA-ja në vlerë të përbashkët prej 303.353 eurosh kishte pasur vonesa në pagesë prej pesë deri në 78 ditë, pas afatit 30 ditësh për pagesë.

Sipas ZKA-së, vonesat në ekzekutimin e pagesave rrisin rrezikun për pagesa shtesë të dënimeve apo kamatave eventuale ndaj operatorëve ekonomikë (OE).

Po ashtu sipas ZKA-së, ekziston rreziku për dështimin e pagesave në vitin aktual dhe bartjen e tyre si obligime në vitin pasues.

“Ministri dhe drejtori i përgjithshëm i PK-së duhet të sigurojnë që pagesat të kryhen në pajtim të plotë me afatet e përcaktuara”, thuhet në drafraportin e Auditorit.

Tejkalim i afatit të paraparë për vlerësimin e ofertave

Sipas “Udhëzuesit operativ për prokurimin publik”, përkatësisht Neni 35 i këtij udhëzimi: Procedura për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve do të kryhet nga autoriteti kontraktues brenda periudhës më të shkurtër të mundshme kohore dhe jo më shumë se 30 ditë nga hapja e ofertave.

Sipas Auditorit, vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të justifikuara, në veçanti me kontratat e një natyre komplekse, kjo periudhë mund të zgjatet për një afat shtesë prej 10 ditësh.

“Ne kemi gjetur se te procesi i prokurimit për ‘Furnizim me jelekë antiplumb’ kishte vonesa për përfundimin e vlerësimit mbi tre muaj (vlerësimi i ofertave ka filluar më 14.11.2016 dhe ka përfunduar më datën 21.03.2017).  Sipas dëshmive të ofruara nga Policia, kjo vonesë ka ndodhur në pamundësi të zbatimit të një vendimi të OSHP-së për shkaqe të cilat nuk ishin të varura nga autoriteti kontraktues. Vendimi kishte të bëjë me testimin e pajisjeve të lartcekura”, thuhet në draftraportin e ZKA-së, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”.

Sipas Auditorit, vonesat në përmbylljen e procesit të vlerësimit të ofertave mund të shkaktojnë vonesa në furnizime me artikuj të caktuar, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në aktivitetet operative të PK-së.

Mangësi në zbatimin e procedurave të prokurimit

E gjetura në Agjencinë Kosovare për Siguri Publike (AKSP), Komisioni i vlerësimit të ofertave për aktivitetin e prokurimit “Renovimi i objekteve të AKSP-së” kishte filluar procesin e vlerësimit të ofertave shtatë ditë pas hapjes së ofertave.

Kjo është në kundërshtim me “udhëzuesin operativ për prokurimin publik, Neni 41.2, ku potencohet se procesi i vlerësimit duhet të fillojë më së voni pesë ditë nga hapja e ofertave.

Për më tepër, në kontratën “Furnizim me material ndërtimor dhe konstruktiv” në AKSP nënshkrimi i deklaratës nën betim nga ana e Komisionit të vlerësimit të ofertave ishte bërë katër ditë pas fillimit të procesit të vlerësimit të tenderit.

Sipas Auditorit, vonesat si në vlerësimin e ofertave dhe në nënshkrimin e deklaratave nën betim nga komisioni vlerësues janë në mospërputhje me kërkesat ligjore dhe paraqesin mosrespektim të procedurave.

Edhe në këtë rast ZKA-ja u ka rekomanduar ministrit dhe drejtorit të përgjithshëm të AKSP-së se duhet t’i shtojnë kontrollet te procesi i prokurimit dhe të sigurojnë që të gjitha procedurat dhe afatet ligjore të respektohen me përpikëri.

Parregullsi në pranimin e mallit

Më tutje në drafraportin e Auditorit të siguruar nga gazeta “Zëri” thuhet se në 27 pagesa të testuara, që përfshijnë MPB-në, PK-në dhe AKSP-në (20 në lidhje me mallra dhe shërbime dhe 7 me investimet kapitale), urdhërblerja ishte lëshuar pas pranimit të mallit/shërbimit dhe pas pranimit të faturës, ndërsa në 20 raste zotimi i mjeteve ishte bërë pas pranimit të faturës.

Sipas ZKA-së, kjo është në kundërshtim me procedurat e përgjithshme për procedimin e pagesave që përcaktohen me legjislacionin në fuqi.

“Duke u ndërlidhur me rastet e cekura më lart, në MPB, në kuadër të kontratës ‘Fushatë mediale informuese’ në vlerë 17.818 euro, ishte paraparë edhe realizimi i spotit televiziv kundër terrorizimit, si dhe blerja e hapësirës reklamuese për shfaqjen e këtij spoti në televizione dhe në portale online në vlerën prej 9.794 eurosh. Me kontratë ishte paraparë që shërbimi të kryhet brenda 45 ditëve kalendarike nga data e marrjes së porosisë dhe publikimi të përfundojë më së largu deri më 31.12.2016 (data e skadimit të kontratës). Ky shërbim ishte vonuar dhe publikimi ishte bërë në prill të vitit 2017”, thuhet në drafraportin e ZKA-së.

Po ashtu edhe në pagesën “Furnizim me certifikata për regjistrimin e automjeteve”, në vlerë 27.700 euro, në MPB kishte vonesë në pranimin e mallit për 56 ditë.

Sipas ZKA-së, menaxheri i kontratës kishte shtyrë afatin e liferimit për 30 ditë me arsyetimin se furnizuesi ka pasur avari në depo.

Mirëpo sipas kushteve të veçanta të kontratës furnizuesi mund të kërkojë shtyrje të afatit të liferimit vetëm nëse realizimi i kontratës vonohet për shkaqe të cilat nuk janë gabim i furnizuesit.

Avaria në depo ishte shkaktuar nga gabimi i furnizuesit, pasi që depoja nuk i përmbushte kushtet për ruajtjen e mallit.

Edhe pavarësisht këtij fakti MPB-ja nuk kishte zbatuar ndalesën/penalltinë për vonesë në vlerë prej 900 eurosh.  

Edhe në pagesën “Furnizim me material për zyrë”, në vlerë 57.500 euro, në MPB edhe pse pranimi i mallit ishte bërë në kuadër të afateve të kontraktuara procedimi i urdhërblerjes ishte bërë pas pranimit të faturës dhe pas skadimit të kontratës.

Kontrata kishte skaduar më 12.11.2017, fatura ishte pranuar më 20.12.2017, ndërsa urdhërblerja ishte lëshuar më 21.12.2017.

“Hyrja në obligime pa zotim të mjeteve rezulton në vonesa të zbatimit të kontratave dhe në rritjen e mundshme të obligimeve të papaguara, të cilat bëhen barrë për buxhetin e vitit vijues. Procedimi i urdhërblerjeve me vonesë pamundëson llogaritjen e saktë të ndalesave dhe masave të tjera ndëshkuese të parapara në marrëveshjet kontraktuese, derisa vonesat në liferimin e mallrave mund ta vënë Ministrinë para vështirësive në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve”, thuhet më tutje në draftraportin e ZKA-së.

Subvencione për biznese joaktive

Më tutje në drafraportin e Auditorit të siguruar nga gazeta “Zëri” thuhet se gjatë vitit 2017 nga buxheti i riintegrimit ishin subvencionuar 311 përfitues. Në periudhën prill-gusht 152 përfitues dhe në periudhën shtator-dhjetor ishin realizuar pagesa për 159 përfitues.

“Ne kemi analizuar raportin e MPB-së dhe pasqyrën e projekteve të financuara për përfituesit e subvencioneve për periudhën prill-gusht. Për këtë periudhë përfituesit kanë qenë të obliguar të ofrojnë dëshmi se mjetet e marra nga MPB-ja i kanë shpenzuar në përputhje me qëllimin e biznesit. Duke u bazuar në monitorimet e realizuara nga ekipi i MPB-së në teren, kemi vërejtur se për ketë periudhë 94 biznese ishin aktive ose 62%, derisa 58 ose 38% ishin biznese joaktive. Gjatë auditimit gjithashtu kemi gjetur se në pagesën për financimin e planit të biznesit në vlerë 3.000 € përfituesi nuk kishte ofruar faturë, që dëshmon se mjetet janë shpenzuar në përputhje me planin e biznesit”, thuhet në raport.

Aty më tutje thuhet se mungesa e dëshmive për mjetet e shfrytëzuara në përputhje me planin e biznesit dhe mungesa e monitorimit të mirëfilltë nga MPB-ja rrit rrezikun që mjetet të mos shfrytëzohen në përputhje me qëllimin e synuar.

Auditori ka rekomanduar se ministri duhet të kërkojë nga personat përgjegjës forcimin e mekanizmave për menaxhim dhe monitorim të subvencioneve, në mënyrë që të merret siguri e arsyeshme që paratë e dhëna si subvencion shfrytëzohen drejt dhe në pajtim me qëllimin e synuar.

Automjetet presin me vite për t’u servisuar

Zyra Kombëtare po ashtu ka gjetur parregullsi edhe gjatë menaxhimit me flotën e automjeteve të PK–së, ku bëhet edhe servisimi dhe riparimi i automjeteve vazhdon të jetë i dobët.

Sipas ZKA-së, vonesat në riparimin e automjeteve ishin të stërzgjatura, ku një numër i automjeteve ishte në pritje për servisim nga viti 2016.

“Arsyet e pritjeve kaq të gjata të automjeteve për riparim, sipas zyrtarëve të flotës, ishin: lloje të ndryshme të automjeteve dhe defekte të natyrave të ndryshme (për të cilat kërkohet njohuri adekuate), numër i vogël i personelit, mungesa e pjesëve rezervë, si dhe vjetërsia e automjeteve. Numri i automjeteve që presin për riparim përfshinte 32 automjete nga viti 2016 dhe 77 automjete në vitin 2017. Në lidhje me ketë çështje ne kemi rekomanduar edhe gjatë viteve të kaluara, por nuk janë ndërmarrë masa për përmirësimin e gjendjes”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, dobësitë në menaxhimin e flotës së automjeteve tregojnë se kontrollet e brendshme në këtë fushë ende nuk e kanë arritur nivelin e duhur. Kjo e rrit rrezikun e menaxhimit jo të mirë, zhvlerësimit në pritje të automjeteve dhe humbjes së pjesëve të tyre.

Raportim jo i drejtë i obligimeve të papaguara

Gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Policinë e Kosovës ZKA-ja po ashtu ka gjetur dy fatura në vlerë totale 30.341 € (që i takojnë PK-së) për furnizim me karburant, të cilat nuk ishin raportuar si obligime të papaguara dhe nuk ishin shpalosur në PFV të vitit 2017, edhe pse ato ishin pranuar në muajin qershor dhe në gusht të vitit 2017.

“Mosraportimi i saktë i obligimeve mujore rrit rrezikun që faturat të mos identifikohen dhe të mos paguhen me kohë, në ketë mënyrë Ministria mund të ekspozohet para ndëshkimeve të mundshme nga furnitorët. Ministri në bashkëpunim me drejtorin e PK-së duhet të sigurojnë kontrolle shtesë në raportimin e obligimeve, ashtu që vlerat e sakta të raportohen për periudha kohore, gjendja e obligimeve të përcillet për çdo muaj dhe pagesat të bëhen me kohë”, thuhet më tutje në draftraport.

Avancat e hapura

Sipas ZKA-së, MPB-ja kishte paraqitur në pasqyrat financiare vjetore avance të hapura, të paarsyetuara, në vlerë prej 65.872 eurosh, prej të cilave 50.623 euro ishin avance të hapura, që janë bartur nga vitet paraprake. Pjesa tjetër prej 15.249 eurosh i takon vitit 2017.

Sipas Auditorit, MPB-ja ka bërë përpjekje të vazhdueshme në bashkëpunim me thesarin për mbylljen e këtyre avancave, megjithatë deri në fund të auditimit tonë akoma nuk është arritur asgjë në ketë drejtim.

“Mosmbyllja, arsyetimi i avancave të hapura rrit rrezikun që mjetet e shpenzuara të mos jenë përdorur për qëllimin e paraparë. Ministri duhet të sigurojë që zyrtarët përgjegjës t’i verifikojnë faktet në mënyrë që të gjenden shkaqet dhe të eliminohen dilemat nëse këto janë avance të arsyetuara apo jo. Rrjedhimisht duhet shtuar kujdesi në procesin e menaxhimit të parave të gatshme”, thuhet më tutje në draftraportin e ZKA-së.

Image