Prezantohen mundësitë se si të pajiset Kosova me 'Karton të Gjelbër'

Ekonomia May 16, 2018 - 12:04
Lexo detajet

Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financave po kërkojnë alternativa për sigurimin e Kartonit të Gjelbër, në mënyrë qe mërgimtarët që jetojnë në vendet përendimore mos të jenë të detyruar të paguajnë "Kartonin e gjelbër" sa herë që hyjnë në Kosovë.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti me kërkesë të kryetarit të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhikut prezantoj disa mundësi që do të zgjidhnin këtë problem të kahmotshëm.

Me theks të veçantë u përmend çështja e automjeteve të pasiguruara. Si dhe u kërkua hapja e një zyre në Prishtinë nga Këshilli i Byrove i cili do të bënte shitjen e kartonit të gjelbër, raporton Zëri.Info.

"Ka mbetur vetëm një çështje e brendshme automjetet e pasiguruara. Ka qenë diku më herët rreth 25 për qind e automjeteve të pasiguruara, kjo për qindje ka mundur të vie në 20 për qind. Ne mundemi te marrim modelin e Kroacisë. Duhet vetëm vullnet politik për të zgjidhur këtë çështje.Për këtë çështje këshilli i byrove ta hap një zyrë në Prishtinë dhe ta shes kartonin e gjelbër", tha Mehmeti.

Në anën tjetër kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku e quajti të "turpshme", faktin që diaspora vazhdon të paguaj për "Kartonin e Gjelbër", sa herë hyjnë në Kosovë.

"Këtë vit e kemi vendosur çështje kyçe kartonin. Që 20 vjet pas lufte kosovarët nuk mund të pajisen me kartonin e gjelbër. Ideja ka qenë të japim zgjidhje përmes një takimi konsultativ. Është e turpshme qe diaspora paguan për kartonin e gjelbër sa herë hyjnë në Kosovë", u shpreh Abdixhiku.

Naser Osmani anëtar i komisionit tha se janë te detyruar që për këto probleme janë të detyruar të paguajnë 180 euro për dy javë në Greqi.

"Ne jemi në vitin e katërt që po kërkojmë këtë zgjidhje. Kemi hyrë një proces tjetër. Fjala është edhe për ne këtu që bëjmë shpenzime. Paguajmë 180 euro për dy javë në Greqi për vetura është fjala. Ne nuk kemi kompani të shpedicionit për këto probleme. Tek Kartoni i Gjelbër kam përshtypje që po ngec diku për mungesë të vullnetit", theksoi ndër të tjera Osmani. /Zëri/