Kërkohet rruga që lidh fshatrat e Mitrovicës me ato të Leposaviqit e të Zveçanit

Ekonomia May 16, 2018 - 08:01
Lexo detajet

Banorët e Vllahisë përveç problemeve infrastrukturore në fshatin e tyre rrugën që lidh fshatrat shqiptare që administrohen nga komuna e Zveçanit dhe e Leposaviqit: Vllahi, Zhazhë, Boletin, Bistricë, Koshtovë e Vllahisë dhe Cerajë me Mitrovicën e quajnë strategjike dhe njëkohësisht edhe për banorët e fshatrave të Shalës së Bajgorës, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Fshatrat e komunës së Mitrovicës, në veçanti ato që administrativisht u takojnë komunave Zveçan dhe Leposaviq, kanë ende probleme të mëdha me infrastrukturën rrugore dhe me infrastrukturën tjetër.

Problemin e banorëve të këtyre fshatrave, të cilët hallet e tyre duhet t’i qajnë në Leposaviq dhe në Zveçan e jo në Mitrovicë, e kanë diskutuar banorët e Vllahisë, të cilët kanë kërkuar një rrugë që lidh të gjitha fshatrat shqiptare të asaj pjese, pavarësisht ato që i takojnë Mitrovicës, Zveçanit apo Leposaviqit.

Ata e kanë problem edhe furnizimin me ujë të pijes dhe kanalizimin në fshatra. Banorët e Vllahisë thonë se edhe më tutje ka probleme me rrugët në disa lagje të Vllahisë, ndonëse një rrugë, ajo në lagjen “Hasani”, tashmë ka përfunduar.

Kryetari i fshatit Shasivar Begu ka thënë se përveç ndërtimit të kësaj rruge, por edhe disa të tjerave në fshat, banorët problem kryesor tani kanë sigurimin e ujit për pije, prandaj edhe kërkoj që të vazhdohet më tutje me realizimin e projektit të filluar më parë, por që ka mbetur në gjysmë.

“Projekti i ujësjellësit ka mbetur në gjysmë, përkatësisht ka mbetur pa përfunduar rrjeti shpërndarës në fshat dhe stacioni i pompave. Ne po kemi vështirësi për të siguruar ujë të mjaftueshëm për pije, prandaj do të ishte mirë që ky projekt të përfundojë sa më parë. Edhe përmirësimi i furnizimit me rrymë është prioritet për ne, pasi po kemi telashe dhe dëme të mëdha nga tensioni i ulët dhe ndërprerjet e shpeshta të rrymës për shkak të vjetërsimit të rrjetit të rrymës”, tha ai.

Begu tha se në interes të banorëve shqiptarë do të ishte edhe ndërtimi i rrugëve strategjike Vllahi – Zhazhë –Boletin – Mitrovicë, që kalon nëpër territorin e komunës së Zveçanit, të administruar nga serbët dhe asaj Vllahi - Bistricë - Koshtovë e Vllahisë dhe Cerajë, fshatra këto të banuara vetëm me shqiptarë, por që i takojnë komunës së Leposaviqit, e cila administrohet po ashtu nga serbët.

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri tha se qytetarët duhet të kenë besim te institucioni i komunës dhe të jenë të gatshëm për ta mirëkuptuar situatën e përgjithshme në komunë. Ai siguroi se do të bëjë përpjekje maksimale që të gjitha kërkesat të realizohen, por që kjo duhet të bëhet sipas përcaktimit të prioriteteve nga vetë banorët.

“Edhe gjatë këtij mandati do të vazhdoj prioriteti kryesor: zhvillimi i rajonit të Shalës së Bajgorës, që i takon edhe Vllahia. Dua të ju them se rruga që nisi të ndërtohet sivjet do të punohet vetëm deri në shtrimin e saj me zhavorr, ndërsa që asfaltimi do të bëhet me siguri në vitin e ardhshëm, kur do të përfundojë projekti i ujësjellësit dhe ata më nuk do ta kenë problem ujin për pije. Por që situata e furnizimit me ujë të përmirësohet sadopak në Vllahi sivjet do të hapen katër bunarë, aty ku vetë banorët do të përcaktohen”, tha kryetari Bahtiri.

Ndërsa sa u përket kërkesave për lidhjen e Vllahisë me fshatrat shqiptare që i takojnë komunës së Zveçanit dhe asaj të Leposaviqit e që është me interes kombëtar dhe strategjik, sidomos për banorët shqiptarë që jetojnë në komunat e lartpërmendura, kryetari Bahtiri tha se i mbështet plotësisht kërkesat.

“Ndërtimi i atyre rrugëve është me rëndësi të jashtëzakonshme, por ato janë projekte që kushtojnë shumë dhe që aktualisht komuna nuk mund t’i ndërtojë. Mirëpo do të bisedojmë me institucionet qendrore për mundësinë e realizimit të këtyre rrugëve dhe jam i bindur se në një të ardhme të afërt kjo edhe mund të bëhet realitet”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Në anën tjetër, banorët e Zhabarit edhe më tutje problemin më të madh e kanë me kanalizimin, pasi që ujërat e zeza kalojnë nëpër pronat e tyre, sepse në mungesë të kanalizimit nga derdhja e ujit tepricë nga kanali “Ibër Lepenci” derdhen në pronat e banorëve të Zhabarit. 

Kërkesës së banorëve të Zhabarit që komunarët ta shohin gjendjen nga afër i është përgjigjur nënkryetari Faruk Mujka. Mujka tha se ky problem i banorëve të Zhabarit duhet të zgjidhet menjëherë dhe në tërësi, jo pjesë-pjesë.

“Ky problem ka qenë prioritet për komunën edhe në vitin 2015, kur është bërë gati projekti. Projekti ishte paraparë të realizohet nga mjetet që do të merreshin nga një kredi afatgjate nga Austria. Mirëpo procedurat janë tejzgjatur, andaj kredia ende nuk është realizuar dhe nuk ka ndonjë datë të saktë se kur kjo do të ndodhë, kështu që edhe projekti nuk ka mundur të fillojë së realizuari”, tha ai.

Nënkryetari Mujka garantoi se nëse me kredinë nga Austria nuk shkon çdo gjë në rregull, atëherë Komuna do të ndërmarrë hapa të tjerë për zgjidhjen e problemit.

“Do ta shikojmë mundësinë e gjetjes së mjeteve përmes rrugëve të tjera, në mënyrë që problemi të tejkalohet dhe ata banorë të mos kenë telashe. Sigurisht se kjo për këtë vit është vështirë të realizohet, por në të ardhmen gjithsesi se do të bëhet”, tha nënkryetari Mujka.