Posta kërkon mbylljen e zyrave në komunat e pakicave që punojnë me humbje

Ekonomia May 15, 2018 - 17:16
Lexo detajet

Posta e Kosovës i ka dërguar letër kryeministrit, prej ku i kërkon që të mbyllen 11 Zyra postare në komunat ku banojnë minoritetet, pasi nuk sjellin asnjë fitim pos që rëndojnë barrën Postës që gjendet në kushte të vështira financiare.

Drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, i ka dërguar letër kryeministrit Ramush Haradinaj ku e ka njoftuar se 11 zyra postare që operojnë në pjesët e banuara nga minoritetet funksionojnë me humbje.

Gjendjes së rëndë financiare që së fundmi ka prekur kompanitë publike, nuk i ka shpëtuar as Posta e Kosovës. Edhe kjo kompani i është drejtuar kryeministrit për t’i gjetur zgjidhje pikave që për vite të tëra operojnë pa asnjë profit.

Në letrën që ka siguruar Express thuhet se këto zyra për një kohë të gjatë operojnë me humbje, mirëpo rëndimi i gjendjes financiare të Postës së Kosovës, ka shtyrë bordin e kompanisë që vetëm tash ta  konsiderojë mbylljen e tërësishme të tyre.

Megjithatë, në qoftë se Qeveria vendos t’i subvencionojë këto zyra, atëherë ato mund ta vazhdojnë punën e tyre.