Drejtorët e Ministrisë së Bujqësisë nuk komunikojnë mes vete

Ekonomia May 15, 2018 - 08:31
Lexoni më shumë detaje

Tenderi për dezinfektimin e zonave të prekura nga rriqrat në komunën e Malishevës ka nxjerrë në pah mungesën totale të komunikimit në mes të drejtorëve të kësaj ministrie, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në e-mailet e siguruara nga gazeta Zëri shihet se drejtorët në këtë ministri i ankohen njeri-tjetrit me mungesë të komunikimeve.

Madje ata nxjerrin në pah se takime mes tyre nuk ka pasur me vite të tëra.

LEXO EDHE: Dyshime për keqpërdorime në tenderin milionësh për mbytjen e rriqrave

Për këtë qëllim të enjten e javës që lamë pas ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo, ka suspenduar nga puna drejtorin e Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë Elhami Hajdarin, pasi ky i fundi sipas ministrit nuk ka shkuar në takimet e thirrura nga ai.  

Por, një ditë pas shkarkimit Hajdari ka publikuar dokumente të shumta e të cilat sipas tij dëshmojnë se shkarkimi i tij nuk lidhet me mungesën e bashkëpunimit, por për shkak të mosnënshtrimit. Hajdaraj thotë të ketë refuzuar t’i japë grant kompanisë së gruas së ministrit Rikallo.

LEXO EDHE: Punët 'e padukshme' të zëvendësministrave

Burime të besueshme brenda Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) i kanë siguruar gazetës Zëridëshmi të bisedave zyrtare në mes të tre drejtorëve të departamenteve të ndryshme në lidhje me tenderin “Dezinfektimi i hapësirave të ekspozuara për ethet hemorragjike, Krime-Kongo në fshatrat e komunës së Malishevës”, ku theksohet mungesa e komunikimit mes drejtorëve të departamenteve në këtë institucion.
 

Shefi i Divizionit të Departamentit për Mbrojtjen e Bimëve në MBPZHR, Adem Arifaj, në e-mailet të cilat i disponon gazeta shpreh pakënaqësitë e tij dhe vërejtjet në lidhje me njoftimin për kontratë për tenderin “Dezinfektimi i hapësirave të ekspozuara për ethet hemorragjike në Malishevë”, për të cilin kërkon edhe përmirësim.

“Vërejtjet e mia janë te pika e tretë, kapacitetet teknike dhe profesionale, sepse po kërkohet numër i madh i stafit teknik epidemiolog, 1-2 teknikë sanitarë, 1 kaibrator, 2 punëtorë të trajnuar për kontrollin e insekteve që dëmtojnë shëndetin publik. Te lista e pajisjeve shumë e pakuptimtë. 1 gjenerator multifunksional elektrostatik për çka. 4 fumigantë dore apo të montuar në kamionët për spërkatje, të cilët aplikohen për spërkatje të ajrit e jo për rriqrat, sepse rriqrat janë në tokë. Mungojnë stërpikëset ngjitëse me krahë në traktor me gjerësi kapëse 8-10 metra dhe spërkatja e sipërfaqeve me shkurre mbi dhe nën rrugë me aparate të posaçme. Do të ishte mirë që njoftimi për kontratë të përmirësohet”, thuhet në shqetësimin e Arifajt.

Por, për këto dyshime shefi i Divizionit të Prokurimit në këtë institucion, Artan Jaha, thotë se është dashur të jepen me kohë.

“Faleminderit për vërejtjet tua, mund të jenë me vend apo pa vend, unë nuk e di, por këto vërejtje është dashur t’i jepni me kohë, sepse kërkesa ka ardhur nga departamenti juaj dhe ju e dini se unë nuk jam ekspert i të gjitha fushave për të ditur çka duhet e çka jo, mu ashtu siç më ka ardhur kërkesa e kam proceduar, andaj konsideroj se vërejtjet tuaja po i jepni me shumë vonesë”, thuhet në e-mailin tjetër të siguruar.

Arifaj: Në departamentin tonë nuk ka komunikim, s’kemi mbajtur takim dy vjet

Mungesën e komunikimit në Departamentin për Mbrojtjen e Bimëve në Ministrinë e Bujqësisë e zbulon shefi i Divizionit në këtë departament Adem Arifaj, i cili në e-mailin që e disponon gazeta thotë se nuk kanë komunikim të brendshëm dhe nuk kanë mbajtur takime informuese gati për dy vjet.

“Pajtohem me ju z. Jaha, por ju nuk e dini se në departamentin tonë nuk ka komunikim të brendshëm dhe ne për dy vjet gati nuk kemi mbajtur asnjë takim informues në departament dhe kjo është rrjedhojë e kësaj, por vërtet kriteret janë të pakuptimta ose përshtatje dikujt me qëllim të caktuar, sepse nga përvoja ime një proces i tillë me ato pamje nuk mund të realizohet”, thuhet në e-mailin të cilin e ka siguruar gazeta.

Por, Arifaj ndryshe shprehet në pyetjet e gazetës nëse mungesa e tillë e komunikimit është e vërtetë.

Ai thotë se nuk ka informacione për këto biseda.

“E nderuar, nuk e di prej nga këto informacione për raportet tona brenda Departamentit dhe raportet me persona të cekur, sa u përket këtyre informacioneve unë nuk jam në dijeni”, thuhet në përgjigjen e Arifajt dhënë për gazetën “Zëri”.

Të njëjtin komunikim e komenton edhe drejtori i Politikave Bujqësore dhe Tregtisë Isuf Cikaqi, i cili përfshihet në këto biseda.

“Pjesa tjetër e e-mailit, që ka të bëjë me komunikim ose jokomunikim të brendshëm brenda departamentit tim që e udhëheq dhe se a ka informim të drejtë dhe të rregullt mendoj se për ty z. Jaha është e parëndësishme dhe vetëm ngarkesë. Normalisht që kjo çështje më takon mua si drejtor i DPBT-së të sqaroj detajisht dhe të shpjegoj te menaxherët e mi dhe te z. Arifaj”, thuhet në e-mailin e siguruar nga gazeta, ku figuron emri i Cikaqit.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar Cikaqin dhe i ka përcjellë pyetjet me shkrim në e-mailin zyrtar.

Cikaqi ka preferuar të përgjigjet me e-mail zyrtar, mirëpo gazeta nuk ka marrë ende përgjigje prej tij, pavarësisht interesimit.

Jaha: Edhe në familje dikush e ka me dikë më mirë, me dikë më keq

Shefi i Divizionit të Prokurimit, Artan Jaha, thotë se deri më tani ka qenë i vetëm në departamentin e tij dhe nuk ka pasur me kë të komunikojë.

Derisa përmes një krahasimi thekson mundësinë se edhe në familje njerëzit kanë me dikë komunikim më të mirë e me dikë më të keq.

“Unë deri tash kam qenë i vetëm dhe nuk kam pasur me kë të komunikoj, veç të komunikoj me mur. Nuk e di për çka e keni fjalën. Me siguri e dini se departamentet janë të ndara. Qëndrimi është se brenda MBPHR-së ka komunikim të mirë, të sinqertë e korrekt të departamenteve të Ministrisë së Bujqësisë, ka komunikim jashtëzakonisht të mirë, korrekt dhe të sinqertë në mes të gjithë kolegëve dhe sa më bashkëpunues. Janë raportet javore, janë komunikimet ditore në mes të zyrtarëve të ndryshëm dhe nuk e di për çka e keni fjalën”, ka thënë Jaha në një prononcim për “Zërin”.

Më tutje ai thekson se i përgjigjet vetëm sekretarit dhe asnjë drejtori të departamenteve të tjera.

Për të cilat komunikime thekson se janë të shëndosha, korrekte dhe shumë të sinqerta,

“Unë nuk e di çfarë informatash ke, por informatat dhe komunikimet i kemi të përditshme mes kolegëve, pa asnjë rezervë. Për çdo shqetësim dhe çdo sqarim që kemi nevojë njëri për tjetrin vetëm mundet të ndikojë koha derisa të bëhemi bashkë. Nëse njëri mundet me qenë në një takim ose tjetri, përndryshe komunikimi është shumë normal. Ndërsa sa kam unë informacione në aspekt të njerëzve, në familje mundet me qenë dikush që më dikë e ka më mirë dhe me dikë e ka pak më keq. Ajo është krejt normale”, ka shtuar më tutje ai.

Jaha duke iu referuar komunikimit dhe zinxhirit të hierarkisë thotë se ai i përgjigjet vetëm sekretarit në bazë të pozitës që ka si shef i Divizionit të Prokurimit.

“Për sa i përket komunikimit dhe zinxhirit të hierarkisë nuk e di, sepse unë jam shef i Divizionit të Prokurimit, unë i përgjigjem sekretarit dhe nuk i përgjigjem asnjë drejtori tjetër. Komunikimet në mes të të gjithë drejtorëve në MBPHR mes sekretarit dhe anasjelltas janë shumë të shëndosha dhe të sinqerta”, ka përfunduar ai.

MBPZHR: Komunikimet kryhen në baza ditore e javore, sipas nevojës

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) i mohojnë pretendimet e ngritura, të cilat i ka siguruar gazeta nga burime të besueshme brenda këtij institucioni.

“Drejtori i DPBT-së, z. Isuf Cikaqi, ka qenë ai i cili ka parashtruar kërkesën për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e projektit, i cili ka për qëllim dezinfektimin e hapësirave të ekspozuara nga ethet hemorragjike, Krime-Kongo në fshatrat e komunës së Malishevës. Ju njoftoj se z. Cikaqi gjithashtu ka qenë edhe kryetar i Komisionit për vlerësimin e ofertave, pikërisht për shkak të profesionalizmit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ndërsa më tutje theksohet se komunikimi i brendshëm mes ministrit, sekretarit të përgjithshëm dhe drejtorëve brenda institucionit vazhdon të jetë në rregull.

“Komunikimi i brendshëm mes ministrit të MBPZHR-së, sekretarit të përgjithshëm, si dhe drejtorëve brenda institucionit tonë vazhdon të jetë në rregull dhe këto takime kryhen në baza të rregullta ditore/javore, si dhe në bazë të nevojave të secilës palë”, thuhet më tutje në përgjigjen e këtij institucioni.