Kryeshefi i suspenduar akuzon ministrin për presion

Ekonomia May 11, 2018 - 07:53
Lexo detajet

Elhami Hajdari, kryeshef në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në MBPZHR, të enjten u pezullua nga puna me një vendim të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Nenand Rikallo, me të cilin Hajdari akuzohej se ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe nuk ka përfillur takimet e punës të organizuara nga kabineti i ministrit. Ky vendim duket se do të mbesë vetëm në “letër”, pasi  kryeshefi i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë po shprehet i bindur se nuk do ta respektojë vendimin për pezullimin e punës me pagesë, duke e konsideruar si të paligjshëm, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Kryeshefi në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Elhami Hajdari, ka akuzuar ministrin e dikasterit që përfaqëson, Nenand Rikallo, se ka marrë vendim që ta pezullojë nga puna me pagesë, pas mospërkrahjes që thotë se ia ka bërë ministrit Rikallo për superkontroll të kompanisë “Extra Frut Filings”, kompani kjo e cila dyshohet se ka marrëveshje me kompaninë “Concept Pro”, përfaqësuese e së cilës thuhet të jetë gruaja e ministrit Rikalo, Biljana Rikalo.

LEXO EDHE: Pezullohet nga puna Elhami Hajdari, kryeshef i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (DOKUMENT)

Hajdari në një prononcim për “Zërin” ka ofruar dëshmi se kjo kompani ka qenë përfituese për projekte të zhvillimit rural në vitin 2015, por i ka kaluar të gjitha afatet kohore për implementimin e projektit të bazuar në programin, në udhëzimin administrativ dhe në kontratën e kësaj kompanie.

Sipas tij, kompanisë i është kërkuar kthimi i mjeteve avans të dhëna më herët, por për moskthim brenda afateve ligjore e njëjta është proceduar në gjykatë.

“Ky vendim i ministrit Rikalo vjen pas mospërkrahjes së kompanisë ‘Extra Frut Filings’, që ka marrëveshje me gruan e Rikalos, ‘Concept Pro’, ku përfaqësuese është gruaja e Rikalos, Biljana Rikalo, kompani e cila ka qenë përfituese për projekte të zhvillimit rural në vitin 2015, por që kompania i ka kaluar të gjitha afatet kohore për implementimin e projektit dhe duke u bazuar në programin, në udhëzimin administrativ dhe në kontratën kësaj kompanie i është kërkuar kthimi i mjeteve avans të dhëna më herët dhe për moskthim brenda afateve ligjore është proceduar në Gjykatë”, ka shpjeguar ai.

Më tutje, Hajdari ka sqaruar se aplikuesit dhe përfituesit në këto projekte kanë afat 12 muaj për zbatimin e projektit, i cili mund edhe të zgjatet për më shumë se dy muaj nëse ka arsye të forta të ligjit, por kompania në fjalë thotë se i ka kaluar të gjithë afatet ligjore.

“Në bazë të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2015 dhe Udhëzimit Administrativ 01/2015 për Masat dhe Kriteret e Përkrahjes për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, të cilat janë hartuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, aplikuesit/përfituesit e mundshëm të projekteve të zhvillimit rural, pasi kanë nënshkruar kontratën me AZHB-në, aplikuesit/përfituesit e mundshëm kanë kohë 12 muaj për zbatimin e projektit”, ka thënë kryeshefi.

Hajdari: Rikallo më ka bërë presion që të bëhet pagesa për kompaninë që shkeli ligjin

Kryeshefi i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në MBPZHR, Elhami Hajdari, ka thënë se ka pasur presion të vazhdueshëm nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Nenand Rikallo që ta ekzekutojë pagesën për kompaninë “Extra Frut Filing”, lënda e së cilës gjendet në Gjykatë e vlera e projektit arrin në 400.000.00 euro.

“Vendimi i marrë nga ministri Rikalo për superkontroll të kompanisë ‘Extra Frut Filings’, pavarësisht informimit që ia kam bërë e për të cilat kam dëshmi e-mailin e dërguar muaj më parë,  ministri ka bërë presion që të bëhet pagesa për ‘Extra Frut Filings’, ku lënda për këtë kompani është në Gjykatë dhe nuk kemi asnjë bazë ligjore për të bërë pagesë, pasi kanë kaluar të gjitha afatet kohore ligjore e vlera e këtij projekti është afër 400.000.00 euro”, është shprehur Hajdari.

Hajdari në vendimin e ministrit Rikallo akuzohej edhe për ‘Keqpërdorim të detyrës zyrtare’, që e hedh poshtë.

Ai ka thënë se nuk ka asnjë procedurë penale të konfirmuar nga organet e drejtësisë. Ndërsa është shprehur i bindur se nuk do ta respektojë vendimin për pezullimin e punës me pagesë, pasi siç thotë ai, vendimin e ka të nënshkruar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Në vendim Hajdari akuzohej se po pezullohej për shkak të mosbashkëpunimi, moskoordinimit, mosardhjes në takime punuese të ftuara nga kabineti i ministrit dhe moszbatim të politikave të përbashkëta bujqësore të përcaktuara nga Qeveria, përkatësisht nga kabineti i ministrit.

Kryeshefi në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë (AZHB) ka thënë se i ka bërë vazhdimisht raportimet javore.

“Raportimet javore i kam bërë, kjo dëshmohet edhe me raportet të cilat janë edhe në e-mail dhe në arkivin elektronik e po ashtu u jam përgjigjur të gjitha takimeve të thirrura nga ministri”.

Këto nuk duket të jenë shkeljet e vetme, Hajdari thotë se ka keqpërdorime të vlerave milionëshe për Masën Speciale për Veri dhe Masën për Zhvillim Rural.

“Ka edhe keqpërdorime të tjera, si ajo në rastin për Masën Speciale për Veri në vlerë prej 2.000.000.00 € dhe Masën për Zhvillim Rural me buxhet prej 5.000.000.00 €, të cilat programe i kanë hartuar vetë dhe në anën tjetër vetë edhe janë implementues të programit, gjë që është në kundërshtim me Ligjin Nr. 03/L-098 dhe Nr. 04/L-090”.

Hesht Rikallo

Për dyshimet e ngritura për “Keqpërdorim” nuk ka pranuar të flasë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenand Rikalo. “Zëri” ka kontaktuar disa herë ministrin Rikallo, por kontakti nuk ka qenë i mundur, pavarësisht kësaj i janë përcjellë edhe pyetjet me shkrim, për të cilat nuk është marrë përgjigje.

Pavarësisht tentimeve të vazhdueshme nuk është siguruar ende ndonjë dëshmi se Hajdari është duke u hetuar nga autoritetet e drejtësisë për veprën penale, siç i referohet ministri i Bujqësisë.

“Gazeta është në pritje të përgjigjeve nga Prokuroria e Shtetit nëse Hajdari po hetohet për veprën penale, siç po i referohet vendimi. Në vendimin e siguruar nga “Zëri” thuhet se Elhami Hajdari do të pezullohet nga puna me pagesë nga 8 maji deri në marrjen e një vendimi tjetër. Ndërsa më poshtë jepen arsye të ndryshme për këtë vendim.

“Pezullimi bëhet për shkak të dyshimit lidhur me rastin PP, 467/16, të datës 23.08.2016 në drejtim të veprës penale ‘Kanosje’, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të ‘Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga Neni 185, paragrafi 1, i KPRK-së. Pezullimi bëhet edhe për shkak të mosbashkëpunimit, moskoordinimit, mosardhjes në takime punuese të ftuara nga kabineti i ministrit dhe moszbatimit të politikave të përbashkëta bujqësore të përcaktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht kabineti i ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, thuhet në vendimin e nxjerrë.