Kushtetuesja në fazën e shqyrtimit të vendimit për rritje të pagave

Ekonomia May 10, 2018 - 08:04
Lexoni më shumë detaje

Kanë kaluar tre muaj prejse 27 deputetë të Kuvendit të Kosovës hodhën nënshkrimet e tyre duke vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e vendimin për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë politikë në Qeverinë e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Albulena Haxhiu, nga radhët e Vetëvendosjes, në emër të 27 deputetëve të partisë që përfaqëson në janar e dorëzoi në Kushtetuese vendimin, me të cilën kërkohej masë e përkohshme e pezullimit të vendimit për pagat deri në vendim të Gjykatës.

Pjesë e kësaj nisme ishin edhe tre deputetë të Grupit Parlamentar të LDK-së, Vjosa Osmani, Ilir Deda dhe Korab Sejdiu, shkruan më tutje "Zëri".

Por, ndonëse ka kaluar afati i caktuar ligjor prej 60 ditësh, në Gjykatën Kushtetuese ende nuk kanë marrë ndonjë vendim lidhur me rastin, me pretendimin se kohëzgjatja e vendimmarrjes së Gjykatës në kërkesat e parashtruara nuk varet nga koha e parashtrimit, por nga kompleksi i rastit dhe përmbajtja e lëndës siç thonë ata.

LEXO EDHE: Serbia po e bllokon procesin e dialogut

Veton Dulaj, zëdhënës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në një përgjigje me shkrim për gazetën Zëri, ka thënë se kohëzgjatja e vendimmarrjes së Gjykatës nuk varet nga koha e parashtrimit, por nga kompleksi i rastit.

“Kjo lëndë është ende në fazën e shqyrtimit dhe Gjykata nuk ka marrë vendim. Kohëzgjatja e vendimmarrjes së Gjykatës në kërkesat e parashtruara nuk varet medoemos nga koha e parashtrimit të tyre, por nga kompleksi i rastit dhe përmbajtja e lëndës që duhet trajtuar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Gjykatës.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila edhe e dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e kryeministrit Haradinaj për ngritje pagash, po shprehet e bindur se lënda po “zvarritet” për shkak të presioneve që pretendon se Qeveria ka ushtruar mbi këtë institucion.

“Unë kam bërë thirrje edhe më parë që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë më shpejt këtë lëndë, të nxjerrë aktgjykimin në lidhje me këtë lëndë për faktin se vetë vonesa në trajtimin e kësaj lënde shton presionet qoftë nga Qeveria ose nga individët, të cilët e duan zbatimin e këtij vendimi të paligjshëm. Prandaj për t’i shmangur presionet unë jam e bindur se ka pasur presione mbi Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria”, ka thënë në një prononcim për “Zërin” Haxhiu.

Dorëzuesja e kësaj kërkese thotë se mbetet e çuditur si nuk ka ende ndonjë vendim nga Gjykata lidhur me çështjen e parashtruar.

“Natyrisht se kjo vonesë është e paarsyeshme, për faktin se Gjykata është ngutur jashtëzakonisht shumë për të dhënë verdiktin ose aktgjykimin për Demarkacionin, e cila është një çështje më e ndërlikuar dhe që do më shumë kohë për ta trajtuar, e në anën tjetër po vonon vendimin sa i përket çështjes së pagave. Të gjitha argumentet ligjore janë të qarta dhe unë besoj që Gjykata Kushtetuese këto i di. Unë kam pritur që Gjykata Kushtetuese në një afat më të shkurtër do ta trajtojë këtë çështje, nuk është çështje e komplikuar që do trajtim më shumë se dy muaj siç po ndodh aktualisht”, ka theksuar ndër të tjera ajo.

Deklarimet e Haxhiut se Qeveria ka pasur “gisht” në zvarritjen e lëndës së Kushtetueses, i kanë mohuar në zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Donjeta Gashi, shefe e kabinetit të zyrës së kryeministrit, në një përgjigje me shkrim për “Zërin” ka thënë se Qeveria dhe kryeministri kanë pezulluar vendimin për rritjen e pagave për t’i krijuar rrethana pa presione Gjykatës, në mënyrë që të gjykojë në mënyrë profesionale këtë vendim.

“Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Ramush Haradinaj e kanë pezulluar vendimin për rritjen e pagave për t’i krijuar rrethana pa presione Gjykatës për ta gjykuar në mënyrë profesionale rastin e pagave. Qeveria e Kosovës së këndejmi nuk ka ushtruar kurrfarë presioni te kjo Gjykatë dhe pretendimet e tilla janë thjesht të paqëndrueshme, të kujtdo qofshin ato”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrës së kryeministrit.

Vonesat e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë rast i kanë komentuar edhe njohës të çështjeve ekonomike në vend, të cilët po pretendojnë se Gjykata në bazë të procedurave ligjore duhet të vendosë brenda 3 muajve për kërkesat në procedura që nuk specifikohet afat më i shkurtër i vendimmarrjes.

Durim Berisha, njohës i çështjeve kushtetuese në vend, duke sqaruar procedurat ligjore thotë se ekziston një mospërputhje në mes bazës ligjore dhe qëndrimeve të saj.

“Nga hulumtimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese mund të arrijmë në përfundim se ekziston një mospërputhje mes bazës ligjore dhe qëndrimeve të saj. Edhe në përgjigjet zyrtare të Gjykatës në lidhje me pyetjet e parashtruara rreth procedimit të kërkesës në rastin konkret, ajo është përgjigjur se nuk ka afate që përcaktojnë se deri kur duhet të merret vendimi”, ka shpjeguar Berisha.