Institucioni që shpenzon para për udhëtimet e anuluara të zyrtarëve

Ekonomia May 09, 2018 - 14:49
Detajet

Në Organin Shqyrtues të Prokurimit, shpenzohen para për të paguar biletat e udhëtimeve të zyrtarëve, të cilat anulohen në momentin e fundit përkundër konfirmimit të pjesëmarrjes në agjendë të zyrtarëve dhe rezervimit të biletës. Kjo gjetje është bërë nga Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin vjetor të institucionit që ka hetuar.

Zyra Kombëtare e Auditimit, gjatë monitorimit të punës së këtij institucioni, ka gjetur se është paguar bileta në vlerë prej 394 eurosh, për një zyrtare e cila planifikonte udhëtim zyrtar në Slloveni, ndonëse në momentin e fundit asaj i është anuluar udhëtimi, raporton Zëri.Info.

Auditori duke komentuar këtë të gjetur, thotë se tërë kjo ka ndodhur për shkaqe subjektive, pa arsye serioze nga grupi pjesëmarrës zyrtar.

“Kjo ka ndodhur për shkaqe subjektive, pa ndonjë arsyeje serioze nga grupi pjesëmarrës i udhëtimit zyrtar, përveç një njoftimi me telefon për zyrtaren që të mos merr pjesë në këtë udhëtim, përkundër konfirmimit të pjesëmarrjes në agjendë dhe rezervimit të biletës, për më tepër vlen të theksohet se takimi i planifikuar ishte mbajtur dhe njëri anëtarë i grupit ishte pjesëmarrës në Slloveni”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit.

Por, auditori paralajmëron se mos anulimi me kohë i udhëtimeve zyrtare dhe ekzekutimi i pagesës pa e shfrytëzuar shërbimin, rrit rrezikun se kjo formë e pagesës mund të konsiderohet e parregullt dhe t’i shkaktoj dëm financiar OSHP-së. Pas kësaj, auditori ka dërguar disa rekomandime për kryetarin e OSHP-së.

“Kryetari i OSHP-së duhet të siguroj kontrolle të duhura në këto shpenzime, në situata të tilla, anulimet eventuale të bëhen në kohen e duhur në mënyrë që zyrtarët e OSHP-së të koordinohen me OE për të i anuluar biletat e rezervuar me qëllim që t’i shmangin shpenzimet e tilla pa e shfrytëzuar shërbimin. Shpenzimet të ekzekutohen në pajtim me rregullat financiare”, thuhet tutje në raportin e (ZKA)-së. /Zëri