Haradinaj për PTK-në: Ulja e pagave e nevojshme që ta shpëtojmë nga bankroti

Ekonomia May 07, 2018 - 21:58
E Fundit

Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se është duke shqyrtuar të gjitha masat që mund të ndërmerren për, siç tha ai, shpëtimin PTK-së nga bankroti.

“PTK aktualisht është duke operuar me vështirësi. Telekomi është menaxhuar gabim ndër vite, dhe kemi ardhur në një situatë të rëndë ku kjo kompani është drejt bankrotimit. Ne nuk dëshirojmë të lejojmë që kjo kompani të bankrotojë. Ndalimi i shpenzimeve të tepërta, ndalimi i abuzimeve dhe ulja e pagave janë disa elemente të nevojshme”

“Kemi pasur një propozim për uljen e pagave prej 40% mirëpo ajo mund të jetë edhe 20%. Është një element, jo i vetmi, mirëpo që të shpëtojmë Telekomin si kompani është e nevojshme ulja e pagave”

Gjatë intervistës në Zona B të Klan Kosovës, Haradinaj ka theksuar se ndërmarrja e këtyre masave është e nevojshme gjithashtu edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj.

“Kam mirëpritur interesimin e një kompanie me renome siç ështe “Orange” nga Franca, ju kam shpjeguar për gjendjen, ashtu siç jemi të hapur për të gjitha kompanitë tjera që shfaqin interesim”

“Interesimi ynë nuk është privatizimi i plotë. Fati që fituam rastin me AXOS na ka mundësuar që të kërkojmë partner. Në qoftë se i ulim pagat dhe ndërmarrim masat tjera të nevojshme mund të dëshmojmë se kompania është profitabile”.

Në lidhje me punëtorët e PTK-së, Haradinaj ka thënë se ekziston mundësia e gjetjes se një kompromisi me investitorët potencial në mënyrë që të mos dëmtohen të punësuarit, përderisa theksoi se duhet të jenë të kujdesshëm në hapat që i ndërmarrin, njofton Klan Kosova.