Borxhi publik arrin në 1 miliard e 30 milionë euro

Ekonomia May 05, 2018 - 08:42

Duke u bazuar në të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave (MF), shihet se në fund të muajit mars të këtij viti borxhi publik ka arritur në 1 miliard e 30 milionë euro e derisa në fund të vitit që lamë pas shuma e borxhit publik kishte arritur në 996 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Hiç më pak se 1 miliard e 30 milionë euro ka arritur shuma e borxhit publik në fund të muajit mars të këtij viti, ku shihet një rritje e konsiderueshme në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në raportin e fundit të Ministrisë së Financave (MF) thuhet se nga kjo shumë 415.98 milionë euro janë borxh ndërkombëtar, derisa shuma tjetër prej 612.49 milionë eurosh është borxh i brendshëm.

Sipas të dhënave zyrtare, shihet se në fund të muajit mars të këtij viti borxhi i Kosovës ndaj Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka arritur në 152 milionë euro. Por BERZH-i nuk është institucioni i vetëm ndaj të cilit Kosova ka obligime financiare.

41 milionë euro është borxhi që Kosova ia ka Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim (ANZH), 159 milionë euro Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), 54 milionë euro Agjencisë Gjermane për Rindërtim (KFW), si dhe 7 milionë euro “UniCredit Bank” të Austrisë dhe shumë simbolike të borxheve Bankës Islame për Zhvillim (BIZH).

Por, borxhi publik i Kosovës vetëm se po shënon rritje nga viti në vit. Në vitin 2016 borxhi publik shtetëror kishte arritur në 852.7 milionë euro. Ndërsa deri në muajin shtator të vitit 2017 borxhi kapte shifrën e një miliard eurove.

Vetëm deri në mars të këtij viti Kosova ka akumuluar borxhin prej 1 miliard e 30 milionë eurosh. Për këtë shifër të borxhit publik të shtetit njohës të ekonomisë në vend po i kërkojnë Qeverisë që të jetë sa më e kujdesshme në raport me shpenzimet publike.

Zeka: Qeveria të jetë e kujdesshme me shpenzimet publike

Njohës të ekonomisë në vend nuk duan ta mendojnë mundësinë se borxhi publik është rritur nga shpenzimet e planifikuara për kategoritë sociale.

Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), në një prononcim për “Zërin”, ndonëse deklaron se borxhi i përgjithshëm i shtetit pavarësisht rritjes mbetet brenda kufijve, kërkon kujdes nga Qeveria në raport me këtë çështje.

“Borxhi i përgjithshëm i shtetit pavarësisht rritjes së shpejtë viteve të fundit mbetet brenda kufijve të pranueshëm, megjithatë Qeveria duhet të jetë e kujdesshme në aspektin e shpenzimeve publike e sidomos atyre që mund të ndikojnë në rritjen e borxhit publik, të jashtëm ose të brendshëm”, ka sqaruar Zeka.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë po i vlerëson shqetësuese shpenzimet në rritje për kategoritë sociale, për të cilat thotë se nuk do të duhej të mendohej se për shpenzime të tilla të konsiderohej rritja e borxhit publik.

“Janë shqetësuese shpenzimet gjithnjë e në rritje për kategoritë sociale. Në asnjë mënyrë nuk do të duhej të mendohej që për shpenzime të tilla të konsiderohej rritja e borxhit publik”, ka shtuar më tutje ai. Në shumën e borxhit publik Kosova më së shumti po del të ketë detyrime financiare të papaguara ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), plot 159 milionë euro. Por, nuk dihet ende nëse shteti rrezikon stabilitetin financiar prej këtyre borxheve.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë thënë se stoku i borxhit shtetëror deri më datën 31.03.2018 është 1 miliard e 28 milionë euro. “Niveli i borxhit shtetëror të Republikës së Kosovës është në përputhje të plotë me nevojat buxhetore dhe planet zhvillimore të paraqitura në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), si dhe Programin e Borxhit Shtetëror. Indikatorët e borxhit janë në nivele relativisht të ulëta stabile dhe brenda kufizimeve të Ligjit, ku edhe raporti i borxhit shtetëror me bruto produktin vendor është tërësisht brenda parametrave (16%)”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Shatri: Duhet të analizohen fondet si po shpenzohen

Kosova ende nuk ka hyrë në zonën e rrezikut të borxhit publik. Ndonëse nuk dihet sa janë racionale këto shpenzime, për të cilat Kosova ka hyrë në detyrime financiare ndaj institucioneve ndërkombëtare.

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, në një prononcim për “Zërin”

ka arsyetuar mundësinë e futjes në borxhe për të realizuar projekte madhore e të cilat, siç pretendon ai, nuk mund të realizohen me burime vetanake për shkak të fondeve të kufizuara. “Rritja e borxhit publik është një proces normal. Kosova pas luftës ka filluar me zhvillimin ekonomik pa ndonjë ngarkesë të buxhetit nga aspekti i borxhit publik. Derisa e kemi pasur misionin e UNMIK-ut, që ka udhëhequr me Kosovën, ata nuk na kanë lejuar të hyjmë në borxhe. Por, mundësia e futjes në borxh është e mirë për të realizuar një projekt madhor, i cili nuk mund të krijohet me burime vetanake për shkak të fondeve të kufizuara”, ka thënë Shatri. Më tutje, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave është shprehur i bindur se Kosova ende nuk ka hyrë në zonën ku tejkalohet niveli i lejueshëm i borxhit publik. “Deri tash kemi shkuar me kujdes në kuptim të ngarkesës me borxhe publike dhe ende nuk jemi afër zonës ku e tejkalojmë nivelin e lejueshëm të borxhit publik. Janë disa kritere për nivelin e lejueshëm të borxhit publik. Ne i kemi dy kritere, nuk guxojmë të hyjmë minus me buxhet dhe nuk guxojmë ta kalojmë 2-përqindëshin me minus, me shpenzime më të mëdha sesa të hyrat dhe në krahasim me GDP-në. Shumë vende e kanë të lejuar borxhin publik me 60 për qind të GDP-së, sipas kësaj i bie se nëse ne e kemi GDP-në 6.5 miliardë, 60 për qind i bie se mundemi të shkojmë deri në katër miliardë. Ne jemi në një miliard në kuotën e lejueshme dhe në nivel të lejuar”, ka sqaruar ish-ministri Shatri.