‘Vetëvendosje’ me aksion simbolik për 1 Maj

Ekonomia May 01, 2018 - 12:19
Lexoni më shumë detaje

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka organizuar aktivitet për Ditën Botërore të punëtorit, 1 Majin.

Aktivistë të LVV-së, përmes një aksioni simbolik në sheshin “Skënderbeu”, paraqitën kushtet e vështira të punëtorëve.

Përmes një baneri ku ishte paraqitur paga prej 5 mijë e 213 euro e drejtorit të Trustit Pensional ishin bërë krahasime me pagat e tjera në vend.

LEXO EDHE: ‘Nëse nuk i kërkojmë të drejtat tona, ato nuk realizohen’ (FOTO)

Anëtarja e LVV-së, Nazlie Bala, se përmes këtij aktiviteti po synojnë të tregojnë për pabarazinë në pagë ndërmjet punëtorëve dhe krerëve të institucioneve.

Sipas saj, shteti u ka shpallur luftë punëtorëve,  raporton Ekonomia Online.

“Pabarazia dhe dallimet shumë të mëdha në Kosovë. Paga e drejtorit të Trustit është 5 213 euro dhe pagat minimale të ekzistencës se punëtoreve nën moshën 35 vjet 130 euro e mbi moshën 35 vjet 170 euro”.

“Sot në 1 maj nuk mund të mos flasim për varfërinë. Ne nuk jemi këtu tu tregojmë se sa të shtypur janë ata që punojnë sepse të gjithë e dinë. Papunësia e madhe paraqet rrezik dhe frikë për ata që punojnë për të mos e humbur punën pastaj durojnë çdo gjë që u bëhet”.

“Në Kosovë jo të gjithë vuajnë për rrogë të mirë sepse pushtetarët veçse e kanë. Sivjet në katër muajt e parë të këtij viti katër persona kanë vdekur në vendin e punës. Në këtë vend ku qeverisë hajnia duket se punëtorëve u është shpallur luftë”.

Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, rreth 70 për qind apo mbi 357 mijë persona nga 15 deri në 65 vjeç janë të punësuar. Mbi 80 mijë prej tyre janë punonjës në sektorin publik.

Kurse 30.5 për qind apo mbi 156 mijë veta, llogaritet numri i të papunëve, përderisa sipas Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës,(BSPK) kjo përqindje arrin në mbi 40 për qind.