Rukiqi: Do t’ia kthej kredibilitetin OEK-ut

Ekonomia April 30, 2018 - 09:14
Intervistë me Berat Rukiqin, kandidat për kryetar të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK)

Berat Rukiqi, kandidat për kryetar të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), në një intervistë për gazetën “Zëri” ka premtuar se nëse arrin ta marrë besimin e bizneseve për ta udhëhequr OEK-un do t’ia kthejë kredibilitetin institucionit më të vjetër të përfaqësimit të bizneseve në vend

Rritja e kredibilitetit, krijimi i opinionit publik i bazuar në të dhëna të sakta dhe në argumente të verifikuara, rritja e numrit dhe bazës së anëtarësisë dhe rritja e influencës në vendimmarrje janë synime kryesore të kandidatit për kryetar të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqit.

Ky i fundit në një intervistë për gazetën Zëri thotë se pozita e kryetarit në Odën Ekonomike të Kosovës nuk është një vend tipik i punës ose një pozitë ku ke një përshkrim preciz të detyrave dhe përgjegjësive dhe për të dhënë rezultate mjafton t'i përmbahesh këtij përshkrimi të vendit të punës.

LEXO EDHE: Për tre vjet, 17 milionë euro për pensionet e mësueseve të viteve të ’90-ta

“Kur përfaqëson një rrjet prej 16.000 anëtarëve, 30 sektorë dhe nënsektorë të ndryshëm të ekonomisë, ndërmarrje që janë punëdhënësit më të mëdhenj në vend dhe kontribuojnë në 80% të buxhetit të vendit kërkon angazhim në 7 ditët e javës, komunikim të vazhdueshëm me 90% të anëtarëve, komunikim me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare dhe angazhim për krijimin e shumë urave të bashkëpunimit me vende të ndryshme, hapjen e dyerve të reja për të bërë biznes dhe rritje të eksportit, balancim të interesave të sektorëve të ndryshëm, që në shumë raste janë në kundërthënie”, ka thënë ai.

Sipas tij, ajo apo ai që pretendon ta udhëheqë suksesshëm Oden Ekonomike të Kosovës duhet të ketë përvojë në përfaqësimin dhe balancimin e interesave të biznesit, aftësi komunikimi me palë të ndryshme të interesit dhe rrjet të rëndësishëm me akterët vendimmarrës dhe të sektorit privat brenda dhe jashtë vendit.

Zëri: Z. Rukiqi, jeni kandidat për kryetar të Odës Ekonomike të Kosovës. Si erdhi deri te kandidatura? Cili është motivimi për të qenë kandidat?

Rukiqi: Zhvillimi im profesional dhe pjekuria ime institucionale janë të lidhura ngushtë me Odën Ekonomike të Kosovës (OEK). Pas përfundimit të studimeve master në Bruksel, në fushën e politikave ekonomike të Bashkimit Evropian (BE), në vitin 2017, kam filluar angazhimin tim profesional në Odën Ekonomike të Kosovës me bindjen që duke e përkrahur sektorin privat e përshpejtojmë zhvillimin ekonomik. Unë besoj në ekonomi të lirë të tregut, si model i vetëm ekonomik që mund të sjellë zhvillim dhe konsideroj që Oda Ekonomike e Kosovës ka një rol fundamental në promovimin e parimeve të ekonomisë së tregut dhe fuqizimit të rolit të sektorit privat në procese jo të lehta ekonomike, në të cilat po kalon vendi në këto vite, në 19 vjetët e fundit. Bindjet e mia ideologjike sa i përket ekonomisë, zhvillimi im profesional dhe akademik, 11 vjet të angazhimit në Odën Ekonomike të Kosovës dhe përvoja e gjatë në sektorin privat dhe publik më kanë dhënë vetëbesimin e duhur për të vendosur që të kandidoj për udhëheqjen e Odës Ekonomike të Kosovës. Kandidatura ime për kryetar të organizatës më të madhe në vend që përfaqëson interesat e biznesit, Odës Ekonomike të Kosovës, vjen pas një procesi të gjatë të konsultave me bizneset më të rëndësishme në vend, stafin e Odës Ekonomike të Kosovës dhe shumë miq nga sektori privat dhe publik, të cilët kanë angazhim ditor në përkrahjen e sektorit privat dhe ndajnë mendime të njëjta sa i përket mënyrës sesi mund ta transformojmë ekonominë dhe vendin në përgjithësi.

Zëri: Pse mendoni që jeni kandidati i duhur për ta udhëhequr këtë institucion të rëndësishëm të përfaqësimit të bizneseve, siç është OEK-u? 

Rukiqi: Pozita e kryetarit në Odën Ekonomike të Kosovës nuk është një vend tipik i punës ose një pozitë ku ke një përshkrim preciz të detyrave dhe përgjegjësive dhe për të dhënë rezultate mjafton t'i përmbahesh këtij përshkrimi të vendit të punës. Kur përfaqëson një rrjet prej 16.000 anëtarëve, 30 sektorë dhe nënsektorë të ndryshëm të ekonomisë, ndërmarrje që janë punëdhënësit më të mëdhenj në vend dhe kontribuojnë në 80% të buxhetit te vendit, kërkon angazhim në 7 ditët e javës, komunikim të vazhdueshëm me 90% të anëtarëve, komunikim me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare dhe angazhim për krijimin e shumë urave të bashkëpunimit me vende të ndryshme, hapjen e dyerve të reja për të bërë biznes dhe rritje të eksportit, balancim të interesave të sektorëve të ndryshëm, që në shume raste janë në kundërthënie, prandaj në çdo rast dhe në çdo rrethanë ajo apo ai që pretendon ta udhëheqë suksesshëm Odën Ekonomike të Kosovës duhet të ketë përvojë në përfaqësimin dhe balancimin e interesave të biznesit, aftësi komunikimi me palë të ndryshme të interesit dhe rrjet të rëndësishëm me akterët vendimmarrës dhe të sektorit privat brenda dhe jashtë vendit. Përvoja ime në Odën Ekonomike të Kosovës, përvoja në themelimin dhe në rritjen e shpejtë të një ndërmarrjeje nga sektori prodhues dhe i shitjes me pakicë, një dekadë e punës akademike në Universitet, udhëheqja e Bordit të KEK-ut, kompanisë më të madhe në rajon, si dhe angazhimi i fundit profesional në Bordin e “Millenium Foundation Kosovo”, fondacioni më i madh në vend që implementon projekte të përkrahjes amerikane për Kosovën, janë konfirmim i përvojës dhe cilësive që kërkohen për ta udhëhequr suksesshëm Odën Ekonomike të Kosovës.

Rritje e influencës në vendimmarrje

Zëri: Oda Ekonomike e Kosovës perceptohet si një institucion që nuk ka arritur të transformohet konform trendëve të rinj dhe kërkesave të biznesit dhe për më shumë ka mungesë kredibiliteti. Si mendoni ta ndryshoni këtë perceptim për OEK-un dhe ta shndërroni në zë kredibil të përfaqësimit të bizneseve?

Rukiqi: Ka krizë identiteti në përfaqësimin e biznesit në përgjithësi. Ka shumë organizata dhe shoqata të paprofilizuara dhe kjo po ndikon në dobësimin e pozicionit të sektorit privat në proceset e rëndësishme vendimmarrëse në vend. Oda Ekonomike e Kosovës, si çdo institucion në tranzicion, ka pasur dhe ka sfida në formësimin e një identiteti dhe profili të qartë organizativ dhe të qëndrueshëm, pasi që ka operuar në rrethana jo të lehta, sidomos pas miratimit të Ligjit mbi OEK-un që ka përcaktuar anëtarësim vullnetar dhe jo obligativ në OEK për ndërmarrjet që funksionojnë në vend. Një ndryshim i tillë nga anëtarësimi obligativ në anëtarësim vullnetar nënkupton edhe ndryshim të mendësisë në organizimin dhe në udhëheqjen e kësaj organizate, para së gjithash në rritjen e numrit dhe të cilësisë së shërbimeve që mund të ofrohen për përfaqësim dhe mbrojtje të interesave të biznesit. Suksesi në ndryshimin e kësaj mendësie dhe në rritjen e numrit dhe cilësisë së shërbimeve ndikojnë në ndryshimin e perceptimit të opinionit për OEK-un dhe rritjen e kredibilitetit. Kredibiliteti rritet me rritje të profesionalizimit, krijimit të opinionit publik të bazuar në të dhëna të sakta dhe argumente të verifikuara, rritje të numrit dhe bazës së anëtarësisë dhe rritje të influencës në vendimmarrje.

Zëri: Z. Rukiqi, rritja e ndikimit të komunitetit të biznesit në proceset vendimmarrëse bëhet edhe më e vështirë duke pasur parasysh ndikimin e politikes në çdo sferë të jetës. Çka mund të ndryshohet për ta rritur ndikimin e OEK-ut dhe të sektorit privat në proceset vendimmarrëse, si dhe në cilët sektorë do të fokusoheni më shumë?

Rukiqi: Institucionet duhet dhe e kanë për obligim ta dëgjojnë zërin e biznesit. Bizneset që janë anëtarë në OEK janë punëdhënësit më të mëdhenj dhe siç e theksova në njërën nga pyetjet e tjera, janë kontributdhënës në 80% të të hyrave të buxhetit të vendit. Është e vërtetë që ka shpërfillje të pozicionit të sektorit privat në procesin e vendimmarrjes. Po jua tregoj një shembull nga një përvojë imja nga një debat publik në një komision parlamentar, kur njeri nga deputetët pretendonte që ne nuk mund ta themi ketë apo atë, pasi që jemi duke folur para “përfaqësuesve të popullit” dhe harronte që ata që donin t’i parashtronin argumentet e veta në atë debat janë pikërisht ata që e përmirësojnë mirëqenien e “popullit”, që ai pretendonte që e përfaqësonte edhe mirëqenien e tij personale, duke përfshirë edhe luksin përmes pagesës së taksave dhe kontributeve të tjera buxhetore. Kjo qasje shpërfillëse duhet të ndryshojë dhe në muajt e në vitet në vijim do të jemi shumë proaktivë që ky ndryshim të ndodhë. Sa u përket sektorëve, prioritet do të jetë çdo sektor që ndikon në rritjen e punësimit dhe të eksportit përmes një angazhimi të vazhdueshëm në adresimin e pesë çështjeve me ndikim në të gjithë sektorët: Sundimi i ligjit, energjia, aftësimi i fuqisë punëtore, luftimi i informalitetit, sigurimi i një konkurrence të barabartë në treg dhe rritja e investimeve të huaja direkte. Parakusht për progres në të gjitha këto çështje është që Qeveria t’i mbajë duart sa ma larg nga kontrolli i proceseve ekonomike.

Partneritet me institucionet e jo me partitë politike

Zëri: A do të angazhoheni që Qeveria dhe politika t’i mbajnë duart larg edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës, pasi që ka një perceptim që shoqatat e biznesit dhe sindikatat janë të ndikuara nga politika?

Rukiqi: Tendenca të politikës për influencim të llojeve të tilla të organizatave do të këtë gjithmonë. Oda Ekonomike e Kosovës e ka obligim ligjor partneritetin me institucionet e vendit në përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes në vend, por jo me partitë politike. Ky partneritet nuk nënkupton promovim të agjendës së Qeverisë, por duhet të ndërtohet mbi bazën e interesit reciprok për zhvillim të ekonomisë dhe rritjes së aftësisë konkurruese për ndërmarrjet tona. Pra, OEK-u duhet dhe do të jetë artikuluese e zëshme e interesave të biznesit në proceset ekonomike përmes ndërtimit të një partneriteti me të gjithë akterët e rëndësishëm vendorë dhe ndërkombëtarë, por në asnjë moment nuk duhet të artikulojë interesa personale dhe të pushtetit. Në këtë aspekt kam edhe një përparësi personale, pasi që kam një pavarësi edhe profesionale, edhe financiare.

Zëri: Kur pritet të përfundojë procesi zgjedhor në OEK? Nëse zgjidheni në krye të Odës Ekonomike të Kosovës çka do të bëni në 4 vjet mandat? Cilat janë prioritetet kryesore?

Rukiqi: Procesi zgjedhor ka filluar në muajin dhjetor dhe pritet të përfundojë në ditët e fundit të muajit maj. Me rëndësi është që të jetë proces demokratik dhe gjithëpërfshirës, por edhe të përfundojë në kohë. Prioritet i parë është krijimi i një ekipe menaxheriale në nivel të stafit profesional dhe një ekipe që e drejton Odën Ekonomike të Kosovës, përkatësisht krijimit të këshillit drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës, që do të ndërtohet mbi parimin e diverzitetit, me përfshirje rajonale, sektoriale, të moshave të ndryshme dhe të gjinisë. Ekipi menaxherial dhe këshilli drejtues do ta drejtojnë Odën drejt rritjes së anëtarësisë, korporatizimit, profesionalizimit të stafit, modernizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve, në aspektin e brendshëm, si dhe drejt përfshirjes së OEK-ut në çdo proces vendimtar që ka ndikim në sektorin privat, në marrjen e lidershipit në aktivitetet e diplomacisë ekonomike, në mbështetjen e rritjes së eksportit të prodhimeve “Made in Kosova”, në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, në përkrahjen e arsimit profesional dhe aftësimit të fuqisë punëtore konform nevojave të tregut të punës. Për të gjitha këto e kam zhvilluar një strategji komplete, e cila bazohet në përvojat më të mira nga odat ekonomike të vendeve të ndryshme dhe nevojat e ndërmarrjeve tona.