Për tre vjet, 17 milionë euro për pensionet e mësueseve të viteve të ’90-ta

Ekonomia April 30, 2018 - 08:57
Lexoni më shumë detaje

Hiç më pak se 16 milionë e 757 mijë euro janë paraparë të ndahen nga buxheti i shtetit për tre vjetët e ardhshëm vetëm që të mbulohen kontributet e 12.045 mijë personave, punëtorë të arsimit e të cilët kanë punuar gjatë viteve të ’90-ta, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Këto të dhëna janë bërë të ditura në një përgjigje me shkrim, që zyrtarë për informim pranë Zyrës së Kryeministrit ia kanë dhënë gazetës Zëri.

“Projektligji është aprovuar në Qeveri dhe është proceduar në Kuvend. Kostoja për tre vjet është 16.757.000 euro, periudha 2018-2020 dhe do të përfitojnë 12045 persona. Kuvendi e aprovon dhe e përcakton datën e fillimit të implementimit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni. Procedimin më tutje të këtij projektligji nuk arriti ta ndalë as alarmimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) se me këto përfitime të paralajmëruara do të rrezikohet buxheti i shtetit.

Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, në një intervistë për Zërin kohë më parë pati deklaruar se me propozime të tilla të përfitimeve do të rrezikohet buxheti i shtetit.

LEXO EDHE: PAN-i, telashe për përfaqësuesit në KQZ

Veç përfitimeve për mësimdhënësit e viteve ’90-’99, Vermueulen pati kundërshtuar edhe skemën e propozuar të pensioneve të parakohshme për forcat policore.

“Ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar për iniciativat e shpenzimeve sociale, siç është skema e propozuar e pensioneve për mësuesit që punonin në sistemin paralel në vitet 1990 ose skemën e pensionit të parakohshëm për forcat policore”, kishte deklaruar ai.

Sipas tij, këto do të krijonin detyrime të mëdha të pensioneve të pafinancuara, të cilat sistemi i pensioneve tashmë i pafinancuar në Kosovë thjesht nuk mund ta përballojë.

“Për më tepër, kërkesa për skema të ngjashme për profesione të tjera me siguri do të pasojë, duke vënë në rrezik buxhetin e Kosovës dhe qëndrueshmërinë e borxhit”, ishte shprehur përfaqësuesi rezident i FMN-së në Kosovë.

Jasharaj: 6 milionë euro për njerëzit që mbajtën gjallë arsimin janë pak

Krejtësisht ndryshe me deklarimet e FMN-së po shprehen në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se 6 milionë euro për njerëzit që mbajtën gjallë arsimin shqip janë pak karshi sakrificës së tyre.

“Shteti nuk duhet të koritet, sepse 6 milionë euro për njerëzit që mbajtën gjallë arsimin shqip, kundërshtuan pushtuesin serb dhe nuk u larguan nga rruga e tyre duke e mbrojtur arsimin e kulturën shqipe janë shumë pak karshi asaj që kanë bërë duke sakrifikuar veten dhe familjen”, është shprehur kryetari i SBASHK-ut.

Jasharaj më tutje, duke cituar Projektligjin e Statusit të Punëtorëve të Arsimit Shqip që kanë punuar në sistemin paralel, tregon se të punësuarit në arsim janë të përshkallëzuar në dy lloje të përfitimit.

Në kategorinë e parë përfshihen përfituesit të cilët kanë shërbyer në vitet e okupimit dhe kompensohen me 75 për qind të pagës bazë në arsimin fillor, duke llogaritur edhe pensionin kontributdhënës.

Ndërsa në kategorinë e dytë, sipas Jasharajt, do të hyjnë përfituesit që kanë kontribuar më pak, të cilët do të kompensohen me 65 për qind të pagës bazë, duke përfshirë edhe pensionin kontributdhënës.

“Bashkë me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Punës dhe Ministrinë e Financave jemi dakorduar që buxheti që është planifikuar është i përballueshëm. Nëse fillon nga 4 muajt e fundit të këtij viti shteti nga buxheti i vet duhet t’i ndajë 2 milionë e 600 mijë euro për t’i kryer obligimet ndaj ligjit dhe përfituesve të tij. Ndërsa nga viti i ardhshëm është planifikuar diku 6 milionë e 200 mijë euro, ngase është konsideruar se do të ketë rritje të numrit të të pensionuarve”, ka theksuar më tutje Jasharaj.

Përfaqësuesi i SBASHK-ut po shprehet shumë i bindur se ky projektligj do ta marrë pëlqimin e deputetëve të Kuvendit dhe nuk do të hasë në rezistencë nga FMN-ja.

Jasharaj më tutje përmend edhe takimin e zhvilluar me përfaqësuesin rezident të FMN-së në Kosovë, Ruud Vermuelen.

“Ne i kemi dërguar letër përfaqësuesit rezident dhe jemi takuar me të. Ai nuk ishte kundër ndonjë shpërblimi të mundshëm për këta njerëz, por kishte pasur ide të tjera në lidhje me ligjin. Kur ia sqaruam çështjet ata u shprehen se nuk janë kategorikë kundër këtij ligji. Ne kemi sqaruar se ky ligj nuk e rrezikon buxhetin”.

Në Ministrinë e Financave nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje. Ata kanë rekomanduar që pyetjet t’i drejtohen Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

“Ju lutem që për këtë çështje të kërkoni përgjigje në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë. Ata i kanë të dhënat për çka po ju intereson edhe juve”, thuhet në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni. Gazeta “Zëri” një javë ka pritur përgjigje nga Zyra për Informim në MASHT, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë “kollapsim” të shtetit

Ndryshe prej kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, po shprehen ekspertët e ekonomisë në vend.

Hekuran Murati, ekspert i ekonomisë, e ka vlerësuar shqetësues trendin e rritjes së pagesave për transfere sociale.

“Trendi i rritjes së pagesave për transfere sociale si këto është mjaft shqetësues. Duke marrë parasysh që rritja e të hyrave në buxhet është e kufizuar shkaku i nivelit të ulët të punësimit dhe zhvillimit ekonomik, të gjitha këto shpenzime për transfere sociale do të duhet të financohen ose nga borxhi, ose në kurriz të investimeve kapitale. E një gjë e tillë nuk paraqet prognozë të mirë për vendin në afat të gjatë”, ka thënë Murati për “Zërin”.

Sipas Muratit, nëse vazhdohet me trend të tillë do të arrijmë në një situatë ku numri i përfituesve të pensioneve dhe transfereve të tjera sociale do të jetë më i madh se numri i atyre që punojnë e paguajnë tatim.

“Nëse vazhdohet kështu do të vijmë në një situatë ku numri i përfituesve të pensioneve dhe transfereve të tjera sociale do të jetë më i madh sesa numri i atyre që në fakt punojnë dhe paguajnë tatim. E kjo do të nënkuptonte kollapsimin e shtetit”, ka shtuar më tutje ai.

Se me përfitime të tilla mund të ketë rrezikim të buxhetit shtetëror po mendon edhe Albulena Balaj Halimaj, anëtare e Komisionit për Arsim, Shkencë, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Në një prononcim për “Zërin” Balaj-Halimaj nuk e përjashton mundësinë për rrezikim të buxhetit shtetëror, por thotë se buxheti mund të kursehet në fusha të tjera, jo pikërisht në arsim.

“Ky projektligj është shumë i rëndësishëm për mësimdhënësit tanë të atyre viteve, duke marrë parasysh faktin se kanë mbajtur gjallë arsimin shqip në ato vite. Kjo është vlerë që do të duhej ta çmonim të gjithë. Kontributi i tyre na ka bërë që të gjithë të jemi atdhetarë. Falë kësaj kemi arritur në çdo formë t’i dalim zot vendit. Buxheti i shtetit edhe mund të rrezikohet, por mund ta kursejmë në fusha të tjera, jo pikërisht në arsim”, ka theksuar anëtarja e Komisionit për Arsim.

Shqetësimin për implikime buxhetore që mund të krijohen nga këto përfitime e kishte shprehur edhe ministri i Financave Bedri Hamza, i cili kishte përmendur se Projektligji parasheh beneficione shtesë, si atë të shëndetësisë sekondare dhe parciale, shërbime shëndetësore falas, etj.