Ministri Rikallo i çon në veri 2 milionë euro

Ekonomia April 29, 2018 - 12:28
Lexoni më shumë detaje

Ministri i Bujqësisë i Republikës së Kosovës në dorëheqje, Nenad Rikallo, ka vendosur që 2 milionë euro t’i dërgoi në veri të Kosovës për ta mbështetur, siç ka thënë ai, “një program për investimet në infrastrukturën rurale në sektorin e bujqësisë dhe pylltarisë për komunat veriore”, raporton "Zeri.info"

Ndonëse Lista Serbe është tërhequr nga Qeveria e Kosovës pas ngjarjeve lidhur me arrestimin e Marko Gjuriqit, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Republikës së Kosovës nuk e ka ndërprerë as edhe një ditë punën në ministrinë që ai drejton.

Madje ai ka marrë një vendim që një shumë të madhe të mjeteve t’ua dërgojë komunave veriore, për shkak se siç ka thënë Rikallo, “vetëm Ministria e Bujqësisë asnjëherë nuk e ka mbështetur asnjë program në rajonin e veriut të Kosovës”.

Duke folur për mediet në veri të Mitrovicës, Rikallo ka thënë se Ministria që drejton ai do të ketë përkujdesje të veçantë për komunat veriore.

Sipas tij, investimet në fushën e bujqësisë janë të domosdoshme në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa ka ftuar të gjithë qytetarët e veriut që të konkurrojnë me projekte.

“Ne kemi bërë thirrje të hapur për paraqitje nëpërmes të programeve të veçanta për investime në infrastrukturën rurale, ndërtimin e konkurrencës në sektorin e bujqësisë dhe pylltarisë për rajonin e veriut të Kosovës. Vetëm Ministria e Bujqësisë asnjëherë nuk e mbështetur asnjë program, ndërsa qasja në subvencione ka shkuar shumë vështirë. Për këtë arsye kemi vendosur që ta bëjmë një program të veçantë për këtë rajon, një program që do të jetë shumë inkurajues. Në të vërtet ky është një model që e kemi marrë nga BE-ja, e cila maksimalisht investon në rajonet e pazhvilluara”, tha Rikallo për TV Most në veri të Mitrovicës, sipas të cilit ky projekt mundëson zhvillimin intensiv dhe rezultatet shpejt shihen, transmeton "Zeri.info".

LEXO EDHE: MTI-ja licencon Zonën Ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë

“Bëhet fjalë për projektin që përfshinë tri segmente. Një prej tyre përfshinë territorin e gjithë Kosovës lidhur me pemë, perime, qumësht, mish, krejt ajo çfarë mund të thuhet se janë prodhimeve bujqësore. Ka një program të veçantë për investime kapitale dedikuar problemit të jolojalitetit të prodhimeve dhe importit. Projekti i tretë i është dedikuar veriut të Kosovës. Këtu i kemi ulur kriteret në mënyrë që njerëzit të përfitojnë grante”, ka sqaruar Rikallo, duke shtuar se programi u është përshtatur nevojat të bujqve në këtë pjesë të Kosovës, ku njerëzit nuk i kanë të zhvilluara resurset e tyre.

Ministri Rikallo tha në vijim, se në secilën komunë të veriut të Kosovës janë hapur zyrat të cilat pranojnë paraqitjet dhe regjistrojnë veprimtaritë e tyre.

“Një prej kushteve kryesore për të konkurruar është që veprimtaria duhet të jetë e regjistruar në sistemin kosovar. Secili që dëshiron të konkurrojë duhet ta sigurojë certifikatën nga Kadastri, të cilat komunat veriore nuk i lëshojnë, por që zyrtarët do t’i sigurojnë ato nga Kadastri Qendror i Kosovës. Por ka edhe këtu problem pasi që njerëzit tanë nuk e kanë përkthyer (bartur) tokat në emër të vet, kështu që parcelat janë të regjistruara në paraardhësit e tyre”, precizoi Rikallo, raporton "Zëri". 

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rrural i Republikës së Kosovës, Nenad Rikallo, i cili është ndër ministrat e vetëm serb që shkon në punë dhe kryen punët e veta pavarësisht se Lista Serbe ka dhënë dorëheqje, konfirmojë se për këtë projekt Ministria e Bujqësisë ka ndarë 2 milionë euro.

“Fondi është 2 milionë euro, gjë që nuk është edhe diçka e veçantë, por për këtë pjesë është shumë i rëndësishëm. Shpresoj se me këtë program do të bëjmë përparim serioz në bujqësinë e komunave veriore të Kosovës”, ka thënë mes tjerash, ministri Rikallo. /ZËRI/