Ekonomia

Ministri i Haradinajt: Ligji për mësimdhënësit, i rrezikshëm

Ministri i Haradinajt: Ligji për mësimdhënësit, i rrezikshëm
26 prill 2018 • 11 : 59

Lexo detajet

Ministri i Financave, Bedri Hamza, edhe një herë është treguar i ashpër ndaj ligjit për mësimdhënësit e viteve të 90’ta, që kryeministri Ramush Haradinaj e miratoi.

Hamza duke potencuar se është i vetëdijshëm që nuk tingëllon shumë popullor, ka thënë se qëllim i tij është ruajtja e shtetit dhe buxhetit të tij, shkruan gazetametro.net.

“Unë qëndrimin rreth ligjit për mësimdhënësit e kam dhënë edhe në Qeveri. Një dokument kur nuk i plotëson kushtet, nuk duhet as të vijë në diskutim në Qeveri. E di që qëndrimi im nuk është shumë populist, por unë nuk jam për t’u bërë populist. Jam këtu për të mbrojtur shtetin”, ka thënë Hamza në konferencën e organizuar nga Ministria e Administratës Publike.

Ndërkaq, Hamza ka shprehur edhe një shqetësim për rrezikun që sjell ky ligj nëse miratohet në Kuvend. Sipas tij, ligje të tilla që vijnë nga presione sociale dhe vendime të atypëratyshme rrezikojnë buxhetin.

“Ky ligj e ka një rrezik, po e them. Ka rrezik të bëhet precedent. Buxhetin më së shumti e rrezikojnë presionet sociale dhe vendimet ad hoc”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Haradinaj është shprehur në përkrahje të këtij ligji, pasi kishte dhënë premtim se do t’ia njihte kontributin e mësimdhënësve të viteve të 90’ta.

Ndryshe, pas votimit të këtij ligji në Qeveri ka pasur reagime të ashpra nga partnerët e koalicionit. Kishte qenë vetë ministry Hamza i cili votoi kundër në Qeveri dhe shprehu shqetësimin  për buxhetin e shtetit.


 

© zëri.info