Zbutje e lehtë e deficitit tregtar të Kosovës në mars

Ekonomia April 24, 2018 - 21:47
Lexo detajet

Deficiti tregtar i Kosovës ka shënuar një rënie të lehtë në muajin mars të këtij viti në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2017.

Rënia e aktivitetit të importeve si duket ndikoi në zbutjen e lehtë të deficitit tregtar.

Kështu tregon raporti i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 1.9% në muajin mars 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 228.9 milionë Eurosh, krahasuar me deficitin prej 233.3 milionë Eurosh në vitin 2017. Eksporti mbulon importin me 10.4%”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Eksporti i mallrave në muajin mars 2018 kishte vlerën 26.4 milionë euro, ndërsa importi 255.4 milionë euro, që është një rënie prej -15.4 për qind për eksport dhe -3.5 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Metalet bazë dhe artikujt prej tyre vazhdojnë të prijnë në eksportet e Kosovës.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26.1% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15.3% e përbëjnë produktet minerale; 13.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 13.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 4.9% e përbëjnë produktet bimore; 4.7% e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej saj; 4.5% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 4.2% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij; 4.0% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar etj.”, thotë komunikata.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 12.8 për qind të importit e përbëjnë  produktet minerale, 11.7 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11.2 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 10.8 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 9.8 për qind e përbëjnë produktet  e industrisë kimike, 8.6 për qind e përbëjnë mjetet e transportit, 6.8 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 5.6 për qind produktet bimore etj. /Kallxo.com/