Falimentimi i ndërmarrjes më fitimprurëse

Ekonomia April 24, 2018 - 08:44
Lexoni më shumë detaje

Telekomi i Kosovës ka qenë ndërmarrja më fitimprurëse në Kosovë. Para një dekade ia paguante deri në 100 milionë euro në vit dividendë shtetit, ndërsa për shkak të keqmenaxhimit është në prag të falimentimit, pasi borxhet i ka arritur mbi 60 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndërmarrja që dikur ishte më përfituesja në Kosovë tashmë është buzë falimentimit.

Kjo për faktin e keqmenaxhimit për vite me radhë të Telekomit të Kosovës (TK), e cila para një dekade ia paguante gati 100 milionë euro në vit shtetit, derisa tashmë borxhet e saj kanë arritur në rreth 60 milionë euro dhe ka vështirësi që t’i paguajë edhe pagat e punëtorëve, shkruan më tutje "Zëri".

Këtë ndërmarrje gjatë tre vjetëve të fundit e ka udhëhequr Agron Mustafa, i cili më herët kishte qenë në krye të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës deri në kohën e koncesionimit të këtij të fundit nga një kompani turke (“Limak”).

LEXO EDHE: Lista Serbe, 'kah të frynë era'

Kryesuesja e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri-Berisha, në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se borxhet e kësaj ndërmarrjeje kanë arritur në rreth 60 milionë euro.

Muaj më parë gazeta Zëri kishte paralajmëruar se ndërmarrja është në buzë të falimentimit pikërisht për shkak të këtyre borxheve.

60 milionë euro borxhe

“Telekomi aktualisht gjendet në një gjendje të thellë financiare. Borxhet e njohura të kompanisë janë mbi 60 milionë euro. Prej tyre, 11 milionë euro janë vetëm borxhe të furnitorëve të rregullt, përderisa humbja për tre muajt e parë është mbi 4 milionë euro. Të hyrat vazhdojnë të bien, ndërsa shpenzimet vazhdojnë të rriten”, ka sqaruar Shatri-Berisha para kabinetit qeveritar.

Sipas saj, nga 60 milionë euro borxhe aktualisht janë në gjendje të paguajnë vetëm 18 milionë euro.

“Pasuria neto e kompanisë është aktualisht 34 milionë euro, ndërsa likuiditeti është i ulët. Nga 60 milionë euro borxhe që i kemi, jemi në gjendje të paguajmë vetëm 18 milionë euro. Janë keqmenaxhuar në maksimum mjetet financiare të kompanisë”, ka shtuar tutje ajo.

Shatri ka paralajmëruar Qeverinë se nëse nuk intervenohet menjëherë rasti optimal është që Telekomi të funksionojë edhe për 12 muaj, ndërsa nëse nuk ka intervenime ndërmarrja nuk do t’u takojë aksionarëve, por borxhlinjve.

Për gjendjen e rënduar në Telekom ekspertë të ekonomisë po shprehen pesimistë se mund të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kriza. Ata po deklarojnë se faji kryesor qëndron te bordi i përzgjedhur për të cilin thonë se është i ndikuar politikisht.

“Zëri” para dy muajve pati paralajmëruar rrezikun e falimentimit

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka dhënë sugjerime Bordit të Telekomit t’i mendojë politikat e tregut për mbijetesë.

“Nuk është e logjikshme që t’i përgjigjemi ne si Qeveri ‘Valës’ për një ‘gropë’ të madhe të borxheve”, ka thënë Haradinaj.

Në Qeverinë e Kosovës thonë që pas këtij raportimi kryeministri ka  kërkuar masa që gjendja në Telekom të ndryshojë.

“Ka qenë vetë kryeministri Haradinaj që ka kërkuar raportim të Bordit në mbledhjen e Qeverisë dhe ka kërkuar që të vazhdojë këtë raportim edhe në formën elektronike të të gjithë ministrave dhe të institucioneve që ndërlidhen me punën e Telekomit. Po ashtu kryeministri Haradinaj ka kërkuar që pas këtij raportimi të ndërmerren masa që ky trend të ndryshojë”, thuhet në përgjigjen me shkrim që zyra për informim me publikun në kuadër të Qeverisë i ka dhënë “Zërit”.

Për rrezikun e falimentimit të ndërmarrjes gazeta “Zëri” kishte raportuar dy muaj më parë. Në bazë të një raporti të brendshëm të Qeverisë së Kosovës, të cilën e kishte siguruar gazeta, janë bërë publike edhe humbjet financiare të Telekomit

“Telekomi i Kosovës SHA vitin 2016 e ka përfunduar me rezultat negativ financiar me mbi  31 milionë euro”, thuhet në raportin “Performanca e ndërmarrjeve publike për vitin 2016”, i hartuar nga Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), të cilin e kishte publikuar “Zëri”.

Politika e shkatërroi Telekomin

Ekspertë të ekonomisë në vend po shprehen pesimistë se gjendja në Telekomin e Kosovës do të marrë kahe tjetër.

Lekë Musa, ekspert i çështjeve ekonomike, në një prononcim për “Zërin” tha se një bord i zgjedhur nga politika nuk mund të bëjë zgjidhje në një treg dinamik.

“Konkretisht fajtor është problemi i funksionimit të Telekomit si kompani publike. Telekomunikacioni është sektor jashtëzakonisht dinamik. Ndryshimet janë aq të shpeshta, aq sa sektori publik nuk t’i përcjellë. Sidomos, me një vend si Kosova, ku kemi shumë probleme me qeverisje të korporatave, nuk mundet një bord i zgjedhur tërësisht nga politika të bëjë zgjidhje me një treg të tillë dinamik”, ka thënë Musa.

Eksperti i ekonomisë thotë se asnjë vend në rajon nuk e ka kompaninë telekomunikuese në pronë të shtetit.

Berat Rukiqi, ekspert i ekonomisë, vlerëson se Telekomin në këtë gjendje e kanë sjellë rritjet e shpenzimeve operative dhe mbipunësimet në këtë ndërmarrje.

“Mbipunësimi dhe rritja e shpenzimeve operative për një dekadë të tërë; duke qenë kompani publike nuk e ka pasur fleksibilitetin t’i përshtatet trendit global të zhvillimeve në sektorin e telekomit; mungesa e investimeve të duhura për vite të tëra; mungesa e kapitalit të freskët nga investimet private”, ka theksuar Rukiqi.

Rukiqi ka treguar edhe një model operimi për të shpëtuar ndërmarrjen nga kriza. Ai ka kërkuar zvogëlimin e shpenzimeve operative, uljen e pagave dhe rritjen e produktivitetit.