Ekonomia

Kosova promovohet në mediat italiane

Kosova promovohet në mediat italiane
22 prill 2018 • 11 : 40

Këto janë vendet e Prishtinës që duhet t'i vizitoni

Nëse është e vërtetë se një vend e bëjnë vetë banorët e tij, Kosova për mua është një nga vendet më të bukura në botë.

Në asnjë vend nuk kam takuar njerëz kaq të sjellshëm, kaq të disponueshëm dhe kaq të edukuar sa në këtë shtet të vogël (të madh) të Ballkanit.

Kështu e nis shkrimin e saj gazetarja dhe udhëtarja e njohur italiane, Francesca Masotti, të publikuar në blogun e saj “Francesca on the top World”.

Megjithë varfërinë ekonomike të një pjese të madhe të popullsisë, padrejtësitë e vuajtura para, gjatë dhe pas luftës dhe situatën aktuale politike në nivel ndërkombëtar, shqiptarët e Kosovës nuk e kanë humbur humanizmin e madh, që i karakterizon ata duke i bërë njerëzit më dinjitozë në botë.
Më shumë se një herë më ka ndodhur të kërkoj informacion për të arritur në një vend dhe njerëzit janë angazhuar për të më ndihmuar duke kontrolluar në Google Maps rrugën, për të më shoqëruar më pas në destinacionin tim, më urojnë ditë të mirë dhe më dhurojnë buzëqeshje para se të thonë mirupafshim, transmeton ATSH.

Për mua është shumë i rëndësishëm aspekti njerëzor në një udhëtim dhe Kosova nga ky këndvështrim, më ka prekur thellë dhe më la një kujtim shumë pozitiv, aq shumë saqë shpresoj që të kthehem sa më shpejt të jetë e mundur.

Ndërsa flamuri aktual i vendit që është blu dhe me gjashtë yje të verdhë (që përfaqësojnë gjashtë grupet etnike në vend, përkatësisht shqiptarët, serbët, turqit, romët, boshnjakët dhe goranët), duke udhëtuar në Kosovë do të shihni gjithmonë flamurin shqiptar: shqiptarët e Kosovës që takova gjatë udhëtimit tim, të gjithë kanë zemrat dhe mendjet e tyre drejtuar Shqipërisë, e konsideruar prej tyre si atdhe.

Duke udhëtuar në vend, megjithatë, më shumë se një herë e kam harruar se nuk jam në Shqipëri: ngjashmëria me Vendin e Shqiponjave, para së gjithash traditat historike dhe gjuha.

Gjithashtu, m’u duk absurde që duke ardhur nga Shqipëria të kalosh në kufi, të paraqesësh pasaportën dhe të hysh në një tokë ku jetojnë shqiptarë, flitet shqip, traditat dhe zakonet janë shqiptare dhe mbi të gjitha, banorët e konsiderojnë veten shqiptarë.

Ja çfarë mund të vizitoni në Prishtinë:

Bulevardin “Nënë Tereza”

Ky bulevard i madh për këmbësorë nuk ka ndonjë gjë emocionuese sa i përket arkitekturës, por ju duhet të kaloni patjetër aty për të arritur në zonat kryesore të qytetit sepse është shndërruar në shëtitoren e këmbësorëve të Prishtinës ku njerëzit duan të kalojnë kohën e lirë. Pranë tij gjendet Teatri Kombëtar i Kosovës, më i rëndësishmi në vend dhe në fund, ka një statujë të madhe kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar, i cili mbrojti Shqipërinë dhe Perëndimin nga përparimi i Perandorisë Osmane.

Muzeun etnografik “Emin Gjiku”

Muzeu Etnografik i Prishtinës është i vendosur në një ndërtesë të bukur osmane që ndodhet në lagjen më të vjetër të qytetit. Brenda tij ndodhen kërkime interesante të antikitetit, sidomos nga epoka osmane dhe në dhomat e saj ju mund të admironi objekte dhe artefakte interesante të atyre viteve.

Hyrja është e lirë dhe të ofrohet dhe udhëzuesi që shpjegon (në një anglishte të shkëlqyer) në mënyrë shumë të detajuar zbulimet dhe zakonet e kohës.

Xhaminë e Sulltan Mehmed Fatihut

Kjo xhami e bukur është ndërtesa më e rëndësishme e kultit islam në Prishtinë. Menjëherë pas vizitës sime, unë pashë thirrjen për namaz, një kohë kur të gjithë besimtarët kalonin në rrugë dhe tregtarët e dyqaneve pranë ndërtesës vraponin për të hyrë në xhami dhe të luteshin. Gjëja që më goditi më shumë për këtë ndërtesë ishin dekorimet e bukura të tavanit të brendshëm dhe, mbi të gjitha pamja e jashtme.

Monumentin “New Born”

Monumenti “Newborn” u ngrit në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe është një domosdoshmëri për këdo që viziton Prishtinën. Është vendi ideal për të bërë disa foto të bukura, por pa harruar rëndësinë historike, se sa arkitektonike. Një kuriozitet: çdo vit, 17 shkurt, pamja e monumentit ndryshohet. Këtë vit, me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë, shkrimi, siç mund ta shihni nga figura, përmban numrin 10.
Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”

Biblioteka Kombëtare e Kosovës është një ndërtesë e veçantë, vepër e arkitektit kroat Andrija Mutnjakoviç, e cilësuar nga shumica si një nga ndërtesat më të shëmtuara në botë. Sinqerisht kam gjetur këtë ndërtesë shumë interesante: jo vetëm jashtë me grilat e saj prej hekuri dhe 99 kupola të bardha secila prej një madhësie të ndryshme nga tjetra, por edhe brenda vendit ku mund të admiroje kupolat nga një këndvështrim tjetër.

Pranë bibliotekës ekziston një kishë ortodokse e papërfunduar: sipas planeve të Sllobodan Millosheviçit (ish-lideri serb i akuzuar për krime kundër njerëzimit jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje dhe Kroaci) do të ishte kisha më e madhe ortodokse serbe në Kosovë, por pas shpërthimit të luftës nuk ka përfunduar dhe duke gjykuar nga shteti në të cilin ndodhet, nuk mendoj se do të përfundojë shumë shpejt.

Katedralen katolike “Nënë Tereza”

E përuruar në shtator 2017, Katedralja e Nënë Terezës është kisha më e madhe katolike në Kosovë. Nënë Tereza ishte një nga figurat më të rëndësishme fetare të shekullit XX. Pra, nuk është e vështirë të kuptohet pse kaq shumë ndërtesa, rrugë, sheshe dhe vende të rëndësishme mbajnë emrin e saj në Kosovë dhe Shqipëri. 

© zëri.info