Fëmijët shërohen jashtë vendit, në Kosovë vetëm diagnostikohen sëmundjet e zemrës

Ekonomia April 21, 2018 - 08:25

Vetëm mund të diagnostikohen, por edhe jo të shërohen në institucionet publike shëndetësore fëmijët që kanë probleme me sëmundjet e zemrës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kjo po ndodh për shkak të mungesës së Klinikës së Pediatrisë Kirurgjike, për ndërtimin e së cilës tashmë gati tre vjet janë ndarë paratë, por që nuk është punuar asgjë.

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, ka treguar për “Zërin” se meqenëse nuk funksionon Kardiokirurgjia e Fëmijëve në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), fëmijët rekomandohen që të dërgohen për shërim jashtë vendit.

Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2015 kishin ndarë 22 milionë euro për ndërtimin e këtij reparti, i cili qe tre vjet nuk është ndërtuar.

Zyrtarë për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se është bërë pastrimi i hapësirës ku do të ndërtohet spitali dhe pritet që të fillojë ndërtimi i tij.

Ndonëse fëmijët me probleme në zemër nuk mund të shërohen në Kosovë, organizata “Gift of Life” tashmë disa vite ua ka mundësuar atyre të trajtohen falas jashtë vendit.

Mazllum Belegu, nga kjo organizatë, ka deklaruar për “Zërin” se kriter për përzgjedhjen e fëmijëve për trajtime falas janë kushtet jo të mira ekonomike, derisa sipas tij, deri në 30 fëmijë në vit përzgjidhen për të shkuar për shërim falas jashtë vendit.

Gojnovci: Sëmundjet diagnostikohen në Kosovë, shërohen jashtë vendit

“Në Klinikën e Neonatologjisë sëmundjet diagnostikohen nga mjekët kardiologë që punojnë në Klinikë. Sapo t’i diagnostikojmë ato raste duhet të transferohen jashtë shtetit për trajtim. Meqenëse nuk funksionon Kardiokirurgjia në kuadër të SHSKUK-së japim rekomandimin që përmes Ministrisë së Shëndetësisë të transferohen në një qendër që duhet të bëhet trajtimi i tyre i mëtutjeshëm”, ka thënë Gojnovci.

Zyrtarë për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për “Zërin” se Ministria  ka bërë pastrimin e hapësirës ku do të ndërtohet spitali dhe pritet që të fillojë ndërtimi i tij. “MSH-ja ka siguruar si donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe ndërtimin e një spitali kirurgjiko-pediatrik në vlerë prej 22 milionë eurove, që do të ndërtohet në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. MSH-ja ka bërë pastrimin e zonës ku do të ndërtohet spitali (midis Pediatrisë aktuale - Transfuzionit dhe të Gjinekologjisë) dhe hapi tjetër është fillimi i ndërtimit të këtij spitali modern, që është projektuar nga ekspertë të angazhuar nga EBA dhe në marrëveshjen me MSH-në e SHSKUK-në duke marrë parasysh kërkesat dhe nevojat konkrete”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, ky spital do të ofrojë shërbime të ndryshme për fëmijët. “Ky spital, për të cilin janë kryer përgatitjet e terrenit për fillimin e ndërtimit nga kompania e përzgjedhur prej vet donatorit, do t’i integrojë shërbimet për fëmijë duke ofruar shërbime të kirurgjisë për ta, duke përfshirë edhe kardiokirurgjinë e fëmijëve, shërbime radiologjike, shërbime të hemato-onkologjisë, neonatologjisë dhe të gjitha shërbimet e tjera diagnostike dhe terapeutike lidhur me fëmijët”, kanë theksuar ata.

 Zyrtarët për informim në këtë Ministri kanë treguar se fëmijët që kanë pasur nevojë janë trajtuar jashtë vendit nga Programi i MSH-së për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike

 “Gift of Life” u mundëson fëmijëve shërim falas jashtë vendit

Doktori Mazllum Belegu, nëpërmjet organizatës “Gift of Life”, tashmë disa vite ua ka mundësuar fëmijëve kosovarë me probleme në zemër të operohen falas në Amerikë.

Ai ka treguar për “Zërin” numrin e fëmijëve të cilët kanë kërkuar shërim jashtë vendit, si dhe kriteret të cilat duhet të plotësohen që fëmijët të marrin këtë trajtim falas. “Deri më tash janë dërguar në SHBA dhe disa vende tjera me të cilat ka marrëveshje ‘Gift of Life International’. 103 fëmijë dhe tetë të tjerë janë duke pritur ftesën dhe është çështje e ditës kur do të ftohen. Kriteri i parë për pranim është gjendja e keqe financiare e familjes që i përket fëmija. Pastaj kardiologu duhet të diagnostikojë defektin e lindur të zemrës dhe pas kësaj vjen ekipi i ‘Gift of Life International’ bën seleksionimin e atyre që janë dërguar nga kardiologët tanë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, në vit zgjidhen 20 deri në 30 fëmijë për trajtim jashtë vendit. “Prej vitit 2012 ‘Gift of Life International’ (GOLI) çdo vit vjen në misionin për përzgjedhjen e fëmijëve. Kur vijnë, punojnë 5 ditë dhe i kontrollojnë nga 20 fëmijë (shpesh bëhen më shumë, për shkak të interesimit më të madh). Kështu ka qenë vitin e parë. Dy ditët e para janë për t’i kontrolluar fëmijët e operuar, kurse tri ditët tjera për seleksionim të fëmijëve. Zakonisht zgjedhin prej 20 deri në 30 fëmijë. Numri më i madh i dërguar ka qenë në vitin 2012, 27 fëmijë dhe në vitin 2017 kur kanë shkuar 29 fëmijë”, ka thënë ai.

Belegu ka treguar se projekti do të zgjasë aq sa ka nevojë Kosova për dërgimin e fëmijëve me probleme në zemër jashtë vendit. Sipas tij, për fëmijët që udhëtojnë për shërim jashtë vendit Ministria e Shëndetësisë i paguan shpenzimet e udhëtimit. “Deri më tash Ministria e Shëndetësisë i ka paguar shpenzimet e udhëtimit. Nëse për shkak të mjekimit të zgjatur më shumë sesa është paraparë në fillim apo më të shpejtë duhet ndërruar biletat e aeroplanit, nëse në buxhetin tonë kemi mjete i paguan organizata jonë ‘Gift of Life Kosova’, nëse nuk kemi mjete (gjë që shpesh ngjan), i paguan familja e fëmijës”, ka deklaruar ai.