Muhaxheri: Është rinovuar 80% e rrjetit elektrik të Pejës

Ekonomia April 20, 2018 - 17:25

Investimet e vazhdueshme që Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike KEDS, që nga viti 2014 e deri më sot ka shtrirë në rajonin e Pejës, kanë ndikuar pozitivisht në përmbushjen e kërkesave të konsumatorëve të kësaj ane të Kosovës perëndimore.

Janë bashkësi të tëra territoriale, lagje të mëdha të qytetit dhe fshatra të tërë të Pejës, që kanë përfituar në këto vite nga projektet investive të KEDS.

Investimet kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së furnizimit, tensionin stabil, kualitetin e infrastrukturës energjetike e që ka të bëjë me rritjen e sigurisë qytetare ndaj mosekspozimit në rrezik. Këto investime kanë ndikuar edhe në rënien e humbjeve.

I kënaqur me krejt çfarë KEDS ka bërë ndër vite për rajonin dhe komunën e Pejës, shprehet edhe kryetari i kësaj komune Gazmend Muhaxheri.

“Jashtëzakonisht i kënaqur sepse Komuna e Pejës është komuna e parë me investime në Republikën e Kosovës. Bashkëpunimi jonë shumë i ngushtë ka bërë që rreth 80% e rrjetit të ndërrohet me rrjet të ri”, deklaron Gazmend Muhaxheri.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala thotë që KEDS është i përkushtuar të ofroj shërbime kualitative dhe falënderon kryetarin Muhaxheri për bashkëpunimin.

“Fakti që 80 për qind e rrjetit është renovuar, është tregues i qartë i përkushtimit të KEDS-it në ofrimin e shërbimeve sa më kualitative. E gjithë kjo është arritur brenda më pak se 5 vjetëve. Dua ta falënderoj me këtë rast edhe kryetarin Muhaxhiri. Falë bashkëpunimit të ngushtë të tij me KEDS që nga ditët e para kur nisëm operimet dhe angazhimit maksimal për zgjidhjen e secilit problem, sot pjesa dërrmuese e Pejës ka rrjet elektrik shumë më të mirë dhe më të sigurte”, thotë Buzhala.

Ndërkohë, Muhaxheri më tej thotë se komuna që ai drejton dhe KEDS kanë ndërtuar një listë prioritetesh në të cilat kjo e fundit (KEDS) do të investoj gjatë vitit 2018. Investim serioz i këtyre muajve dhe ditëve ka qenë edhe ai tek ‘Maja e zezë’.

“E kemi një listë të prioriteteve në Komunën e Pejës, e cila është në funksion të ofrimit më të mirë dhe më kualitativ të shërbimeve”, thotë kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri.

Muhaxheri pohon se sikur edhe në të kaluarën edhe gjatë vitit 2018 por edhe për projektet investive afatmesme të KEDS-it në rajonin e Pejës, komuna, respektivisht dikasteret përkatëse komunale ofrojnë garanci për bashkëpunim dhe lehtësim të të gjitha procedurave të kërkuara nga KEDS-i, që dalin si prioritet për tu përshpejtuar projektet.

“Bashkëpunimi jonë është në shumë fusha. Gjithë Komuna, respektivisht drejtoritë e linjës kanë bashkëpunim të mirë, gjithashtu të gjitha kërkesat e Komunës së Pejës hasin në mirëkuptimin e plotë të KEDS. Kjo nuk do të ndalet’’, përfundon kryetari i Pejës Muhaxheri.

Sipas statistikave komunale, në rajonin e Pejës deri më tash nga KEDS janë mbuluar rreth 80% e sistemit me rrjet të ri.