Të hapur për Serbinë, të mbyllur për Shqipërinë!

Ekonomia April 19, 2018 - 08:46
Flasin për ''Zërin'' përfaqësuesit e bizneseve kosovare

Rakinë të cilën e promovuan disa kompani serbe në panairin e përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2018” e shijoi edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, i cili cakërroi gotat me drejtorin e Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezin. Ky panair nuk u prit me kaq entuziazëm nga disa prodhues të kompanive vendore, të cilët po i pengon zhvillimi i biznesit në të njëjtin ambient me serbët, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Drejtorit të shitjes në kompaninë “Vipa Chips” Fatos Kastratit nuk po i pëlqen fakti që vetëm Kosova po mundohet ta luajë rolin e “nikoqirit”.

Kastrati, i cili po promovon produktet e kompanisë së tij në këtë panair, në një prononcim për Zërinka thënë se kanë pasur disa herë tentativa për eksport në shtetin serb, por kanë hasur në barriera.

“Produktet serbe janë shumë konkurrente në tregun e Kosovës. Mirëpo, krejt çka duhet të bëjmë është që Oda Ekonomike e Kosovës dhe institucionet e Kosovës të kenë takime të frytshme dhe jo të mbeten vetëm protokollare. Por, të kenë takime të frytshme në dobi të prodhuesve kosovarë që t’ua mundësojnë edhe prodhuesve kosovarë të krijohet mundësia për t’u listuar në tregun e Serbisë dhe nën zinxhirët e marketeve të Serbisë”, ka deklaruar ky përfaqësues i biznesit, pjesëmarrës në panair.

LEXO EDHE: Gëzuar për “pushtimin” ekonomik të Serbisë!

Atij po i pengon mungesa e mbështetjes institucionale.

Kastrati ka thënë se në Serbi nuk priten njësoj siç po priten kompanitë serbe në Kosovë, shkruan më tutje "Zëri".

“Ne jemi të interesuar dhe kemi pasur tentativa për eksport në Serbi, por ata nuk sillen sikur na qysh sillemi ndaj prodhuesve. Ata e mbrojnë prodhuesin dhe prodhimin e vet me masat e ndryshme, me politika shumë të favorshme. Kurse për ne mbetet shumë për t’u dëshiruar”, ka shtuar ai.

Kastrati më tutje pjesëmarrjen në këtë panair e konsideron më shumë si tradicionale sesa në shfrytëzim të gjetjes së ndonjë klienti të ri, me arsyetimin e se ky panair nuk e ka arritur numrin e vizitorëve nga Evropa ose nga Azia.

Të njëjtën shpresë se një ditë edhe prodhuesit kosovarë do të arrijnë t’i promovojnë produktet e tyre në Serbi e ka edhe Berat Uka, që përfaqësonte kompaninë “Elkos”.

“Panairi po shkon mirë. Jemi prezantuar me katër fabrika. Fabrikën e qeseve, të mishit, të pallomave dhe atë ushqimore. Po shihet që është rritur pjesëmarrja e kompanive serbe. Nëse faktikisht është rritur prezenca e tyre vlen ajo që edhe ne të kemi reciprocitet. Edhe prodhimet e Kosovës, edhe produktet e kompanive kosovare duhet të plasohen në tregun e Serbisë”, ka thënë ai.

Kompanitë serbe, të befasuara me mikpritjen kosovare

Përfaqësues të kompanive serbe, pjesëmarrëse në këtë panair, po tregojnë për marrëdhëniet që kanë krijuar me disa partnerë nga Kosova.

Srdjan Diliq, drejtor i shitjes së pijeve alkoolike, ka treguar për prodhimet që kanë ekspozuar në tregun kosovar, bashkë me publikimin e partneritetit me disa kompani kosovare.

“Ne prodhojmë pijet alkoolike nga pemët. Kemi 8 lloje të rakive në këtë panair. Dominon rakia prej dardhës. Kemi 37 prodhime nga këto 8 lloje të rakive. Sa i përket panairit në shtatorin e vitit të kaluar kemi marrë pjesë në një panair bujqësor në të cilin kemi krijuar kontakte me disa partnerë nga Kosova. Por, për shkak të disa çështjeve administrative nuk kemi mundësi njëherë për njëherë t’i plasojmë prodhimet tona në territorin e Kosovës”, ka treguar për “Zërin” përfaqësuesi i kompanisë serbe.

Edhe një përfaqësuese tjetër e një kompanie nga Vojvodina, e cila ka sjellë produkte higjienike për t’i ekspozuar në panairin “Prishtina 208”, i është gëzuar mikpritjes në Kosovë.

“Kjo kompani vjen prej Zrenjanin, Vojvodinë. Prodhimet tona janë kryesisht higjienike. Është hera e parë që marrim pjesë në këtë panair. Tani për tani përshtypjet janë pozitive. Tash do të shohim në të ardhmen çfarë bashkëpunimi do të kemi me prodhuesit kosovarë. Jemi pritur në mënyrë shumë të mirë. Sa i përket kësaj gjithçka është në rregull. Jemi shumë të befasuar se sa mirë është këtu tek ju dhe sa shumë keni përparuar në të gjitha aspektet”, është shprehur ajo.

Disa përfaqësues të tjerë serbë po shpresojnë se do të gjejnë partnerë për bashkëpunim, që ta zhvillojnë biznesin e tyre.

Një përfaqësues tjetër i një kompanie nga Serbia ka thënë se është hera e parë që po merr pjesë në këtë panair.

“Është hera e parë që marr pjesë në panair. Këto prodhime tona janë higjienike që njerëzit nuk munden pa to. Pa televizor munden e pa to jo. Industria ushqimore po zhvillohet në Kosovë, po shpresojmë që do të gjejmë partner edhe në këtë prodhim të bashkëpunojmë. Ndërkaq përshtypjet e mia të para, sidomos për Prishtinën, janë befasuese. Nuk kam qenë një kohë të gjatë në Prishtinë, mezi e kam njohur Prishtinën. Një qytet i rregulluar në mënyrë të jashtëzakonshme. Po e shoh që panairi është i mbushur, po shpresojmë të gjejmë diku 2-3 partnerë seriozë për bashkëpunim”, ka shtuar tutje ai.

Biznesmenët e ndajnë politikën nga ekonomia

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, e cila edhe është organizatore e panairit, ka përshëndetur guximin e biznesmenëve që të ndajnë politikën nga ekonomia.

“Agjenda politike viteve të fundit i ka lënë njëfarë forme nën hije proceset ekonomike. Dua të besoj që ndodhi dhe aktivitete të tilla po e kthejnë besimin në ardhmëri, po e kthejnë besimin në sektor privat dhe në vlera të ndërmarrësisë jo vetëm të rajonit, por edhe më gjerë. Sot me praninë tuaj Prishtinën e keni shndërruar në një vend të Ballkanit Perëndimor sa i përket aktiviteteve ekonomike. Kemi numër të madh të kompanive të vendit dhe të rajonit, janë sektorë elementarë nga ndërtimtaria, prodhimi, telekomunikacioni. Të veçantë e bën një pjesëmarrje të instituteve për arsim dhe edukim”, ka deklaruar Gërxhaliu në hapje të panairit.

Ai po beson se zhvillimi ekonomik, ka një ndikim në proceset e integrimeve evropiane veç politikës.

“Dua të besoj që nga ky panair do të ndërtohet një mesazh - ndërtojeni ardhmërinë e Kosovës dhe të rajonit me sundimin e rendit të ligjit. Kjo pamje sot flet më shumë se njëqind fjalë që kishim për t’i adresuar në botë. Janë këta biznesmenë që kanë guximin të ndajnë politikën prej ekonomisë. Si mund të kemi integrime evropiane vetëm nga dimensioni politik. Është e vërtetë që si OEK jemi anëtarë të barabartë në të gjitha instancat, e gjithë kjo nuk kishte mundur të arrihet pa një dialog dhe partneritet me të gjitha odat e rajonit”, ka përfunduar organizatori i panairit.

Në anën tjetër përkrahje për prodhuesit kosovarë premtoi ministri i Tregtisë dhe i Industrisë (MTI), Bajram Hasani. Hasani i cili qe pjesëmarrës në hapjen e këtij panairi tha se zhvillimi ekonomik arrihet vetëm përmes partneritetit.

“Panairi është mundësi e mirë i cili do të shërbejë si urëlidhëse mes kompanive tona dhe të huaja. Kompanitë të shfrytëzojnë mundësinë që ua jep ky panair. Zhvillimi ekonomik arrihet përmes partneritetit. Ne ju sigurojmë bizneseve tona gjithnjë duke respektuar MSA-në e CEFTA-n do t’i luftojmë konkurrencën jo të barabartë. Do t’i trajtojmë barrierat me te cilat po ballafaqohen bizneset tona", është shprehur i pari i MTI-së.

Ftesën se gjithë kompanitë mund të investojnë në Kosovë e ka zyrtarizuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj.

“Zhvillimi ekonomik është shndërruar në prioritet të Qeverisë dhe kjo është betejë që duhet ta fitojmë së bashku. Ky panair dëshirojmë që në të ardhmen të ketë pjesëmarrës edhe më shumë nga vendet evropiane. Njëra prej prioriteteve është që Kosova të jetë vend i hapur që gjithkush të vijë dhe të investojë. Dua ta ftoj secilin prej jush që të investoni në Kosovë. Ne do të bëhemi pjesë e BE-së, na mbetet ta caktojmë shpejtësinë e re drejt Evropës dhe kjo shpejtësi varet nga ekonomia më shumë sesa nga politika”.

Kompania që pësoi humbje nga skandali i mishit

Kompanitë kosovare që i kanë sjellë produktet e tyre të mishit për t’i ekspozuar në panairin “Prishtina 208” nuk po shprehen aq entuziaste për fitimin.

Arben Ferizi, menaxher zhvillimi në “Apetit Group”, në një prononcim për “Zërin” tha se faji i tregtarëve të pandërgjegjshëm kanë pësuar pak humbje si industri.

“Faji i shumë tregtarëve të pandërgjegjshëm industria jonë ka pësuar humbje pak, ka zvogëluar besimin që qytetarët kanë mbi produktet e mishit. Por, me punë dhe me përkushtim do t’i tejkalojmë. Realisht për industrinë tonë nuk kishte asnjë ekspozues serb që shiste ose prezantonte produkte të mishit. Kështu që nuk mund të jap koment mbi tjera produkte. Ka hapësirë të madhe që i është rezervuar komunitetit serb. Është njëra prej synimeve që të hyjmë në tregjet rajonale pse jo edhe në tregun serb”, ka treguar Ferizi.

Në këtë panair përveç produkteve ushqimore, higjienike, materialeve prodhuese, një hapësirë i është dedikuar edhe fushës së artizanaleve.

Fatime Zadriqi që merret me këtë punë tregoi se i ka ardhur një kërkesë nga Parisi për blerjen e një qilimi të punuar.

“Qe 20 vjet punoj me to, por mbas luftës ia nisa me punua. Qe 9 vjet jam nëpër panaire. Dhe ky panairi ku kam ardhur është shumë i mirë, i organizuar. Mua më ka pëlqyer shumë, kanë ardhur njerëz prej Parisi. Erdhi një njeri me ble një qilim. Kanë marrë njerëzit çorape. Ende është herët. Katër ditë është panairi, bëhet mirë”, ka thënë për “Zërin” Zadriqi.

Ndryshe, në këtë panair kanë marrë pjesë 74 kompani. Prej tyre 70 serbe, ndërsa vetëm një nga Shqipëria.