70 kompani serbe “pushtojnë” panairin “Prishtina 2018”

Ekonomia April 18, 2018 - 07:45
Lexo detajet

Rreth 70 kompani serbe do t’i ekspozojnë produktet e tyre në panairin e përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2018”, i cili do të hapet sot në Prishtinë. Kjo pjesëmarrje e madhe e tyre i ka irrituar shumë kompani kosovare, që tashmë kanë paralajmëruar se do ta anulojnë pjesëmarrjen aty. Pronarë të bizneseve në vend po thonë se kanë nevojë të marrin pjesë në panaire që organizohen në Kosovë, por barrierë po e shohin dominimin që u është ofruar ekonomistëve serbë shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, në një prononcim për “Zërin” nuk ka dashur ta komentojë pjesëmarrjen e kompanive serbe.

Por, ai ka treguar se panairi nuk është mbështetur financiarisht nga ministria që drejton dhe është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).

LEXO EDHE: Raporti i dështimit!

“Panairi ndërkombëtar “Prishtina 2018” organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk është organizator i këtij panairi. MTI-ja nuk e ka mbështetur financiarisht organizimin e këtij panairi. Ne jemi vetëm të ftuar në hapje të këtij panairi. Ne nuk e dimë se cilat kompani do të jenë pjesë e tij. Ne e dimë se panairi është me karakter ndërkombëtar”, ka thënë Hasani për gazetën “Zëri”.

Gërxhaliu: Ankesat vijnë nga pseudopatriotët

Por në anën tjetër, organizatori i panairit “Prishtina 2018”, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu, po i mohon pretendimet për kufizime dhe limitime në këtë panair. Gërxhaliu ka thënë për gazetën “Zëri” se këto ankesa po vijnë prej pseudopatriotëve kosovarë që paradite bëjnë biznes në Serbi dhe pasdite shesin patriotizëm folklorik në Kosovë. 

“Në rend të parë duhet të kuptohet që panairi ‘Prishtina 2018’ është panair tradicional ndërkombëtar, një panair që po rritet me Kosovën dhe forcimin e shtetit të Kosovës. Në rend të dytë, me vetë faktin që është panair ndërkombëtar nuk i jep mundësi kufizimi dhe limitimi askujt për asgjë. Dhe në rend të tretë, duhet të kuptohet që nuk janë vetëm kompani nga Serbia, por janë më tepër se 170 kompani, pjesa tjetër janë kosovare”, ka thënë Gërxhaliu për gazetën “Zëri”.

Ai më tutje ka treguar se njeri nga biznesmenët kosovarë që po kritikon për pjesëmarrje të madhe të bizneseve serbe në këtë panair ka nënshtetësi serbe e ku, sipas tij, ai e nget veturën me targa serbe.

Kryetari OEK-ut më tutje ka treguar se ky panair ka multidimensionalitet dhe nuk duhet analizuar vetëm nga dimensioni ekonomik, pasi ka rëndësi ekonomike, strategjike dhe integruese.

“Ky panair ka multidimensionalitet, nuk duhet panairi të analizohet vetëm nga dimensioni ekonomik, sepse sa ka rëndësi ekonomike, ka strategjike, sa ka rëndësi strategjike, ka rëndësi integruese dhe mbi të gjitha është një panair që nesër e vë Prishtinën si kryeqytet të ndodhive ekonomike në Kosovë”, ka shtuar më tutje kryetari i OEK-ut.

Organizatori i panairit “Prishtina 2018” ka deklaruar se panairi është i hapur për të gjithë bizneset pa përjashtime.

“Prandaj është i hapur për çdokënd dhe në këtë drejtim besoj që edhe bizneset vendore e kanë parë të rëndësishme të jenë aty me vetë faktin që kemi ma tepër se 90 kompani vendore, besoj që është një argument shumë i fuqishëm që panairi është i hapur për të gjithë, por jo për ata që tentojnë ta përdorin patriotizmin folklorik si argument për dështimet e tyre”, ka thënë ai.

“Në këtë drejtim nuk duhet të biem pre e njerëzve që tentojnë ta blejnë të kaluarën, që tentojnë ta përmirësojnë të kaluarën ose ta hijeshojnë të kaluarën. Neve na duhen biznese që ndërtojnë ardhmërinë dhe ardhmëria është zhvillimi ekonomik, fuqizimi i sektorit privat, sistemi i edukimit dhe mbi të gjitha sundimi i rendit dhe i ligjit. Dhe në fund të fundit, nesër nga Kosova lëshohet një mesazh shumë i rëndësishëm, jemi në rrugë të Evropës dhe Evropën duhet ta shohim jo vetëm nga dimensioni politik, por edhe nga dimensioni ekonomik. Prandaj, me gjepura të pseudopatriotëve duhet të ngopemi një herë e përgjithmonë”, ka thënë mes të tjerash Gërxhaliu. Për sfidat e prodhuesve kosovarë në Serbi Gërxhaliu thotë se Oda Ekonomike e ka ngritur këtë çështje disa herë.

“Ne si Odë ekonomike e kemi ngritur zërin dhe jemi pjesë e adresimit të këtyre sfidave, mirëpo është koha kur duhet të ndahet politika nga ekonomia. Kemi institucione të cilat duhet të lobojnë në këtë drejtim dhe besojmë ne do të jemi shtytës të këtyre proceseve që të kemi një tretman të barabartë me vendet e rajonit dhe më gjerë”, ka përfunduar organizatori i panairit “Prishtina 2018”.

Piraj: Serbia dëshiron të tregojë se Kosova është e saj

Pronarë të bizneseve në vend po mendojnë se me këtë panair Serbia po dëshiron ta tregojë forcën e saj në Kosovë.

Burim Piraj, pronar i fabrikës së përpunimit të mishit “Meka”, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se nuk janë kundër pjesëmarrjes së kompanive serbe, por e pengon fakti se prodhuesve kosovarë po u vendosen barriera për ekspozimin e prodhimeve të tyre në panaire të organizuara nga Serbia.

“Kjo ka të bëjë me diçka tjetër. Serbia po dëshiron të tregojë se Kosova ende është e saj. Edhe ajo vendos në Kosovë, ajo e ka primatin. Dhe vërtet ka më shumë firma serbe sesa kosovare që marrin pjesë në këtë panair. Nuk është çështja që jemi kundër krejt pjesëmarrjes, mirëpo jemi kundër asaj që nuk po aplikohet reciprociteti nga ana e institucioneve tona. Kur ka pasur kompani kosovare të cilat kanë dashur të marrin pjesë në panaire të Serbisë u janë vendosur barriera të ndryshme që t’i tejkalojnë dhe të mos i lejojnë assesi të marrin pjesë në panaire”, ka shprehur shqetësimin e tij Piraj.

Pavarësisht shqetësimeve të shumta, Piraj ka deklaruar se Serbia me çdo kusht po mundohet t’i pengojë prodhuesit kosovarë për depërtimin e produkteve të tyre. Piraj tregon pengesat që ka pasur vitin e kaluar në pjesëmarrjen e panairit të njëjtë.

“Vitin e kaluar kam marrë pjesë pasi i kemi ekspozuar produktet se aty ka qenë Oda Ekonomike e Serbisë dhe ata e kanë shkruar me shkronja të vogla dhe nuk e kemi ditur kush është ky subjekt. Kur e kemi marrë vesh se është Oda Ekonomike e Serbisë jemi tërhequr. Këtë vit e kemi parë prej fillimit që janë 67 kompani serbe dhe as që kemi aplikuar të marrim pjesë. Edhe pse kemi nevojë të marrim shumë pjesë në panair se firma jonë tremujorin e parë ka pasur 33 për qind rritje të prodhimit dhe të punës në përgjithësi, që është një rritje enorme ku jemi shumë të kënaqur. Duam të marrim pjesë në çdo ngjarje që organizohet brenda Kosovës, por edhe jashtë”.

Shatri: Po nënçmohen vendorët

Për organizimin e këtij panairi nuk po shprehet i kënaqur as këshilltari ekonomik i kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri.

Në një prononcim për “Zërin”, Shatri tha se nuk kanë të drejtë të përzihen meqenëse Oda vepron si asociacion i pavarur i bizneseve. Por, këshilltari i kryeministrit nuk po e mohon faktin se me këtë panair po nënçmohen prodhuesit vendorë.

“As neve nuk po na pëlqen kjo mënyrë kështu. Por nuk kemi të drejtë të përzihemi. Ai është asociacion i pavarur i bizneseve. Ata e organizojnë, ata i bëjnë ftesat, parimet e punës, krejt i bëjnë ata. Por jemi të informuar me këtë që po ndodh. Njëfarë përparësie, njëfarë rangimi ndryshe. Po i nënçmon vendoret, në këtë farë relacioni s’na ka pëlqyer. Nuk është në rregull, por s’kemi mundur të përzihemi, se ata janë përgjegjës për këtë punë, po mendoj për Odën Ekonomike. Ai që është shef i Odës vetë i bën ato ftesa e organizon, i thirr e ua cakton kuotat e pjesëmarrjes. Jemi në ngjarje kështu, por e shohim të jashtëligjshme që të përzihemi”, ka shtuar këshilltari i kryeministrit Haradinaj.

Shqetësimet e tij i ka shprehur edhe ish-drejtori i Odës së Afarizmit në Kosovë, Ismet Mulaj. Mulaj tha për “Zërin” se Serbia po përdor strategji si të jetë më prezente me produktet e shërbimet në tregun e Kosovës. Derisa nuk i mohon pengesat që po u bëhen bizneseve kosovare.

“Serbia ka strategji si të jetë më prezente me produktet dhe shërbimet e tyre në tregun e Kosovës.  Prandaj edhe kemi kaq numër të madh të biznesit serb në këtë panair. Serbia po i mbështet bizneset e veta me subvencione dhe politika lehtësuese që të jenë në tregun tonë. Kjo politikë e Serbisë po ndikon negativisht në zhvillimin e biznesit tonë në Kosovë. Biznesi ynë ballafaqohet me një serë barrierash që të jetë prezent në tregun serb ose ta përdorë territorin serb si transit”, ka deklaruar ish-drejtori i Odës së Afarizmit në Kosovë.