Për tre muaj shtohen 2515 veteranë

Ekonomia April 17, 2018 - 08:55
Fryhen listat e veteranëve për tre muajt e fundit

Gjatë tre muajve të fundit 2 mijë e 515 veteranë të rinj janë shtuar në listat e përfitimit të skemave pensionale këtë vit. Nga 34 mijë e 529 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), sa llogaritej të ishin përfitues të pensioneve të veteranëve vitin e kaluar, ky numër është rritur në 37 mijë e 44 veteranë aktualisht, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Numri i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që janë përfitues të pensioneve gjatë tre muajve të fundit është rritur për hiç më pak se 2515.

Musa Demiri, zëdhënës për informim në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale, ka konfirmuar se pensionin e veteranit të UÇK-së aktualisht e marrin 37 mijë e 44 veteranë.

Por ditë më parë gazeta “Zëri” ka raportuar se në fund të vitit që lamë pas numri i veteranëve kishte qenë 34529.

LEXO EDHE: Dy skema pensionale ''rrezikojnë'' buxhetin e shtetit

“Aktualisht pensionin e veteranit të UÇK-së e marrin 37 mijë e 44 veteranë. Përafërsisht ka qenë numër i njëjtë i përfituesve edhe gjatë vitit të kaluar”, ka treguar Demiri.

Ndonëse numri i veteranëve në bazë të statistikave po vjen duke u rritur, numri i tyre që po largohet prej listave të përfitimit të këtyre pensioneve nuk po del kaq i madh.

Deri më tani nga listat e përfitimit janë larguar mbi 1 mijë përfitues, shkruan më tutje "Zëri".

Kështu bëhet e ditur tutje në përgjigjen që MPMS-ja ka dhënë për gazetën.

LEXO EDHE: Mbi 34 mijë veteranë në llupën e kryeprokurorit

“Nga fillimi i zbatimit të kësaj skeme e deri më tash nga skema janë larguar mbi 1 mijë përfitues, për shkak të kalimit në skema tjera dhe për shkak të vdekjeve të përfituesve”, thuhet tutje në përgjigjen e këtij institucioni.

Kërkohet kujdes nga Ministria e Financave

Shqetësimin për numrin e shtuar të veteranëve e ka shprehur edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).

Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se disa herë kanë shprehur shqetësimin e tyre, për shkak të ngarkesave buxhetore dhe kërkesave të mëdha që dalin nga skemat e ndryshme sociale.

“Edhe më herët kemi shprehur shqetësimin për sa i përket rritjes së ngarkesave buxhetore për shkak të kërkesave të mëdha që dalin nga skemat e ndryshme sociale. Çështja e veteranëve tashmë është konfirmuar si e komplikuar, e cila kërkon një trajtim shkaku i pretendimeve për rritje të numrit të veteranëve”, ka deklaruar drejtori i Odës Amerikane në Kosovë.

Zeka ka kërkuar kujdes nga Ministria e Financave lidhur me kërkesat për shtim të numrit të përfituesve të skemave sociale, në mënyrë që të ruhet qëndrueshmëria buxhetore në vend.

“Kjo çështje tashmë është duke u verifikuar edhe nga organet ligjore, megjithatë institucionet përkatëse, në këtë rast Ministria e Financave, duhet të ketë kujdes lidhur me kërkesat për shtim të numrit të përfituesve të skemave sociale, ashtu që të ruhet qëndrueshmëria buxhetore në vend”, ka shtuar tutje ai.

Në anën tjetër Haki Shatri, ish-ministër i Ekonomisë dhe i Financave e njëkohësisht këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, në një prononcim për “Zërin” nuk ka dashur të flasë sa i përket numrit të shtuar, duke thënë se nuk është kompetent.

Mirëpo Shatri e ka pranuar se nuk është pritur në opinion se ky numër i përfituesve të dalë kaq i madh.

“Nuk jam kompetent ta them se ata si komision çka kanë bërë, a e kanë rritur arsyeshëm numrin apo e kanë zvogëluar, nuk jam i asaj fushe. Por, dihet se është një opinion i përgjithshëm që numri është rritur shumë dhe nuk është pritur të dalë kaq shumë edhe prej atyre që kanë qenë pjesëmarrës në luftë, edhe prej atyre që e kanë udhëhequr të dalë ky numër kaq i madh”, është deklaruar shkurt këshilltari i kryeministrit Haradinaj.

Kosova nuk mund ta përballojë skemën prej 100 milionë eurosh

Njohësit e çështjeve ekonomike po deklarohen se buxheti i Kosovës nuk ka potencial financiar që ta përballojë një skemë të kategorive të dala nga lufta në vlerë 100 milionë euro.

Naim Gashi, ekspert i ekonomisë, në një prononcim për “Zërin” duke komentuar planifikimet buxhetore të vitit 2018 kishte thënë se ky buxhet ka mangësi, të cilat janë cekur edhe në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Sipas tij, buxheti i Kosovës nuk ka potencial financiar që të përballojë një skemë të kategorive të dala nga lufta në vlerë prej 100 milionë eurosh, që sipas një përllogaritjeje të tij i bie se për dhjetë vjet për këtë kategori shpenzohen 1 miliard euro.

“Buxheti 2018 kishte disa mangësi të cilat janë cekur edhe në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, sidomos vërejtje kishte për skemën e pensioneve të kategorive të dala nga lufta. Buxheti i Kosovës nuk ka potencial financiar që ta përballojë një skemë të kategorive të dala nga lufta në vlerë 100 milionë euro, që për dhjetë vjet i bie se për këtë kategori shpenzohen 1 miliard euro”,  ka theksuar ndër të tjera eksperti i ekonomisë.

Gashi po pretendon se kjo ka ndikuar që të ketë edhe mungesë të zbatimit të rritjes së pensioneve të familjes sociale.

Ai ka kërkuar konsideratën e Qeverisë, se familjet që janë pjesë e skemës sociale kanë nevoja më të mëdha financiare.

“Kjo ka ndikuar që të ketë edhe mungesë të zbatimit të rritjes së pensioneve të familjeve të skemës sociale. Qeveria duhet të ketë në konsideratë se familjet që janë pjesë e skemës sociale kanë me të vërtetë nevoja të mëdha financiare, ndërsa të gjithë, pa përjashtim, pajtohen se lista e veteranëve është e fryrë dhe këtë e thotë madje edhe ish-kryetari i këtij Komisioni”, pati deklaruar Gashi.

Mbi 34 mijë veteranë janë nën llupën e kryeprokurorit të Shtetit

Përfituesit e shtuar të listës së veteranëve nuk do ta kenë fatin që t’i gëzojnë të gjitha përfitimet edhe gjatë.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi në një prononcim për “Zërin” pati treguar se Prokuroria është në fazën e grumbullimit të informatave, ndërsa do të kërkohet përgjegjësi penale për manipuluesit eventualë të listave të veteranëve të luftës.

“Nuk e di sa është numri i personave të dyshuar, sepse ne jemi akoma në fazën e grumbullimit të informatave. Jemi duke i shqyrtuar këto dosje dhe madje në bazë të shqyrtimit të dosjeve dhe të deklaratave të dëshmitarëve të dhomave të tjera prokurori vendos çka më tutje me këto raste të veteranëve”, kishte thënë Lumezi.

Për numrin e shtuar të veteranëve shqetësimin e kishte shprehur edhe shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar Ruud Vermuelen.

Vermuelen kishte deklaruar për “Zërin” se pa një riklasifikim sipas Ligjit të amendamentuar për Veteranët e Luftës, si dhe verifikimin e përfituesve shpenzimet do të rriten dhe do t’i tejkalojnë alokimet buxhetore prej së paku 20 milionë euro.

“Pa një riklasifikim, sipas Ligjit të amendamentuar për Veteranët e Luftës, si dhe verifikimin e përfituesve shpenzimet do të rriten dhe do t’i tejkalojnë alokimet buxhetore prej së paku 20 milionë euro, duke sjellë shpenzime në 1,2 për qind të GDP-së ose ½ për qind mbi tavanin 0,7 për qind të GDP-së, që do të hyjë në fuqi sapo riklasifikimi të përfundojë”, pati thënë shefi i FMN-së në Kosovë.

Ndryshe, duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara për Mirëqenien Sociale, thuhet se numri i përfituesve nga skema e pensioneve për veteranët e luftës, duke u bazuar në gjendjen e muajit dhjetor të vitit të kaluar ishte 36 mijë e 32 veteranë.

Prej tyre llogariteshin 34 mijë e 529 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), ndërsa 1 mijë e 503 familje të veteranëve.