Lajm i mirë për përdoruesit e shpesht të Rrugës së Kombit

Ekonomia April 15, 2018 - 16:38
Ja për çfarë bëhet fjalë

Zyrtarët e Qeverisë së Shqipërisë kanë paralajmëruar se do të diskutojnë për zvogëlimin e tarifave të rrugës së Kombit edhe për bizneset dhe qytetarët që lëvizin shpesh në drejtim të Shqipërisë. Por, nuk kanë dhënë shenja se do të zbritet shuma prej dhjetë eurosh për kosovarët që shkojnë më rrallë në tokën shqiptare. E krejt ndryshe, Qeveria e Shqipërisë planifikon të veprojë me kuksianët, të cilët pritet të kenë një tarifë shumë të ultë të pagesës për përdorimin e rrugës.

Këshilltari i ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Dardan Malaj i kontaktuar nga Gazeta Express tha se pasi të jetë përcaktuar formula lehtësuese për banorët e qarkut të Kukësit, atëherë grupi negociator do t’i fokusojë diskutimet tek përdoruesit e tjerë të shpeshtë të rrugës së Kombit, që nuk janë nga qarku i Kukësit. Këtu përfshihen edhe qytetarët e Kosovës, të cilët e frekuentojnë shpesh këtë rrugë, jo vetëm për biznes, por edhe për turizëm.

Pra, tarifa pritet të ulet për personat që e vizitojnë më shpesh shtetin shqiptar duke u futur në kategorinë e “përdoruesve të shpeshtë”.

“Njëjtë edhe për shqiptarët e tjerë në territorin e Shqipërisë, të cilët nuk janë banorë të Kukësit. Më përcaktimin e kategorisë “përdorues të shpeshtë”, edhe ndaj tyre do të ketë pagesa të lehtësuara”, tha Malaj.

Sidoqoftë zyrtarë nga Qeveria e Kosovës, deklaratën e ministrit Damian Gjiknuri se tarifa do të ulet për banorët e Kukësit duke mos i përmenduar kosovarët, e kanë cilësuar si injorim dhe goditje për Kosovën.

I kontaktuar nga Gazeta Express, Fatos Mani, këshilltari i Pal Lekajt, thotë se është keq që Shqipëria e ka harruar Kosovën për negociatat për tarifa të reja për Rrugën e Kombit.

"Krejt çka mund të them për këtë temë, them se është mirë që është ulur taksa për banorët, por shumë keq që Kosova është harruar për marrëveshjen për tarifa te reja. Shumë keq që Ministria e Infrastrukturës së Shqipërisë e ka harruar Kosovën në trajtimin e  tarifave të reja me koncensionarin”, tha Mani të dielën për Gazetën Express.

Megjithatë, Malaj thotë se grupi negociator me koncensionarin është ende në diskutime për sa i takon konceptit të përdoruesve të shpeshtë të rrugës dhe trajtimit te tyre, pavarësisht se nga vijnë ata. Në momentin kur këto bisedime do të përmbyllen, vendimmarrjet do të bëhen publike. /Gazeta Express