Haradinaj për autostradën e re: Po bëhet më afër edhe Presheva me Prishtinën

Ekonomia April 15, 2018 - 14:10
Detajet

Kanë nisur zyrtarisht punimet për ndërtimin e autostradës 22-kilometërshe që do ta lidhë Anamoravën me kryeqytetin.

Fillimi i punimeve është bërë në Zhegoc të Gjilanit, pikërisht në ditën kur shënohet edhe 19-vjetori i Betejës së Zhegocit, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ky është një moment që qytetarët e kanë pritur gjatë.

LEXO EDHE: Hasani: Autostrada Prishtinë -Gjilan -Dheu i Bardhë lidh shqiptarët dhe ndihmon zhvillimin ekonomik

“Ka diçka që na bën sot me u ndi më mirë sesa viteve të tjera kur kemi kujtuar të rënët për liri. Sot po mundemi me bashkë me këtë emocion të kemi edhe një ndjenjë të një arritjeje. Atdheu ynë po bëhet më bashkë; po bëhet më afër edhe Presheva me Prishtinën”.

Kreu i Qeverisë theksoi se kjo autorrugë me katër korsi do t’i lidhë njerëzit, ekonominë por edhe ndjenjat.

“Më vjen mirë që 87 milionë euro të pjesës së parë janë të zotuara. Në këta parametra dhe në këtë qëllim nuk do dështojmë as qeveria as punëkryesi. Kemi edhe pjesën e mbetur për këtë autostrade po ju premtoj që do vazhdojmë”, tha Haradinaj.

“Nuk është meritë e imja kjo, e Qeverisë Haradinaj, është e të gjitha qeverive, e taksapaguesve. Po i dalim zot çdo pjese të atdheut. Prishtina do jetë e lidhur me Pejën, Gjakovën, Shkupin, Tiranën.

E gjithë infrastruktura e Kosovës do të jetë e kryer në 2023. Nuk do të ketë vendbanim urban pa u lidhur në autorrugë”, theksoi shefi i Qeverisë.

Lekaj: Një gjigand infrastrukturor me 22,61 km, 4 shirita, dhe të gjitha standardet

Në ceremoninë e inaugurimit të punimeve merrnin pjesë dhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj; ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj; kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri; e shumë qytetarë.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se sot po nis ndërtimi i këtij gjigandi infrastrukturor, falë dhe gjakut të dëshmorëve që e solli lirinë. “Përkujtimi i dëshmorëve që ranë në altarin e lirisë është detyrë dhe obligim i yni, sepse falë gjakut të tyre kemi mundësi të investimit në infrastrukturë rrugore”, u shpreh Lekaj.

“Jemi këtu për të nisur një gjigand infrastrukturor me 22,61 km me 4 shirita dhe të gjitha standardet e nevojshme, që do shkurtojë kohën e lëvizjes nga Prishtina në Gjilan dhe në Evropë”.

Ai theksoi se është prioritet i MI-së që t’i lidhin qytetarët dhe bizneset mes vete.

“Vitin 2019 do të fillojë edhe autostrada Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë. Rrugët duhet të shihen si jetike për Kosovën”, u shpreh ai.

Reshitaj: Edhe Gollaku do të të ketë autorrugë moderne

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, u shpreh e lumtur për fillimin e ndërtimit të kësaj autostrade të re. Ajo theksoi se në 19-vjetorin e Betejës së Zhegocit po jetësohet një vepër madhështore që do t’iu shërbejë qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

“Jam e lumtur që sot gjendem në Anamoravë në vendin e sakrificës, kulturës… për të nisur një vepër të veçantë për qytetarët e kësaj ane dhe të Kosovës”.

Ajo theksoi se MMPH-ja po luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e rrugëve, duke evituar çdo burokraci në shpronësimin e pronave. Ajo u zotua se do të ndërtohet dhe rruga Badoc-Slivovë-Kamenicë, që edhe Gollaku të ketë autorrugë moderne.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e konsideroi ndërtimin e kësaj autostrade të rëndësishëm jo vetëm për qytetarët e Gjilanit, por edhe ata të Luginës së Preshevës.

“Edhe pjesa e Preshevës do të integrohet më lehtë në këtë autostradë, për zhvillim ekonomik e qarkullim më të shpejtë”. Sipas tij, ky integrim i jep Kosovës mundësi, që edhe në korridorin e kombit, Anamorava dhe kjo pjesë, të integrohen më pak se gjysmë ore, por edhe Kosovës në daljen e korridorit të dhjetë ndërkombëtar, që është Shkup-Selanik.

Haziri tha se kontribuues të mëdhenj janë dhe bashkatdhetarët e Anamoravës, që sipas tij po luajnë rol të rëndësishëm edhe në zhvillimin ekonomik të kësaj pjese.

“32% e popullatës së Anamoravës jetojnë në Evropë dhe janë kontribuuesit më të mëdhenj të ekonomisë. Ua atribuojmë këtë rezultat edhe bashkatdhetarëve tanë në Evropë. Ata janë heronj të gjallë”, u shpreh Haziri.

Sipas kreut të Komunës së Gjilanit, nga kjo qeveri do ndërtohet rruga prej Zhegocit e deri në Lipjan. “Kjo do të lehtësojë qarkullimin më të lehtë të banorëve dhe do lehtësojë edhe jetën e këtyre banorëve”.

Kryeministri Haradinaj, bashkë me ministrat e tij dhe zyrtarët e tjerët, para fillimit të ceremonisë së inaugurimit të punimeve në autostradë, bënë homazhe për të rënët në Betejën e njohur të Zhegocit.