Për kthimin e fondit pensional nga Serbia nuk është diskutuar asnjëherë

Ekonomia April 14, 2018 - 08:46
Lajmet

As gati dy dekada pas përfundimit të luftës zyrtarët shtetërorë të Kosovës nuk kanë gjetur “kohë” të ulen në një tryezë me serbët që të diskutojnë çështjen e kthimit të fondit pensional nga Serbia. Madje, nuk dihet as numri i kosovarëve që janë përfitues të pensioneve nga shteti serb, me pretendimin se realizimi i tyre është bërë në baza private ose në forma tjera vepruese, shkruan sot Gazeta "Zëri.

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale (MPMS) Skënder Reçica në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se deri më tash Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka diskutuar me qeverinë e Serbisë për kthimin e fondit pensional të qytetarëve të Kosovës që kanë punuar atje. Reçica nuk ka ofruar madje as shifra për shumën e mjeteve që Serbia nuk ua ka paguar pensionistëve kosovarë, për shkak të pagesave të atëhershme me valutë tjetër, ndërrimin e infrastrukturës ligjore, si dhe numrin e personave që është dashur të jenë përfitues të skemave pensionale. Përveç çështjes së kthimit të fondit pensional nga Serbia, ministri ka komentuar edhe premtimet e bëra kohë më parë për ndalimin e pensioneve të pleqërisë për pensionistët që janë përfitues të pensioneve nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Ministri i Punës po thotë se që nga ardhja e tij në krye të këtij dikasteri nëpërmjet zyrave të punësimit kanë ndërmjetësuar në punësim të rregullt të 2 mijë e 346 personave, ndërsa 1 mijë e 466 prej tyre janë përfshirë në masat aktive të tregut të punës.

Zëri: Bisedimet teknike me Serbinë për çështjen e kthimit të fondit pensional patën filluar kohë më parë? A ka përparim në këtë çështje?

Reçica: Sa i përket çështjes së kthimit të fondit pensional, bisedimet teknike apo negociatat me shtetin serb nuk kanë filluar ende. Ka shumë njerëz që kanë punuar dhe kane kontribuuar me vite dhe nuk po i gëzojnë të drejtat e tyre. Mendoj se kjo është një e drejtë e cila është duke iu mohuar kësaj kategorie, e cila ka derdhur djersën e tyre sepse të drejtat e tyre po tjetërsohen. Unë e kam vënë në gatishmëri Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale (MPMS) që këto kategori ta gëzojnë këtë të drejtë dhe ne do të jemi në shërbim të tyre, por kjo e drejtë nuk është në përgjegjësinë tonë dhe tejkalon fushën e Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale. Mendoj se zgjidhja duhet kërkuar përtej Ministrisë sonë dhe madje pse jo kjo temë të jetë një nga temat e radhës që duhet të diskutohet me shtetin e Serbisë në kuadër të dialogut.

Zëri: A keni informacione sa është numri i qytetarëve që marrin pensione nga shteti serb, si dhe sa është numri i atyre që u takojnë e nuk e gëzojnë këtë të drejtë?

Reçica: Realizimi i pensioneve nga ana e qytetarëve të Republikës së Kosovës ose marrja e tyre nga shteti serb fatkeqësisht është bërë në baza private, ose në forma të ndryshme vepruese. Ndërsa numri eventual i përfituesve është çështje që duhet të analizohet, duke marrë parasysh se numrat janë të lëvizshëm, si dhe realizimi i pensioneve përfshin disa lloje të pensioneve, duke filluar nga pensioni i punës, pensioni familjar, pensioni invalidor i punës, pensioni trashëgues, etj. Kështu që, kur flasim për numrin e saktë kjo është një çështje që duhet të konstatohet me rastin e fillimit të bisedimeve apo të negociatave.

Zëri: A ka shpresa për kthimin e fondit pensional?

Reçica: Çështja e fondit pensional është çështje që duhet të sqarohet për arsye se në këtë rast kemi të bëjmë me një obligim ligjor që ka Serbia për kthimin, ose pagesën e pensioneve për qytetarët e Kosovës që kanë realizuar këtë të drejtë në sistemin e atëhershëm të sigurimit pensional invalidor. Pra, çështja e kthimit të fondit pensional është diçka që duhet të sqarohet. Nuk mund të themi se ka ekzistuar një fond me mjete kushedi se sa për arsye se fondi është mbajtur në forma rimbursive, ose me parim të solidaritetit, “gjenerata mban gjeneratën”, prandaj për këtë duhet të diskutohet për të gjetur formën më adekuate të veprimit.

Zëri: Deri më tash a është bërë ndonjë përllogaritje sa është shuma e mjeteve që Serbia nuk ua ka paguar pensionistëve kosovarë?

Reçica: Kur flasim për shumën e mjeteve, ne mund të flasim vetëm për vlera të supozuara duke marrë parasysh shumë faktorë që përfshijnë pagesën e kontributeve të atëhershme me valutë tjetër, ndërrimin e infrastrukturës ligjore, si dhe numrin e personave që është dashur të jenë përfitues sipas skemave pensionale. Duke i marrë parasysh këta faktorë ne nuk mund të flasim për një shumë të caktuar. Edhe kjo çështje duhet të sqarohet dhe të konkretizohet me nisjen e procesit dhe të gjetjes së formave adekuate të veprimit sa i përket realizimit të të drejtave të këtyre kategorive, që kanë kontribuuar me vite dhe nuk po i gëzojnë të drejtat e tyre, gjegjësisht të kthimit të fondit pensional nga Serbia.

Zëri: Po ashtu për një kohë të gjatë grupet teknike të Kosovës dhe të Maqedonisë ishin takuar së bashku për të zgjidhur problemin e pensionistëve të këtyre shteteve. Çka ka ndodhur deri më tash?

Reçica: Në fakt, me shtetin e Maqedonisë kohë më parë ne kemi nënshkruar Marrëveshjen për Konfirmimin e Periudhave të Sigurimit. Kjo marrëveshje e nënshkruar është duke u zbatuar në vazhdimësi. Në një të ardhme të caktuar, ndoshta do të ketë ndrysim-plotësim të kësaj marrëveshjeje, gjithmonë në interes të qytetarëve, varësisht nga kërkesat dhe nga rastet e paraqitura nga qytetarët.
 

Zëri: Kush i paguan pensionet e qytetarëve të Kosovës që kanë punuar në Maqedoni e të Maqedonisë në vendin tonë?

Reçica: Këto procedura janë të ndërlidhura me shtetësinë dhe me vendbanimin e përfituesve të pensioneve, duke u bazuar në Marrëveshjen për Konfirmimin e Periudhave të Sigurimit në mes të Kosovës dhe të Maqedonisë. Për sqarim të mëtejmë, shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë stazh të sigurimit pensional në Maqedoni e të cilët janë banorë të Republikës së Kosovës dhe jetojnë në Kosovë paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, ndërsa qytetarët me shtetësi maqedonase dhe me vendbanim në Maqedoni, të cilët kanë pasur sigurim pensional në Kosovë, pensioni i tyre paguhet nga buxheti i Maqedonisë.
 

Zëri: Kohë më parë ishte premtuar se shumë shpejt do të ndalen pensionet e pleqërisë për pensionistët të cilët marrin pensione nga shtete të ndryshme të BE-së. A ka ndodhur një gjë e tillë, nëse jo pse, nëse po kur ka ndodhur?

Reçica: Jemi në vazhdimësi të nënshkrimit të marrëveshjeve për sigurime sociale me disa shtete dhe me rastin e fillimit të zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të shkëmbehen të dhënat e nevojshme dhe do të veprojmë në harmoni me legjislacionin e të dyja vendeve. Dhe me lidhjen e këtyre marrëveshjeve, sigurisht që qytetari i cili jeton në shtetet tjera nuk do të jetë përfitues i pensionit bazë. Ne tashmë kemi nënshkruar Marrëveshjen për Sigurime Sociale me Mbretërinë e Belgjikës dhe jemi në prag të nënshkrimit të një marrëveshjeje të njëjtë me Zvicrën. Gjithashtu, jemi në negociata edhe me disa shtete tjera për marrëveshje të ngjashme.

Zëri: Sa do të kursehej buxheti me këtë vendim?

Reçica: Siç e përmenda edhe më lart, ne kemi nënshkruar një Marrëveshje për Sigurime Sociale me Mbretërinë e Belgjikës, të parën marrëveshje ndërkombëtare të llojit të tillë dhe jemi në procedurë për marrëveshje të ngjashme edhe me shtete tjera. Me nënshkrimin e marrëveshjeve për sigurime sociale me shtetet përkatëse do të rregullohet edhe çështja e pensionit bazë, rrjedhimisht qytetarët që jetojnë në shtetet tjera përkatëse nuk do të jenë përfitues të këtij pensioni. Në këtë pikë, sigurisht që mjetet e kursyera do të varen nga nënshkrimi dhe nga fillimi i zbatimit të marrëveshjeve për sigurimet sociale me shtetet përkatëse.

Zëri: Sa është numri?

Reçica: Sa i përket numrit që do të largohen nga pagesat, është çështje e vendimeve që duhet të ndërmerren në vazhdimësi, pas nënshkrimit të marrëveshjeve gjegjëse, përkatësisht pas fillimit të zbatimit të këtyre marrëveshjeve. Natyrisht se edhe kjo çështje do të zgjidhet dhe do t’i koordinojmë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të vendimeve që do të ndërmerren në të ardhmen rreth konkretizimit të listave, përkatësisht atyre që do të largohen nga pagesa.

Zëri: A është dukë rënë apo duke u rritur numri i qytetarëve që jetojnë me asistencë sociale?

Reçica: Sipas të dhënave që ne disponojmë, numri i familjeve përfituese në Skemën e Ndihmës Sociale gjatë tremujorit të parë të vitit 2018 është gati i njëjtë, me një tendencë të lehtë të rënies së këtij numri. Dhe nëse krahasojmë këto të dhëna edhe me ato të vitit 2017 gjithashtu mund të themi se ka një tendencë të lehtë në rënie të përfituesve të asistencës sociale, mirëpo përgjithësisht numri vazhdon të mbetet i njëjtë.

Zëri: Sa është numri i qytetarëve që janë në Skemë Sociale?

Reçica: Në muajin mars 2018 në nivel vendi në Skemën e Ndihmës Sociale kanë qenë të përfshirë gjithsej 26.094 familje, të cilat kanë përmbushur kriteret e përcaktuara për përfitim të asistencës sociale, në kuadër të Skemës së Ndihmës Sociale.

Zëri: A ka përparim në punësim, sa punëtorë keni punësuar nga ardhja juaj në krye të Ministrisë?

Reçica: Qysh nga marrja e detyrës si ministër i Punës dhe i Mirëqenies Sociale rëndësi të veçantë i kam kushtuar çështjes së punësimit, sidomos të të rinjve. Nga shtatori i vitit të kaluar e deri në mars të këtij viti nëpërmjet zyrave të punësimit në nivel vendi ne kemi ndërmjetësuar në punësim të rregullt 2346 persona, ndërkaq 1466 persona janë përfshirë në masat aktive të tregut të punës. Duhet përmendur se objektivit të punësimit i ka paraprirë edhe aftësimi profesional. Nga shtatori i 2017-s e deri në mars të këtij viti në të shtatë qendrat e aftësimit profesional në nivel vendi trajnime kanë ndjekur 3519 kandidatë, ndërkaq janë certifikuar 2432 prej tyre. Përgjatë dy javëve rresht unë kam vizituar të shtatë qendrat e aftësimit profesional ku kam takuar shumë kandidatë, të rinj dhe të reja, të cilët po ndjekin kurse të aftësimit në 30 profile të akredituara në këto qendra. Shumica e këtyre kandidatëve, të cilët certifikohen në profile gjegjëse, arrijnë të gjejnë një vend pune apo të hapin bizneset e tyre. Unë kam takuar edhe disa nga këta të certifikuar të cilët janë punësuar apo kanë hapur bizneset dhe mund të them se ky aftësimi profesional po shërben në masë të madhe për rritjen e punësimit, sidomos te të rinjtë dhe te të rejat.

Zëri: Kur keni ardhur në këtë pozitë sa ka qenë numri i të papunëve dhe sa është tash?

Reçica: Duke iu referuar tremujorit të parë të këtij viti numri i punëkërkuesve të regjistruar aktualisht është 5187, ndërkaq në periudhën shtator 2017 - dhjetor 2018 numri i punëkërkuesve të regjistruar ka qenë 4785. Menjëherë pas marrjes së detyrës rëndësi të veçantë i kam kushtuar çështjes së punësimit, respektivisht rritjes së punësimit.

Në periudhën shtator 2017 - mars 2018 nëpërmjet zyrave të punësimit ne kemi ndërmjetësuar në punësim të rregullt të 2346 personave, ndërkaq në masat aktive të tregut të punës kemi përfshirë 1466 persona. Objektivit të punësimit i ka paraprirë edhe aftësimi profesional ku përgjatë të njëjtës periudhë në shtatë qendrat e aftësimit profesional në nivel vendi trajnime kanë ndjekur gjithsej 3519 kandidatë, ndërkaq janë certifikuar 2432 prej tyre.

Zëri: A ka lidhur Kosova marrëveshje me shtete të huaja për punësim të përkohshëm, nëse po a po respektohen këto marrëveshje?

Reçica: Ne jemi duke shikuar mundësinë për arritje të marrëveshjeve me disa shtete të Bashkimit Evropian për punësim sezoni të qytetarëve tanë. Para disa ditësh kam takuar ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviç, me të cilën kemi diskutuar për proceset sa i përket punësimit sezonal.

Mund të konfirmoj se ne jemi duke punuar fort në këtë drejtim dhe jemi në diskutime me disa shtete të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të mundë të kemi së paku një marrëveshje të tillë deri në fund të këtij viti.