Pacientët po i blejnë vetë barnat, të cilat janë përgjegjësi e MSH-së

Ekonomia April 13, 2018 - 08:01
Lexo detajet

Ndonëse sigurimi i barnave nga lista esenciale është kompetencë e Ministrisë së Shëndetësisë, kjo nuk ka kryer përgjegjësinë e saj. Mosnënshkrimi i kontratave me arsyetimin se do ta dëmtojnë buxhetin e Ministrisë ka bërë që të ketë mungesa nga lista esenciale. Si pasojë e kësaj pacientët ankohen se vetë po i blejnë barnat, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Pacientët në Kosovë detyrohen që vetë t’i blejnë barnat e listës esenciale, pasi këto ndonëse do të duhej të siguroheshin nga Ministria e Shëndetësisë nuk ofrohen në spitale.

Farmacistët kanë pohuar për gazetën “Zëri” se shumë nga barnat e listës esenciale të cilat duhet të ishin në spitale pacientët i blejnë vetë në barnatore.

LEXO EDHE: Aktakuzë ndaj Pal Lekajt dhe 6 zyrtarëve të Komunës së Gjakovës

Ata kanë shprehur edhe keqardhjen te disa pacientë, të cilat në shumë raste nuk kanë as me çfarë t’i blejnë këto barna.

Në lidhje me këtë zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se disa mungesa të listës esenciale janë bërë për shkak të mosnënshkrimit të kontratave që kanë pasur çmime të cilat do ta dëmtonin buxhetin.

Sipas tyre, së shpejti do të ketë edhe përmirësime.

Në anën tjetër, mungesa e barnave të listës esenciale e ka shqetësuar edhe anëtarin e Bordit të SHSKUK-së, Shemsi Veseli.

Ai ka konsideruar se furnizimi me barna esenciale duhet të jetë 24 orë së paku në Qendrën Emergjente.

Pacientët ankohen për shpenzimet që i bëjnë për barna

D.D., familjar i një pacienti, ka treguar për gazetën “Zëri” se ata i blejnë vetë barnat dhe materialet shpenzuese pasi QKUK-ja nuk po ua mbulon këto shpenzime.

Ai ka thënë se tashmë disa muaj janë duke i blerë barnat nga lista esenciale, derisa konsideron se në kushte të tilla është e vështirë të jetohet në Kosovë.

Problemin e njëjtë e kanë edhe pacientë të tjerë, të cilët në mënyrë anonime kanë treguar për “Zërin” se ndonëse duhet t’i blejnë barnat vetë ata kanë probleme pasi që disa barna nuk po i gjejnë në Kosovë.

Sipas tyre, duhet që t’i porosisin familjarët e tyre në Gjermani që t’ua sjellin barnat të cilat nuk po gjenden në vendin tonë.

Farmacistët kanë treguar se pacientët shkojnë më së shumti në barnatore për t’i blerë produktet esenciale, të cilat nuk gjenden në spitale.

“Fashat, kanellat, fllasterat kërkohen shumë sepse ndodh që s’ka as në spital, gjë që duhet të ketë patjetër. Betadine 10% duhet të jetë në spital, por ka shumë mungesë të tij. Mjekët u shkruajnë pacientëve edhe deri në 5 kutia betadine 10% për t’i blerë”, ka thënë njëra nga farmacistet për “Zërin”.

Ajo ka treguar se shumë nga pacientët nganjëherë nuk kanë as para për t’i blerë barnat.

Mungesa e listës esenciale është shkak i mosnënshkrimit të kontratave

Zyrtarë për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për “Zërin” se disa mungesa të listës esenciale janë bërë për shkak të mosnënshkrimit të kontratave, që kanë pasur çmime të cilat do ta dëmtonin buxhetin.

“Disa mungesa aktuale kanë të bëjnë me mosnënshkrimin e kontratave për ato barna ku operatorët kanë aplikuar me çmime joreale të tregut apo me çmime shumë të larta që e dëmtojnë buxhetin e shëndetësisë. Për këto raste do të ketë rivlerësime”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, MSH-ja është në proces të lidhjes së kontratave të reja për barna dhe se gjatë këtij muaji pritet të ketë përmirësime.

“Ministria e Shëndetësisë është në proces të lidhjes së kontratave të reja për produkte të ndryshme për barna dhe për material shpenzues, derisa përmirësimi me citostatikë është në nivele të larta. Që prej muajit të kaluar kanë filluar furnizime javore për spitalet dhe për qendrat mjekësore në vend, ndërsa gjatë prillit e majit pritet të ketë përmirësime të tjera”, kanë thënë ata.

Po ashtu, ata kanë bërë të ditur se është krijuar edhe një sistem, i cili do ta ndihmojë Ministrinë që të ketë informacione për kontratat që përfundojnë.

“Gjithashtu, është krijuar edhe një sistem i përcjelljes së ecurisë së përmbushjes së kontratave që do t’i mundësojë Ministrisë që me kohë të planifikojë dhe të zhvillojë procedura prokurimi me qëllim që institucionet të kenë një furnizim të qëndrueshëm. Ky sistem i mundëson Ministrisë që disa muaj më parë të ketë informacionin e saktë se cilat kontrata përfundojnë dhe jep mundësinë që çdo procedurë të zhvillohet në kohë reale për kontraktimet e reja”, kanë theksuar ata.

Për më shumë, zyrtarë për informim nga kjo Ministri kanë treguar se janë po ashtu në proces të revidimit të listës esenciale.

“Ministria është në proces të revidimit të listës esenciale me ndihmën edhe të ekspertëve të OBSH-së dhe ajo listë do të reflektojë kërkesat për futjen në përdorim të terapive të reja në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme”, kanë thënë ata.

Veseli: Furnizimi me barna të listës esenciale të bëhet së paku në Emergjencë

Anëtari i Bordit në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK), Shemsi Veseli, ka thënë për “Zërin” se ka mungesë në listën esenciale pasi Ministria e Shëndetësisë nuk i ka përcjellë kontratat të cilat kanë qenë duke skaduar.

“Zyra e Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë nuk i ka përcjellë në kohë kontratat të cilat kanë qenë për t’u skaduar dhe si rezultat i kësaj ne tash kemi mungesë në listën esenciale të cilat po na qesin edhe ne në një pozitë të palakmuar si mjekë që jemi duke punuar. Pacienti të gjithë frustrimin që e ka po e shpreh me neve”, ka thënë ai.

Sipas tij, furnizimi me barna esenciale duhet të jetë 24 orë së paku në Emergjencë.

“Unë mendoj se ata duhet në këtë rast t’u marrin llogaridhënie atyre personave që është dashur t’i përcjellin kontratat e sidomos prokurimit në këtë rast dhe të mos vijë në pozicionin që i sëmuri kërkon diçka që i takon me ligj e që obligohet Ministria t’ia sigurojë, sidomos barnat e listës esenciale. Normalisht duhet të përcillen kontratat me kohë, furnizimi të jetë së paku tek ato shërbime që duhet të jenë 24 orë të furnizuara, siç është Qendra Emergjente, Intensivja dhe disa klinika që kanë peshë”, ka thënë ai.

Veseli ka konsideruar se në listën esenciale duhet të shtohen edhe disa produkte tjera. “Duhet të shtohet lista esenciale pasi ka disa produkte që kanë nevojë të futen në listën esenciale. Buxheti që është ndarë tash nuk i mbulon ato. Sa i përket barnave elementare thjesht ka filluar një furnizim, por jo edhe i kënaqshëm sa pritej. Nuk po pres normalizim deri në qershor”, ka thënë ai.

Sipas tij, Ministria tashmë është duke punuar rreth kësaj çështjeje.

“Unë mendoj që këtë hap e ka marrë Ministria. Janë duke punuar tash edhe me OBSH-në pasi përmes saj mund të kalojnë me kontrata, të cilat munden t’i bëjnë me çmime më të lira dhe normalisht që i shkon edhe për shtati, pasi që në të kaluarën kanë qenë pak edhe çmimet shumë të fryra sa i përket barnave p.sh. në barnatore ndoshta ka kushtuar 1 euro e diçka por këta e kanë marrë me 9 euro. Ka qenë jashtëzakonisht shumë çmim i fryrë. Unë besoj që prej qershorit ka për të qenë një situatë më ndryshe”, ka thënë ai.