Ekonomia

KEDS-i dështon t’i ulë humbjet e energjisë sa i ishte caktuar

KEDS-i dështon t’i ulë humbjet e energjisë sa i ishte caktuar
12 prill 2018 • 15 : 32

Lexo detajet

Caku i lejuar i humbjeve është caktuar nga ZRrE që të jetë 16.9 për qind për humbjet e KEDS kanë shkuar në 24 për qind, pra nuk kanë arritur ta përmbushin cakun e lejuar, por konsumatorët nuk kanë paguar për këtë, ka thënë Ymer Fejzullahu nga ZRRE-ja.

Në mbledhjen e mbajtur nga Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal është bërë prezantimi i Parametrave Rregullativ nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), me anën e të cilave caktohen të hyrat dhe tarifat e operatorëve dhe tarifat përfundimtare të konsumatorëve.

Prezantimin e parametrave e ka bërë Ymer Fejzullahu, udhëheqës i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në ZRrE.

Ai ka treguar se ky proces ka filluar në muajin maj të vitit 2017 dhe është dashur të përfundonte me 31 mars të këtij viti, por për shkak se nuk ka pasur kuorum në bordin e ZRrE-së, ky proces nuk ka përfunduar.

Prezantimi i Parametrave Rregullativ nga ZRrE

Gjatë prezantimit ai ka folur për tri parametra: nivelin e lejuar të humbjeve, jetëgjatësinë e aseteve dhe mesataren e ponderuar.

“Vlera është 1.1 deri 3.0 në bonat e thesarit sipas informacioneve nga BQK. Në bazë të të dhënave norma pa risk është sjellë nga 1.1 deri në 3.0. Kosto borxhit 6.5 për qind. Mesatarja e kostos së kapitalit të ponderuar sipas vlerësimeve tona të jetë 7.6 për qind”, ka thënë Fejzullahu.

Më tej Fejzullahu ka shtuar se norma efektive e interesit për kreditë të investimeve afatgjate nga viti 2005 deri tani ka rënë nga 14.5 në 5.8 për qind.

Por zëvendëskryetari i parë i komisionit, Dardan Sejdiu tha së në bazë të informacioneve që i ka marrë nga BQK dhe bankat e tjera komerciale kompanitë profitabile marrin kredi më kamatë 4.7 për qind.

“A e di ku e kam hallin, se çka me marrë si udhëzim për caktim të tarifave, me që është ashtu kosto e borxhit të cilin ja keni pranu KEDS-it me ja rishiku se në bazë të informacionit që kam nga BQK dhe bankat komerciale për kreditë, interesi vjetor nuk kalon 4.5 për qind. Si rekomandim t’i referohemi çmimit të pares në treg, parja në treg është më e lirë sesa ia keni pranu KEDS-it. 5.8 është tavan i epërm”, tha Sejdiu.

Ymer Fejzullahu gjatë prezantimit ka treguar se për vlerën mesatare të kostos së kapitalit të ponderuar kanë marrë për krahasim edhe vendet e regjionit.

“Në Serbi ku distributori është në pronësi të shtetit është 3.7 për qind, në Maqedoni ku është private është 6.7 për qind, etj. E kemi parë që jemi brenda këtyre vlerave”, ka theksuar Fejzullahu.

Faktori i efikasitetit në shpenzimet operative për KOSTT dhe KEDS, sipas ZRrE-së të jetë 1.5 për qind duke pasur parasysh nivelin e lejuar.

“Caku apo lakorja e reduktimit të humbjeve. Është bërë vlerësimi që është i publikuar në faqen e ZRRE së, rreth 1.8 për qind për total humbjet në sistemin e transmisionit. Mesatarja e vitit të kaluar ka qenë 1.8”, ka prezantuar Fejzullahu para anëtarëve të Komisionit.

Caku i lejuar i humbjeve është caktuar nga ZRrE që të jetë 16.9 për qind për humbjet e KEDS kanë shkuar në 24 për qind, pra nuk kanë arritur ta përmbushin cakun e lejuar, por konsumatorët nuk kanë paguar për këtë.

“Nëse ky cak nuk arrihet do të ketë kosto shtesë prej 39 milion euro për KEDS”, ka thënë Fejzullahu.

Po ashtu gjatë prezantimit u tha se do të ketë investime 127 milion euro në rrjetin e distribucionit për periudhën e ardhshme 5 vjeçare.

Debati mes anëtarëve të Komisionit dhe ZRrE-së

Pas prezantimit të Parametrave nga ana e Ymer Fejzullahut pasuan edhe pyetjet e kundërshtimet nga ana e anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

Anëtarja e Komisionit, Mimoza Kusari ishte e interesuar të dinte se ku është kufiri teknik në veri të Kosovës sipas ZRrE-së.

Petrit Pepaj, drejtori menaxhues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë tha se kufiri teknik është në Vallaq deri ku dërgohet energjia elektrike dhe pastaj shpërndahet në veri.

“Që nga vendimi i gjykatës KOSTT është duke u përballë me një sfidë. Prej 2 dhjetorit deri tash KOSTT ka marrë energji prej Evropës, që ka qenë tërheqje jashtëligjshme. Një humbje që nuk kontrollohet duhet me u trajtu prej shtetit.

Pati edhe një debat mes anëtarëve të Komisionit, Dardan Molliqaj dhe Memli Krasniqi për ato që u thanë dhe ato që nuk u thanë gjatë prezantimit të ZRrE-së.

Dardan Molliqaj iu drejtua bordit të ZRrE-së duke ju thënë se ata më shumë i kanë shërbyer KEDS-it sesa interesit të qytetarëve.

“Në vitin e kaluar kemi biseduar për tarifave ku i keni hequr bllok tarifat dhe keni bërë tarifë të njëtrajtshme, keni thënë që është vit provues, sugjerimi im është mos me bo vit provues por me ulë tarifat, nga kjo del që KEDS ka përfituar shumë e kanë humbur qytetarët e bizneset e vogla e të mëdha. Po nuk pashë që ju keni bërë një raport. E kam të qartë që nuk e keni bo se i shërbeni KEDS dhe jo interesit të qytetarit”, ka theksuar Molliqaj.

Ai po ashtu vuri në dukje se në dy vitet e fundit ka rritje të humbjeve në KEDS, duke thënë se humbja më e madhe është ajo teknike e cila sipas tij është në dorën e KEDS.

“Humbja më e madhe është teknike, e cila është në dorën e kompanisë, është çështje e investimeve se hajt këto komerciale po arsyetohen. Në fund po na shtini me pagu mos investimin e kompanisë. Nëse vazhdon kështu neve na mbetet me ngritë në nivel politik menaxhimin e dobët të bordit të ZRRE së”, ka thënë Molliqaj.

Kurse Arsim Janova, u.d. i kryesuesit të Bordit të ZRrE-së ka thënë se nëse KEDS do të kërkonte një shumë të madhe për investime atëherë kjo menjëherë do të reflektonte në tarifat e energjisë elektrike që do të dëmtonin konsumatorin.

“Nëse është e vërtetë që na i paguajmë investimet atëherë e vërtetë është që na i paguajmë edhe humbjet”, i është kundërpërgjigjur Dardan Molliqaj, u.d. të kryesuesit të Bordit ët ZRrE-së.

Molliqaj më tutje tha se me tarifat e reja qytetarët e Kosovës po paguajnë 30 për qind më shumë energjinë elektrike.

Kurse anëtari tjetër i Komisionit, Memli Krasniqi nga PDK tha se mendon të kundërtën e Molliqajt, se nuk mendon që konsumatorët paguajnë 30 për qind më shumë me tarifën e njëtrajtshme të energjisë elektrike.

“Askush nuk mund të flas me të vërtetën absolute, Dardani po e sheh ndryshe e unë e  shoh ndryshe, nuk ka të vërtetë empirike këtu, unë pajtohem me përfaqësuesin e ZRRE së, po flas si qytetar që vitin e kaluar gjatë gjithë vitin kam paguar më pak se më herët, nëse i merr i krahason faturat nuk besoj që paguajmë 30 për qind më shumë për energjinë e shpenzuar”, theksoi Krasniqi.

Dardan Molliqaj tha se po pret që ZRrE të vijë me një raport rreth asaj nëse është e vërtetë që ne paguajmë 30 për qind më shumë apo jo.

Dardan Sejdiu që ishte në rolin e kryesuesit të Komisionit për shkak të mungesës së kryetares, Sala Berisha-Shala ka propozuar që ZRrE të mos lëvizë nga parametrat e përcaktuar pasi prapë se prapë janë treguar bujar.

Për shkak të mungesës së kuorumit në komision, pika e katërt e rendit të ditës, shqyrtimi i Raportit Vjetor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për vitin 2017, është shtyrë për një mbledhje tjetër. /Kallxo.com/Image

© zëri.info