Investitorë amerikanë të gatshëm për të investuar në sektorin bankar në Kosovë

Ekonomia April 10, 2018 - 16:34
Lexo detajet

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, priti sot në takim përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare me seli në ShBA, të kryesuar nga presidenti Nazar Mehmeti, sekretari i përgjithshëm, Ismet Smajli dhe drejtorin Naim Dedushaj.

Në takimin e zhvilluar u diskutua mundësia e investimit në sektorin bankar të Kosovës, ku përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës shprehën gatishmërinë për fillimin e procedurave për hapjen e bankës së diasporës në Kosovë.

Guvernatori Mehmeti mirëpriti një iniciativë të tillë dhe informoi përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare lidhur me kërkesat ligjore të BQK-së për licencimin e një banke.

Mehmeti falënderoi delegacionin e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në ShBA për interesimin e tyre në sistemin financiar në Kosovë.

Mehmeti po ashtu i informoi ata lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar në Kosovë dhe me treguesit e shëndetit financiar.

Guvernatori Mehmeti theksoi kontributin e madh që diaspora shqiptare ka dhënë në të kaluarën dhe po vazhdon ta jap për zhvillimin ekonomik të Kosovës, përfshirë këtu nevojën e madhe që të hyrat nga diaspora të transformohen nga konsumi në investime që do kontribuonin direkt në zhvillim ekonomik të Kosovës.