Dy skema pensionale ''rrezikojnë'' buxhetin e shtetit

Ekonomia April 10, 2018 - 11:52
FMN-ja jep alarmin

Skemat pensionale të paralajmëruara për mësuesit që kanë punuar në vitet e ’90-ta, si dhe pensionet e parakohshme për Policinë e Kosovës po vlerësohen si rrezik serioz për buxhetin e Kosovës. Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, i tha “Zërit” se me propozime të tilla të përfitimeve për dy kategoritë do të rrezikohet buxheti i shtetit dhe qëndrueshmëria e borxhit

Buxhetin e shtetit mund ta rrezikojnë skemat e propozuara të pensioneve për mësimdhënësit që kanë punuar në sistemin paralel të viteve të ’90-ta, si dhe pensionet e parakohshme për Policinë e Kosovës.

Kështu  po alarmojnë përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë.

LEXO EDHE: Mbi 34 mijë veteranë në llupën e kryeprokurorit

Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, i tha Zërit se me propozime të tilla të përfitimeve për dy kategoritë do të rrezikohet buxheti i shtetit dhe qëndrueshmëria e borxhit.

“Në të njëjtën kohë ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar për iniciativat e shpenzimeve sociale, siç është skema e propozuar e pensioneve për mësuesit që punonin në sistemin paralel në vitet 1990 ose skemën e pensionit të parakohshëm për forcat policore”. Këto do të krijonin detyrime të mëdha të pensioneve të pafinancuara, të cilat sistemi i pensioneve tashmë i pafinancuar në Kosovë thjesht nuk mund ta përballojë. Për më tepër, kërkesa për skema të ngjashme për profesione të tjera me siguri do të pasojë, duke vënë në rrezik buxhetin e Kosovës dhe qëndrueshmërinë e borxhit”, deklaroi Vermeulen.

Jasharaj: Buxheti nuk goditet

Por në anën tjetër Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), po thotë se me njohje të kontributeve për mësimdhënësit e viteve ’90-ta nuk do të “goditet” buxheti i shtetit.

“Nëse këtë e ka thënë FMN-ja nuk besoj që këtë e ka thënë direkt për neve. Unë vlerësoj se jo, sepse nuk janë mjete që do ta goditnin shumë buxhetin e Kosovës, ngase llogaritësi i ka bërë vetë për implikimet buxhetore Ministria e Financave. Ajo thotë që nëse fillon së implementuari në katër muajt e fundit, nga shtatori i këtij viti, atëherë buxhetit të Kosovës i duhet t’i dedikojë për këtë qëllim 2 milionë e 6 mijë euro”, ka deklaruar Jasharaj në një prononcim për “Zërin”.

Jasharaj thotë se nëse kjo nuk ndodh, por fillohet nga viti i ardhshëm, atëherë sipas tij nuk do të kalohet shuma e pesë milionë e gjashtëqind mijë eurove, të cilën shumë e konsideron të përballueshme për buxhetin e shtetit.

“Ndërsa nëse kjo nuk ndodh, por fillohet nga viti i ardhshëm, atëherë nuk e kalon shumën e pesë milionë e gjashtëqind mijë eurove dhe në vitet pasuese shkon duke u shtuar më së shumti për një milion euro, gjë që mendoj që është e përballueshme për buxhetin e shtetit”, ka shtuar më tutje kryetari i SBASHK-ut.

Kryetari i SBASHK-ut ka paralajmëruar grevë të pacaktuar kohore më 13 prill nëse Ligji për Njohjen e Kontributeve nuk arrin në Kuvend të Kosovës.

“Ligji ka ngelur për momentin në Qeveri, ka pasur fërkime, po them kushtimisht dhe rezistencë nga MF-ja edhe pse përfaqësues të kësaj ministrie në komisionet kur është punuar ligji kanë thënë se me koston e tillë është i përballueshëm, pastaj kanë ndodhur mosmarrëveshje si duket dhe ne jemi duke insistuar dhe duke punuar. Kemi edhe premtim nga të gjitha subjektet politike dhe të tjerë që ligji do të shkojë dhe ne do të insitstojmë pavarësisht deklaratave të dikujt dhe nëse kjo nuk ndodh kongresi i SBASHK-ut më datën 24 ka sjellë edhe rezolutë për veprimet sindikale dhe pas veprimit të grevës njëditore që e kishim më 12 mars, ne do të jemi të shtrënguar që nëse ligji nuk shkon në Parlament të shkojmë në grevë të përgjithshme në kohë të pacaktuar më 13 prill”, ka shtuar më tutje Jasharaj.

Shteti mund të futet në “kollaps” nga këto përfitime

Me rritjen e këtyre ngarkesave buxhetore vendi do të detyrohet të rrisë normat tatimore për ta mbushur hendekun e të hyrave buxhetore. Kështu po deklaron drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka.

Zeka në një prononcim për “Zërin” tha se Oda Ekonomike Amerikane në vazhdimësi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Financave që në kuadër të ndryshimeve që kanë për qëllim prezantimin e skemave të reja sociale ose ndryshimin e atyre ekzistuese të kenë parasysh ruajtjen e stabilitetit buxhetor të Kosovës.

“Oda Ekonomike Amerikane vazhdimisht i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, respektivisht Ministrisë së Financave, që në kuadër të ndryshimeve që kanë për qëllim prezantimin e skemave të reja sociale ose ndryshimin e skemave ekzistuese, të cilat do të mundë ta ngarkonin buxhetin e vendit, të ketë parasysh ruajtjen e stabilitetit buxhetor të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Zeka.

Ai ka vlerësuar se burimet për mbledhjen e të hyrave buxhetore po mbesin të kufizuara, ndërsa ka përmendur edhe ndryshimet në politikat fiskale, që sipas tij kanë mundësuar edhe lehtësira për bizneset e që kanë ndikuar në mbledhjen e të hyrave.

“Burimet për mbledhjen e të hyrave buxhetore mbesin mjaft të kufizuara, derisa në anën tjetër ka pasur edhe ndryshim në politikat fiskale që kanë mundësuar edhe lehtësira për bizneset e që kanë ndikuar në mbledhjen e të hyrave. Rritja e ngarkesës buxhetore dhe rrjedhimisht e deficitit buxhetor mund të na sjellë në situatë ku vendi do të detyrohet të rrisë normat tatimore për të mbushur hendekun e të hyrave buxhetore. Duke pasur parasysh që në këtë aspekt normat tona tatimore janë të ngjashme me ato të vendeve të tjera në rajon, me të cilat jemi në konkurrencë për tërheqjen e investimeve të huaja, një vendim i tillë do të kishte ndikim negativ në nxitjen e investimeve”, ka shtuar më tutje drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Trendi i rritjes së pagesave për transfere sociale si këto përfitime të përmendura po mbetet shqetësues edhe për ekspertin e ekonomisë Hekuran Muratin.

Murati në një përgjigje për “Zërin” tha se rrezikimi i buxhetit mund të vlerësohet vetëm pasi të dihet numri i saktë i përfituesve të këtyre skemave.

“Se a rrezikohet buxheti mund të thuhet tek pasi të dihet numri i saktë i përfituesve. Mirëpo trendi i rritjes së pagesave për transfere sociale si këto më lart është mjaft shqetësues. Duke marrë parasysh që rritja e të hyrave në buxhet është e kufizuar shkaku i nivelit të ulët të punësimit dhe zhvillimit ekonomik, të gjitha këto shpenzime për transfere sociale do të duhet të financohen ose nga borxhi, ose në kurriz të investimeve kapitale”, ka shtuar ndër të tjera eksperti i ekonomisë.

Nëse vazhdohet me këtë trend, sipas Muratit, numri i përfituesve të pensioneve dhe transfereve të tjera sociale do të jetë më i madh se numri i atyre që punojnë dhe paguajnë tatim.

“E një gjë e tillë nuk paraqet prognozë të mirë për vendin në afat të gjatë. Nëse vazhdohet kështu do të vijmë në një situatë ku numri i përfituesve të pensioneve dhe transfereve të tjera sociale do të jetë më i madh sesa numri i atyre që në fakt punojnë dhe paguajnë tatim. E kjo do të nënkuptonte kollapsim të shtetit”, ka përfunduar mes të tjerash ai.

Komisioni Parlamentar ia dorëzon kryeministrit Projektligjin për Mësimdhënësit

Për të kuptuar detaje se deri ku kanë arritur procedurat për këto skema pensionale gazeta “Zëri” ia ka përcjellë pyetjet me shkrim Ministrisë së Financave, e cila ka rekomanduar që të njëjtat të drejtohen te Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se përgjegjëse është Zyra për Informim në Policinë e Kosovës, ndërsa në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Arbërie Nagavci, të martën njoftoi se Komisioni Parlamentar për Arsim i ka dorëzuar kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt kërkesën për procedimin në Kuvend të Projektligjit për Mësimdhënësit e Viteve të ’90-ta.

“Të gjithë mësimdhënësit që kanë punuar dhe kanë rezistuar në kohën më të vështirë për vendin, në kohën e mbijetesës së sistemit arsimor gjatë viteve 1990-’99, që kanë kontribuar në shtetndërtimin e Kosovës, e meritojnë të kenë një trajtim të dinjitetshëm”, tha Nagavci.

Në bazë të deklarimeve është thënë të jenë dikur rreth 22 mijë mësimdhënës që kanë punuar para luftës, të cilëve përveç njohjes së stazhit të punës do të kompensohen financiarisht. Ndërsa çështja e pensionimit të parakohshëm të zyrtarëve policorë të Kosovës nuk është se ka marrë ndonjë “dritë jeshile” veç diskutimit me vite.