Posta në prag të falimentimit

Ekonomia April 10, 2018 - 09:37
Lexoni më shumë detaje

Kriza financiare në Postën e Kosovës ka bërë që kjo ndërmarrje të mos mundë t’i ekzekutojë pagat për të gjithë punëtorët edhe në këtë muaj. Menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje po i kërkon me “ngulm” aksionarit të saj Qeverisë të organizojë takime intensive me institucionet përgjegjëse për ta tejkaluar gjendjen e rëndë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Zyrtarët për informim në Postën e Kosovës i kanë thënë Zërit se njëri ndër faktorët kryesorë që e ka vënë Postën në këtë pozitë është mosmbulimi i Shërbimit Universal Postar me vite.

LEXO EDHE: Sëmundjet në Kosovë diagnostikohen me aparatura të prodhuara para 30 vjetëve

“Posta e Kosovës ka ngritje të të hyrave dhe zvogëlim të shpenzimeve çdo vit, këtë mund ta verifikoni edhe në raportet e Auditorit të Jashtëm, të cilat janë publike. Faktori kryesor që ka vënë Ndërmarrjen tonë në këtë pozitë është mosmbulimi i Shërbimit Universal Postar me vite, pavarësisht faktit që kjo kërkesë ka kaluar edhe nëpër procedura ligjore te përmbaruesi dhe procedura gjyqësore, e cila nuk po ekzekutohet nga MZHE-ja. Vlera e këtij kontesti gjyqësor është në dobi të PK-SHA, sepse me këtë vendim aksionari është i obliguar që t’i paguajë Postës për këtë shërbim që Posta ofron me humbje në vlerën 3.504.341.89 €, duke përfshirë në këtë vlerë kamatën dhe shpenzimet e tjera deri në datën kur janë nxjerrë vendimet”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Postës.

LEXO EDHE: MTI-ja paralajmëron barriera tregtare për prodhimet e Shqipërisë

Arsim Mehmeti, zëdhënës për informim në këtë ndërmarrje, ka sqaruar se humbjet e lartcekura janë vetëm për periudhën 30 qershor 2016, ndërsa për pjesën tjetër, e cila ende nuk ka kaluar përmes procedurave përmbaruese, por në bazë të kalkulimeve fillestare që ka bërë Posta aksionari ka obligim për këtë shërbim.

“Aksionari ka obligim për këtë shërbim edhe vlerën prej 1.5 milion eurove, për këtë çështje janë dërguar edhe faturat në formën ligjore te MZHE-ja. Duke marrë për bazë të gjitha këto fakte, konstatojmë që gjendja e vështirë financiare në Ndërmarrje është pikërisht nga moskryerja e këtij obligimi ligjor. Posta e Kosovës është ndërmarrje publike, në çdo vend të rajonit dhe të Evropës postat subvencionohen dhe mbështeten nga shteti”, thuhet më tutje në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni.

Në Postën e Kosovës kanë treguar se vetëm për një shkresë të vetme gjyqësore janë të detyruar që për 0.40 centë ta dërgojnë automjetin në Dragash, i cili shërbim mund t’u shkaktojë shpenzime të shumta.

Por në anën tjetër, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) thonë se përgjegjësia kryesore për përmirësimin e gjendjes financiare mbetet brenda kompanisë, përkatësisht te Bordi dhe te menaxherët e saj.

“MZHE-ja, përkatësisht ministri Valdrin Lluka që nga dita e parë e mandatit të tij ka tërhequr vërejtjen për problemet që kanë ndërmarrjet publike, duke nënkuptuar edhe Postën e Kosovës. Me kohë ua ka tërhequr vërejtjet për situatat e rënda me të cilat mund të ballafaqohen dhe kjo tash veç po ndodh në PK”, thuhet në përgjigjen me shkrim që zyrtarë për informim pranë zyrës së MZHE-së ia kanë dhënë “Zërit”.

Më tutje në përgjigjen e tyre thuhet se kjo ministri do t’i përmbushë obligimet financiare që ka ndaj kompanisë.

“MZHE-ja do t’i përmbushë obligimet financiare që ka ndaj kësaj kompanie, ndërkaq për përmirësimin e gjendjes financiare përgjegjësia kryesore është brenda kompanisë, përkatësisht te Bordi dhe te menaxherët e saj. Ata duhet ta bëjnë planin e reduktimit të shpenzimeve, duhet t’i rishikojnë politikat e punësimit, duhet ta rritin vëllimin dhe cilësinë e shërbimeve”, theksohet në përgjigjen e Ministrisë që drejtohet nga ministri Valdrin Lluka.

Ali Lajçi, anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se keqmenaxhimi dhe korrupsioni e kanë karakterizuar menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje.

“Keqmenaxhimi dhe korrupsioni e kanë karakterizuar edhe menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje, kanë dobësuar investimin në të dhe nuk kanë investuar në të me qëllim që ajo të degradohet, të humbet dhe pastaj kanë menduar ndoshta edhe ta privatizojnë ose ta shfrytëzojnë në forma të tjera. Këtu është qëllimi, këtë e ka treguar praktika”, ka deklaruar Lajçi.

Deklarimet që punëtorët e Postës të mbesin pa paga anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Ali Lajçi, i konsideron si katastrofale.

“Qe disa muaj thuhet se do të mbesin punëtorët pa paga, ajo është katastrofë për shkak se ajo është profitabile dhe ka buxhet nëse do të funksiononte si duhet. Rrjeti i saj edhe të gjitha ato shfrytëzohen edhe prej të tjera kompanive. Kemi menaxhim katastrofë. Institucionet duhet ta dinë se kush e ka në përgjegjësi dhe kush e menaxhon”, ka shtuar ndër të tjera ai.