Zvarritet përzgjedhja e drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore

Ekonomia April 06, 2018 - 07:55
Lexo detajet

Përzgjedhja e drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore vazhdon të zvarritet edhe më tutje, ndonëse ka kohë që Komisioni për Vlerësimin e Kandidatëve raportin e ka përfunduar, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Administratës Publike, Arton Berisha, përmes një përgjigjeje elektronike ka deklaruar se Komisioni për Vlerësimin e Kritereve është duke hartuar listën e kandidatëve të cilët do të ftohen për intervistë.

“Konkursi i rishpallur për pozitën Drejtor i përgjithshëm në Institutin e Mjekësisë Ligjore është mbyllur. Për këtë pozitë kanë aplikuar shtatë kandidatë. Komisioni për Vlerësimin e Kritereve është në procesin e hartimit të listës së shkurtër dhe shumë shpejt do të mbahet intervista me gojë”, ka thënë Berisha.

LEXO EDHE: Asociacioni, brenda katër muajsh

Por, mundësia që ky konkurs të dështojë për herë të dytë nuk përjashtohet pasi që aplikimi i njërit nga kandidatët për këtë pozitë, Erton Beka, nuk ka qenë i kompletuar.

Lëshimi që është bërë nga Ministria e Administratës Publike ka bërë që aplikacioni i Bekës të mos arrijë në këtë ministri.

MAP-i në konkursin e shpallur ka vendosur e-mailin e vjetër të kësaj ministrie, i cili nuk është në funksion, gjë që ka bërë që aplikimi i kandidatit Erton Beka të mos arrijë në adresën e duhur.

Beka ka pranuar për “Zërin” se ka ndodhur ky lëshim, mirëpo ai ka arsyetuar MAP-in, duke thënë se për këtë faji ka qenë edhe i tij. “Konkursi është mbyllur, do të formohet komisioni, pastaj nëse i plotësojmë kriteret ftohemi në intervistë.

Po këto janë çështje teknike, sepse edhe unë s’i kam shkruar e-mailin dhe telefonin dhe ka shkelje edhe nga unë”, u shpreh Beka.

Ndërsa drejtori aktual i këtij Instituti, Arsim Gërxhaliu, thotë se pret që kësaj here të përmbyllet kjo çështje. Mirëpo Gërxhaliu shprehet i rezervuar kur pyetet nëse dyshon për ndonjë mundësi të manipulimit brenda konkursit, duke shtuar se asnjëherë nuk është ftuar në intervistë.

“Unë pres që të përfundojë konkursi dhe të përzgjidhet kandidati për këtë pozitë. Nuk e di, nuk mund të them asgjë, sepse asnjëherë nuk na kanë ftuar as në intervistë. Për këtë herën e dytë nuk kam ende asgjë zyrtare. I kam dorëzuar dokumentet dhe jemi në pritje”, u shpreh Gërxhaliu.

Muajin e kaluar EULEX-i dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar që sa më parë të zgjidhet drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mënyrë që ky dikaster t’i rrisë kapacitetet e tij.

Ndryshe, konkursi i parë për pozitën e Drejtorit të përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore ishte bërë në nëntor të vitit të kaluar, mirëpo i njëjti ishte anuluar me arsyetimin se vetëm njëri nga gjashtë kandidatët i kishte plotësuar kriteret për këtë pozitë.

Garës për të parin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në konkursin e parë i kishin hyrë 6 kandidatë, duke përfshirë drejtorin aktual Arsim Gerxhaliun, Valon Hysenin, Naim Ukën, Musa Gashin, Brigita Currin, si dhe Driton Krasniqin.